E hënë, 11 Nëntor, 2024

Videomania dhe mitomania e Ilir Metës

Nga Mero Baze

Duket se videoja ka bërë histori në vetëdijen politike të Ilir Metës. Prej vitit 2011, kur një video e regjistruar nga ish ministri i tij, tronditi politikën shqiptare dhe opinionin publik, me sa duket Ilir Metës i është mbushur mendja se politika bëhet me video.

Dhe vitin e fundit, kur përballja e Metës me shumicën në pushtet ka shkuar në ekstrem, ai ka pasur si kërcënim të përhershëm “videon” si formë kundërpërgjigje.

Këtë e thoshte vetë, e thonin portalet e kontrolluara prej tij, gazetarë që janë simbol i tij në opinion publik, njerëz të partisë së tij, etj.

Kështu ndodhi dhe në përballjen e fundit me kryetarin e KED , gjyqtarin Adrian Dvorani, i cili është dhe një nga pesë gjyqtarët e videos së tij që ka dalë në pakicë kundër arsyetimit të trupës gjykuese. Dhe këtë tha që do ta sulmojë me video.

Dhe për ta bërë më relaksuese situatën, e ngjyrosi paralajmërimin dhe me video të tjera erotike për ambasadorë të Perëndimit, që i ka shpallur armiq dhe për fakte tronditëse për gjyqtarin.

Dje duke shkuar për në Prokurori, ai më në fund e nxori një video. Ishte një shpjegim sipas pikpamjes së tij i arsyeve pse po bllokohej Gjykata Kushtetuese, me titra dhe fakte të lexuara, siç bën zakonisht ndonjë portal, kur përton të ulet të shkruajë.

Në fakt kur shkon para prokurorit, duhet të çosh fakte, fakte penale, që të provojnë veprën penale, dhe jo video-montazh që shpalos pikëpamjet e tua. Ato duhen për në Skrapar.

Prokurorët kuptojnë mbi nivelin e elektoratit të LSI dhe nuk ka nevojë t’ua shpjegosh me video, pse KED është kundër tij. Të jesh kundër pikëpamjeve të Ilir Metës, në shumicën e rasteve është heroizëm dhe jo vepër penale.

Por në këtë rast ai nuk kishte as fakte penale, por pikëpamje të tij për interpretimin e Kushtetutës, që as nuk kishin logjikë ligjore.

Por përtej kësaj, videoja, është e rëndësishme të komunikosh me popullin e thjeshtë që nuk kupton nga ligjet dhe të bësh fushatë elektorale, por jo të bësh betejë ligjore.

Në prokurori shkohet me fakte, me analizë ligjore dhe me prova kundër të akuzuarit. Nëse i ke këto nuk pse i drejtohesh popullit me video, por prokurorisë me fakte.

Ose do t’i drejtohesh prokurorisë, ose popullit. Kur i drejtohesh popullit pasi del nga zyra e prokurorisë dhe pasi kërcënon se do ta mbrosh me gjak zyrën tënde , do të thotë që ke dështuar në prokurori, dhe nuk ke fakte për ta mbrojtur karrigen me ligj dhe Kushtetutë.

Në atë rrugë që është nisur Ilir Meta është i pambrojtshëm nga ligji dhe mund të mbrohet vetëm politikisht. Por jo në Presidencë. Kur të vijnë zgjedhjet, nëse do të jetë kandidat.

Shantazhi i djeshëm i Ilir Metës dhe videoja amatore që vlen si shpjegim për budallenjtë që nuk kuptojnë Ilir Metën, tregon se ai shpreson më shumë tek videoja e tij dhe “revolucioni popullor” në mbrojtje të tij, se sa tek prokuroria, të cilës i është drejtuar.

Fiksimi i tij se videoja të shpëton kur je në hall, duket se i ka mbetur nga fuqia e videos kundër tij në vitin 2011. Ajo pati vërtet shumë fuqi, se ishte e vërtetë. Po të ishte kështu me titra, nuk do kishte lëvizur njeri nga shtëpia.

Video-mania e Ilir Metës ndoshta buron nga tronditja që ai ka pësuar nga videot në politikë, por mitomania dhe deliri i tij, se populli do ngrihet pas këtyre videove me titra, duket më shumë si problem psiqik.

Të fundit