Mirë që s’kemi tempuj si grekët dhe romakët e vjetër, për perënditë që u besonin, po nuk kemi as një Panteon ku do të preheshin kockat e mendjendriturve më të shquar! Do më hapësh debatin e pafund për hajrin dhe sherrin. Nga ajo se ç’po ngjet tek ne e mes nesh: I kemi apo s’i kemi?
Autor: Seladin Xhezairi
1. Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, në paraqitjen e fundvitit përpara deputetëve, dha një diagnozë të qartë, e pse jo edhe të saktë, të realitetit, duke kundruar të dyja anët e medaljes: arritjet dhe dështimet. Pasi përvijoi ndasitë mes qytetarëve, që shkojnë në vija etnike e për të cilat tha se ‘dikush kishte punuar me vite’, Presidenti nënvizoi se ‘gjatë dekadës së fundit ndasitë mes maqedonasve janë përthelluar në mënyrë dramatike’. Arsye për këtë, them unë, janë mospajtimet me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë , Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë, miratimi i Ligjit për Gjuhët me të cilin zyrtarizohet edhe përdorimi i shqipes dhe, së fundi, afrimi i zgjedhjeve të parakohshme! Vetëm mund ta imagjinojmë se çfarë energjie do të harxhohet për të shpalosur të vërtetën, tekstin dhe nëntekstin, e kësaj ‘anatomie vrastare’ që mundohet të ‘josh’ votuesin jo me projekte të kapshme, por me llafe e llafe. Javëve e muajve në vazhdim, keni për të parë, do të rritet numrin i kujdestarëve e gardianëve të ‘kauzave’, si në taborrin maqedonas ashtu edhe në atë shqiptar. Edhe diçka: shqiptarët këtu e dy dekada më parë e flakën fruthin e ndasisë në ‘tradhëtarë e atdhetarë’. Sot, kjo i është ngjitur kampit politik partiak maqedonas. Të shkuara!
2. Mos qofsha në lëkurën e Kryeministrave e Presidentëve të shumëbegenisur: Janë vënë përballë tërmeteve. E kanë pisk e të ngratët rrahin gjoks se kanë ‘zotin’ e tyre, duke harruar se Zoti është një e s’ka as shok e as ortak! Po, pra: kohët e vështira i prodhojnë prijësit të cilët dijnë t’ju japin udhë problemeve, të përballen me sfidat dhe pastaj t’i fërkojnë duart! Këta tanët, kush më shumë e kush më pak, sikur e kanë harruar se vendimet e mëdha duhet marrë me urtësi e duke i peshuar mirë e mirë. Kështu sikurse iu përgjigjet z. Rama kritikave nga Prishtina, të pozitë-opozitës së atjeshme, i bie se, me kokëfortësinë e imponimit, ka për t’u përballur edhe gjatë kohë me kualifikimet e tipit ‘provokacija’ apo edhe të ‘tradhëtisë’ (që mund të jetë edhe pa thonjëza), për shkak se në postin që është duhet t’i ketë dëgjuar nëmat e mallkimet nga Kosova për të ‘bëmat’ serbe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, por edhe ato të fundshekullit të kaluar . Dhe, Kryeministri, të paktën që do duhej të rikujtonte, duhet të mos harrojë vargjet e të madhit Ali Podrimja: Kosova – gjaku që nuk falet! Të merremi vesh, më duket plotësisht e drejtë deklarata e Enver Hoxhajt se Kosova nuk ka asgjë kundër thellimit të bashkëpunimit Shqipëri-Serbi, por se ‘jo në në emër të Kosovës’!
…Mirë që s’kemi tempuj si grekët dhe romakët e vjetër, për perënditë që u besonin, po nuk kemi as një Panteon ku do të preheshin kockat e mendjendriturve më të shquar! I kemi apo s’i kemi?
3. Dhe krejtësisht në fund, po ua risjell mesazhet e presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier me rastin e Festës së Krishtlindjes. Në sfondin e pasigurisë, fyerjeve, antisemitizmit dhe urrejtjes në jetën e përditshme dhe në internet, ai ka bërë thirrje për më shumë angazhim për demokracinë. Dojçe Vele thotë se për herë të parë Steinmeier ka përmendur shprehimisht urrejtjen me sfond antisemitizmin në vend. Ka kujtuar një ndër çastet më dramatike të vitit në Gjermani, atentatin ndaj një sinangoge në Halle: “Është një mrekulli, që porta rezistoi dhe që prej tentativës për sulmin brutal me motiv antisemitzmin nuk pati më shumë viktima – më shumë se dy viktima, që dorasi arriti të vrasë,”- tha Presidenti duke pyetur: “A jemi të fortë dhe a mund të mbrohemi? Qendrojmë ne sa duhet me njeri-tjetrin dhe për njeri-tjetrin?”. I pari i shtetit gjerman nënvizon nevojën për veprim demokratik duke emërtuar edhe temat për të cilat bisedohet në debate të nxehta. Zgjedhjet dhe rezultatet e zgjedhjeve, klima dhe ndryshimi i klimës, e ardhmja e Europës, niveli i ribashkimit pas 30 vjetësh të rënies së Murit të Berlinit. “Këto janë kohë intensive politike, në të cilat jetojmë ne – dhe sipas mendimit tim as që mund të bëhet fjalë se ka pak liri mendimi. Përkundrazi: kaq shumë diskurs nuk ka pasur asnjëherë më parë.” Është e rëndësishme pjesëmarrja, thekson Steinmeier duke përmendur shembuj: Nëse ka fyerje në publik duhet të mbështetet më i dobëti – duhet ngritur zëri për t’u kundërvënë kur ofendohen pakicat, kur në oborrin e shkollës apo në lokal lëshohen shprehje raciste – duhet kundërshtuar racizmi dhe urrejtja në “rrjetet sociale”.
E ne ku jemi e si jemi, nga po vemi? Në këtë fundvit…