E hënë, 7 Tetor, 2024

SHQIPJA “TRAZON” SKENËN POLITIKE: ÇFARË DO TË SJELLIN VLERËSIMET E VENECIAS?

Vlerësimet e Komisionit të Venecias mbi ligjin e gjuhëve kanë krijuar përplasje në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Zv.kryeministri, Bujar Osmani është shprehur kundër ndryshimit të ligjit. Kryeministri Zaev ka bërë të ditur se rekomandimet do të respektohen, ndërkohë që Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa, kanë kërkuar zgjidhje kushtetuese për shqipen. VMRO-DPMNE ka kërkuar pezullim të ligjit dhe miratim të një ligji të ri në përputhje me kushtetutën. Ndërkohë është folur edhe për ndikime në disa formulime nga anëtarët e Maqedonisë së Veriut në Komisionin e Venecias.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Vlerësimet e Komisionit të Venecias edhe njëherë kanë trazuar skenën politike në Maqedoni. Rekomandimet tash për tash akoma jozyrtare për shtyrje të përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor kanë krijuar përplasje mes partnerëve të koalicionit LSDM-së dhe BDI-së. Ka reaguar ndërkohë edhe opozita maqedonase, e cila ka kërkuar që ligji i gjuhëve të pezullohet, ndërkohë që ka propozuar një ligj të ri që do të marrë për bazë kushtetutën dhe vërejtjet e Komisionit të Venecias. Po për gjuhën shqipe ka reaguar ndërkohë edhe opozita e bllokut politik shqiptar, e cila ka bërë thirrje për një nismë që gjuha shqipe të futet në kushtetutë.

Në valën e përplasjeve politike mbi ligjin e gjuhëve janë dhënë edhe sinjale për “ndikime” të anëtarëve nga Maqedonia në Komisionin e Venecias. Osmani në një konferencë për shtyp në më shumë drejtime ka theksuar se një pjesë e formulimeve në mendimin e Komisionit të Venecias janë të përfunduara, “nën presionin e anëtarëve nga Maqedonia e Veriut në këtë organ”. Profesoresha Tanja Karakamisheva, anëtare e Komisionit nga viti 2016, ndërkohë ka bërë thirrje publike kolegëve të saj nga bota akademike ta mbështesin iniciativën për rishikim të kushtetutshmërisë të Ligjit për gjuhët.

PËRPLASJE MES PARTNERËVE TË KOALICIONIT

Zv/kryeministri, Bujar Osmani, kategorikisht ka kundërshtuar çfarëdo qoftë ndryshim të Ligjit për gjuhët pa pajtueshmëri në mes BDI-së dhe LSDM-së dhe pa konsensus në Kuvend. Në të kundërtën, ka theksuar si, do të zhvendoset ekuilibri maqedono-shqiptar, i arritur përmes shumë sakrificave, për zbatim të plotë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Edhe pse në titullin e përmbledhjes së shkurtër Komisioni i Venecias “i bën thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut ta rishikojë ligjin e ri për gjuhët dhe ta hedhë poshtë dispozitën për dygjuhësi në procedurat gjyqësore”, Osmani është shprehur për sigurimin e burimeve për përkthim në gjuhën shqipe, në vend të ndryshimeve në tekstin e ligjit.

Apeli nga Komisioni i Venecias për Qeverinë në Shkup “që të rishikohet Ligji i ri për gjuhët dhe të hidhet poshtë dispozita për dygjuhësi në procedurat gjkyqësore”, siç shkruan në vetë titullin e përmbledhjes së ekspertëve juridikë në Këshillin e Evropës, sipas zv/kryeministrit Bujar Osmani në fakt është lënie e hapësirës që qeveria vetë të vlerësojë në qoftë se ka ose jo ngadalësim të punës në sistemin gjyqësor, edhe pse në përmbledhje shkruan se “kjo qasje mund të ngadalësojë funksionimin e sistemit gjyqësor në tërësi, duke rrezikuar shkeljen e të drejtës për gjykim – fer”.

“Komisioni i Venecias nuk thotë që të hidhet poshtë dygjuhësia në sistemin gjyqësor, thotë se ndoshta për momentin nuk ka kapacitete, kështu që qeveria, përkatësisht shteti të mendojë që përkohësisht ta prolongojë zbatimin, derisa të krijohen kapacitete ose të krijojë kapacitete. Të menduarit shëndetshëm është – të krijojmë kapacitete”, ka theksuar Osmani.

Sipas Osmanit, Komisioni i Venecias ka qëndrim pozitiv rreth çështjes së dygjuhësisë në uniformat e ushtrisë dhe të policisë, si dhe të parave në vend, për çka kryesisht u kërkua mendim nga ky organ. Ai ka theksuar se përveç kyçjes eventuale të kësaj pjese në nenin 8, nuk duhet të ketë ndryshime tjera në ligjin i cili tashmë është në fuqi. Në të kundërtën, ka theksuar Osmani, çdo përpjekje e njëanshme për zhvendosje të ekuilibrit në marrëdhëniet ndëretnike do të jetë në dëm të shtetit.

“Për shembull, a do t’i mbivotojnë gjykatësit kushtetues maqedonas ata shqiptarë, Ministria e Drejtësisë pa pëlqimin e tërë qeverisë, Kuvendi pa pëlqimin e bashkësive etnike, kushdoqoftë në vend, në qoftë se përpiqet që në çështjen më të ndjeshme të ketë qasje të njëanshme, e thyen boshtin që mban ekuilibrin e marrëdhënieve maqedono-shqiptare në vend. Çdo qasje duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, ka theksuar Osmani.

Një ditë më parë kryeministri Zoran Zaev kishte theksuar se do të zbatohen rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se ligji do të kthehej në kuvend për ndryshime. Ndërkohë, ministrja e Mbrojtjes, Radmila Sheqerinska ka theksuar se së pari do ta presin mendimin e plotë të Komisionit, që pritet të publikohet gjatë ditës së nesërme.

“Ligji është në fuqi që një kohë të gjatë, askush nuk paguajti dënim pse nuk e njeh gjuhën shqipe, siç na kritikonin, askush nuk është i detyruar të përdorë diçka që nuk e di ose nuk dëshiron ta përdorë, ashtu siç pohonin disa. Treguam se kjo çështje nuk është tabu, dhe se këtë çështje duam ta zgjidhim si shtet që ndërton një shoqëri për të gjithë. Me frymë të këtillë dhe argumente do ta shohim mendimin e Komisionit të Venecias dhe do të dalim me qëndrim të përbashkët. Nuk besojmë në ndryshimin e menjëhershëm të këtyre ligjeve të rëndësishme. Megjithatë besojmë se të gjithë partnerët në koalicion do ta respektojmë atë që e kemi marrë si obligim”, Radmilla Sheqerinska.

ASH, BESA DHE ALTERNATIVE, SHQIPJA TË RREGULLOHET ME KUSHTETUTË

Pas rekomandimit të Komisionit të Venecias që Ligji i përdorimit të Gjuhëve të rishqyrtohet pasi me avancimin e shqipes tejkalon standardet evropiane për gjuhët e pakicave, kanë reaguar edhe partitë opozitare të bllokut politik shqiptar. Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa me qëndrim unik: shqiptarët nuk janë minoritet dhe shqipja duhet të rirregullohet me kushtetutë. Aleanca për Shqiptarët ka vlerësuar se nga Komisioni i Venecias nuk duhej të kërkohej mendim për gjithë ligjin, por vetëm për dispozitat që rregullojnë përdorimin e shqipes në bankënota dhe në ushtri.

“Së pari nuk duhej të dërgohej aspak ligji, sepse është në pajtueshmëri me Kushtetutën e RMV-së, edhe pse Qeveria e dërgoi për të marrë rekomandim prej Komisionit të Venedikut, por duhej vetëm për dy çështje të dërgohen. Tani vijnë rekomandimet për përdorim të gjuhës së minoriteteve në bashkësinë evropiane që nuk është në rregull. Ne shqiptarët nuk jemi minoritet këtu, por jemi etni konstituive, mbi 25%. Si Aleancë për Shqiptarët insistojmë të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe jo gjuhë e 20%-shit”, ka theksuar Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Kreu i BESË-s ka vlerësuar se është reale që shqipja të rregullohet me kushtetutë dhe se do të angazhohet që t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare për ta realizuar këtë synim.

“Ka dy gjëra, njëra që pajtohemi me Komisionin e Venecias dhe e dyta që s’pajtohemi. Ajo që pajtohemi është se duhet të rishqyrtohet ligji dhe ne si Lëvizje Besa kërkojmë që partitë shqiptare është koha e fundit të ulen dhe në kuadër të Platformës së partive parlamentare shqiptare ta zgjidhin një herë dhe përgjithmonë problemin e gjuhës shqipe dhe gjuha shqipe të jetë me Kushtetutë gjuhë zyrtare. Dhe ajo që nuk pajtohemi me këtë raport është se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë minoritet, shqiptarët e Maqedonisë janë populli i dytë shumicë në këtë vend”, ka theksuar lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Për partinë Alternativa zgjidhja e problemit qëndron tek zgjidhjet kushtetuese që do të mbyllnin kontestet e brendshme.
“Ne e kemi thënë se gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar, porse vetëm është avancuar. Po ashtu e kemi thënë se zyrtarizimi i shqipes nuk bëhet me ligje që bëhen brenda natës dhe brenda dy partive, sepse pastaj dalin pasoja të këtilla. Ne mendojmë se në vendin tonë duhet të ridefinohet në thelb modeli i politikës gjuhësore, duke e prodhuar një shtet bilingual, që do të rregullohej edhe me Kushtetutë. Pastaj nuk do kishte kontestime nga askush”, kanë theksuar nga kjo parti.

VMRO-DPMNE: LIGJ I RI SIPAS KUSHTETUTËS DHE LIGJEVE

Nga VMRO-DPMNE kanë theksuar se që në fillim kanë kërkuar të miratohet ligj për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, sipas kushtetutës dhe ligjeve, por edhe me mendim paraprak nga ana e Komisionit të Venecias para se ai të hyjë në fuqi, që shteti të mos vijë në situatën në të cilën është sot.
“VMRO-DPMNE nuk është kundër të drejtave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por kjo t’i përmbahet dhe të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Do të thotë të mos jetë pjesë që do të vështirësojë jetën dhe funksionimin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE-ja kërkoi që të ulemi dhe të formulojmë ligj funksional për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka theksuar Naum Stoilkovski zëdhënës i VMRO-DPMNE-së. /KDP

Të fundit