E shtunë, 9 Nëntor, 2024

“Shqipja të rregullohet me kushtetutë”

Pas rekomandimit të Komisionit të Venecias që Ligji i përdorimit të Gjuhëve të rishqyrtohet pasi me avancimin e shqipes tejkalon standardet evropiane për gjuhët e pakicave, reagojnë partitë politike shqiptare. Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa me qëndrim unik: shqiptarët nuk janë minoritet dhe shqipja duhet të rirregullohet me Kushtetutë. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se nga Komisioni i Venecias nuk duhej të kërkohej mendim për gjithë ligjin, por vetëm për dispozitat që rregullojnë përdorimin e shqipes në bankënota dhe në ushtri.

Së pari nuk duhej të dërgohej aspak ligji, sepse është në pajtueshmëri me Kushtetutën e RMV-së, edhe pse Qeveria e dërgoi për të marrë rekomandim prej Komisionit të Venedikut, por duhej vetëm për dy çështje të dërgohen. Tani vijnë rekomandimet për përdorim të gjuhës së minoriteteve në bashkësinë evropiane që nuk është në rregull. Ne shqiptarët nuk jemi minoritet këtu, por jemi etni konstituive, mbi 25%. Si Aleancë për Shqiptarët insistojmë të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe jo gjuhë e 20%-shit- deklaroi SArben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Ndërsa Lëvizja konstaton nuk duhet të krijohet përshtypja se Ligji i gjuhëve u jep shqiptarëve diçka më shumë se sa u takon. Kreu i BESË-s vlerëson se është reale që shqipja të rregullohet me Kushtetutë dhe se do të angazhohet që t’i bashkojë të gjitha partitë shqiptare për ta realizuar këtë synim.

Ka dy gjëra, njëra që pajtohemi me Komisionin e Venecias dhe e dyta që s’pajtohemi. Ajo që pajtohemi është se duhet të rishqyrtohet ligji dhe ne si Lëvizje Besa kërkojmë që partitë shqiptare është koha e fundit të ulen dhe në kuadër të Platformës së partive parlamentare shqiptare ta zgjidhin një herë dhe përgjithmonë problemin e gjuhës shqipe dhe gjuha shqipe të jetë me Kushtetutë gjuhë zyrtare.  Dhe ajo që nuk pajtohemi me këtë raport është se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë minoritet, shqiptarët e Maqedonisë janë populli i dytë shumicë në këtë vend- tha Bilall Kasami, Lëvizja Besa .

Për partinë Alternativa zgjidhja e problemit qëndron tek zgjidhjet kushtetuese që do të mbyllnin kontestet e brendshme.

Alternativa
“Ne e kemi thënë se gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar, porse vetëm është avancuar. Po ashtu e kemi thënë se zyrtarizimi i shqipes nuk bëhet me ligje që bëhen brenda natës dhe brenda dy partive, sepse pastaj dalin pasoja të këtilla. Ne mendojmë se në vendin tonë duhet të ridefinohet në thelb modeli i politikës gjuhësore, duke e prodhuar një shtet bilingual, që do të rregullohej edhe me Kushtetutë. Pastaj nuk do kishte kontestime nga askush”

Komisioni i Venecias pasi e shqyrtoi në tërësi Ligjin e gjuhëve ndër tjerash rekomandoi që të hiqet dorë nga dygjuhësia në seancat gjyqësore dhe komunikimi institucional të kufizohet vetëm në formën e shkruar./Alsat-m

Të fundit