Në Tiranë është mbajtur takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev zhvilluan diskutimet me dyer të mbyllura, ndërkohë që i pranishëm për herë të parë në takim është edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili i është bashkuar nismës për krijimin e “Mini-Shengenit” .
Plani për krijimin e “Mini-Shengenit” ballkanik është kundërshtuar nga faktorët kyç në Kosovë, përfshirë presidentin Hashim Thaçi i cili ka refuzuar ftesën e kryeministrit Rama për pjesëmarrje në samit me arsyetimin që forume të tilla janë të padobishme derisa Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe mohon krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës ’98-’99 në Kosovë.
https://www.facebook.com/HashimThaciOfficial/posts/3284995644904105
Në konferencën e përbashkët pas takimit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se kjo iniciativë është bashkëpunuese, në të mirë të rajonit dhe shtoi se mospjesëmarrja e Kosovës është “e pakuptueshme”.
“Dua ta them që në fillim dhe nuk do të lodhem së përsërituri që kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd, është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk ka kushte, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush. I kemi ftuar në Tiranë, siç ishin të ftuar edhe në takimet e mëparshme të gjithë. Dhe më lejoni ta them hapur se për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tyrezë është i pakuptueshëm, dhe përveçse është i pakuptueshëm mendoj që është i dëmshëm për vetë Kosovën”, theksoi kryeministri Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se liderët janë mbledhur së bashku në përpjekjet e tyre për të thelluar bashkëpunim rajonal në të mirë të së ardhmes së qytetarëve të vendeve që përfaqësojnë.
“I gjithë ky proces është në koherencë të plotë me ambicien e shprehur nga të gjitha vendet dhe me angazhimin e çdo vendi për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Duke bashkuar forcat për ta përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe për të krijuar në hapësirën tonë standardet që i përgjigjen katër lirive të Bashkimit Evropian: liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve”, tha Rama.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, duke folur për tërmetin e nëntorit që goditi Shqipërinë, e mori si shembull nevojën për ndihmën e fqinjëve për të siguruar rehabilitimin dhe përballjen e pasojave.
“Kjo iniciativë të cilën ne mes vete e quajmë ‘Mini-Shengen’ është përfshirëse dhe të gjithë që e shohin të mirën e kësaj iniciative mund të bashkohen me të ose në pjesë të caktuara të saj ose në të gjithë këtë iniciativë. Në qoftëse ne mendojmë se mund të sjellim ndonjë të mirë për të tjerët, duhet t’i bashkangjitemi”, tha Gjukanoviq.
Ai theksoi se Mali i Zi është i hapur për bashkëpunim rajonal dhe mbështet iniciativat që mund të shtyjnë drejt Bashkimit Evropian.
“Kam nevojë të ju kujtoj se Mali i Zi është shumë i angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Ne kemi qenë anëtar i plotë në 27 iniciativa rajonale, 6 prej tyre i kryesojmë, gjë që tregon se iniciativat rajonale krijojnë mundësi të shkëlqyera për të rifreskuar dhe përmirësuar besimin midis vendeve të rajonit dhe për të kontribuar për zhvillimin e vendeve të rajonit”, u shpreh Gjukanoviq.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se bashkëpunimi rajonal duhet të bëhet sa më intensiv, nënvizoi se bisedimet e takimit të së shtunës ishin në funksion të intensifikimit të këtij bashkëpunimi.
“Kemi diskutuar se si të zhvillojmë tregtinë, të lehtësojmë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve dhe gjithashtu edhe fluksin e kapitalit të shërbimeve. Më duket se kemi marrë vendime të rëndësishme, do të nënshkruajmë natyrisht dhe për mua është e njëjta se a në Begograd a Podgoricë, si të biem dakord. Por, besoj se ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin sepse kjo nënkupton që ne do të vijojmë të ndërtojmë jo vetëm inspektimet tona veterinare apo sanitare, por do të kemi edhe inspektim 24-orësh të pikave doganore dhe gjithashtu do të lehtësojmë procedurat”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se kjo iniciativë do të çojë në tërheqjen e investitorëve të huaj, në rregullimin e lejeve të punës mes vendeve që janë pjësë e iniciativës, duke përafruar rregulloret dhe rregullimin e tregut të punës.
“Është e rëndësishme për ne që jemi vende të vogla me pak banorë”, tha Vuçiq.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se bashkëpunimi i vendeve të rajonit do të ndikojë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, duke ua lehtësuar qarkullimin dhe do të ketë efekt në ngritjen ekonomike.
“Edhe në rastin e shqiptarëve, nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, po e them si një thirrje për ta, kjo gjë ka shumë përfitime dhe të gjithë ne duhet të bashkojmë forcat”, u shpreh Zaev duke thënë se ajo se çfarë janë duke bërë liderët e rajonit është “CEFTA plus”.
“Është diçka që mund ta bëjmë vetëm bashkë, dhe qytetarët tanë do ta ndjejnë këtë. Edhe partnerët evropianë do ta quajnë me rëndësi dhe me vlerë”, tha ai.
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm të thellimit të bashkëpunimit midis vendeve, kryesisht në fushën ekonomike dhe lëvizjen e lirë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u prit me protestë teksa arriti në Tiranë në pasditen e së premtes për të marrë pjesë në punimet e samitit që synon jetësimin e krijimit të “Mini-Shengenit” ballkanik.
Nën masa të shtuara të sigurisë, dhjetëra protestues iu bashkuan thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me ftesën që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka bërë presidentit Vuçiq dhe për të demonstruar planet për krijimin e një zone të përbashkët mes shteteve ballkanike që synon të bazohet mbi zonën Shengen të shteteve kryesore evropiane, e që mundëson lëvizjen e lirshme të njerëzve dhe mallrave.
Protestuesit mbanin me vete fotografi të masakrave gjatë luftës në Kosovë.
Edhe sot, eskortat e liderëve, u pritën me brohoritje nga dhjetëra protestues.
Takimi i ardhshëm i liderëve pritet të mbahet në fillim të muajit shkurt të vitit 2020 në Beograd.