E premte, 4 Tetor, 2024

SHTATË DEFINICIONE PËR KOMBIN

Shkruan: Xhelal Neziri 

Kur ministrja shqiptare Olta Xhaçka kishte tubuar para ca ditësh njësitet e kërkim-shpëtimit nga vendet e ndryshme për t’i falenderuar për kontributin e tyre, ajo nuk kishte vënë edhe flamurin e Kosovës në mesin e flamujve të shteteve që ndihmuan Shqipërinë pas tërmetit. Kjo ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë, duke e akuzuar atë për “urrejtje patologjike ndaj Kosovës”.

Plasën edhe debatet në Facebook. “Ku është flamuri i jonë (Kosovës)?”, pyet një qytetar i Kosovës. “Aty është, nuk e sheh”, ia kthen tjetri duke aluduar te flamuri etnik dhe i shtetit shqiptar.

Një periudhë të gjatë kemi një kaos identitar që shkaktojnë simbolet dhe nocionet e përdorur kuturu e me kokëfortësi në sferën publike. Assesi nuk arrihet të bëhet dallimi midis “kombit” si një konstrukt shtetëror apo kushtetues, dhe “etnisë” si prodhim i kulturës. Përveç se gabohet në përkufizime, më e keqja është se pjesa më e madhe as që janë të vetëdijshëm për gabimin e tyre. Së këndejmi, i gozhdojnë me akuza edhe ata pak pjesëmarrës në sferën publike që marrin guximin t’i sqarojnë këto nocione.

Para se të merret pjesë në debatin për kombin kosovar apo shqiptar, duhet të kihen parasysh rrethanat dhe qëllimet e lindjes së kombeve. Kombet filluan të shfaqen pas Revolucionit Francez të 1879, kur pronësia e shtetit nga kisha dhe mbretëria kaloi te të gjithë shtetasit. Deri atëherë ideologjia fetare i kishte mbajtur unik të gjithë shoqërinë me dallime të shumta, kurse familja mbretërore ishte imponuar si autoritet i pakontestueshëm në drejtimin e monarkisë.

Me krijimin e shteteve moderne kisha humbi rolin e saj në sferën publike, kurse mbretëria u zhvesh nga pushteti. Me këtë u rrezikua edhe uniteti i shoqërive me diversitete klasore, gjeografike, etnike apo racore, të cilat i përbashkonte kisha e njëjtë në të cilën shkonin dhe mbretëria nga e cila qeveriseshin. Për të zëvendësuar ideologjinë fetare ose monarkinë të mbajtur nga njerëz të ndryshëm, kombi promovohet si një familje e përbërë nga të gjithë ata që kanë nënshtetësinë e një shteti të njëjtë.

Shumë autorë të teorive identitare kanë definuar qartë se çfarë do të thotë kombi dhe pse ndërtohet, por unë më poshtë do të sjellë shtatë prej tyre:

1. Anderson thotë se kombi është një bashkësi e konstruktuar (ndërtuar) shoqërore, e imagjinuar nga njerëzit që të perceptojnë veten si pjesë e këtij grupi (shteti).

2. Gellner thotë se kombi është prodhim i shtetit për t’i mbajtur unik shtetasit. Sipas tij, kombet janë rezultat i presioneve të krijuara nga kërkesat e revolucionit industrial. Gellner thotë se sapo njerëzit me prejardhje shumë të ndryshme filluan të zhvendosen në qytete, ishte e nevojshme të krijohej një formë e identitetit të përbashkët për ta.

3. Sipas Eriksen, etniteti tregon identitetin etnik të personit, mbi bazën e atributeve të prejardhjes dhe trashëgimisë kulturore. Nga ana tjetër, ai thotë se kombësia është anëtarësimi i personit në komb, i cili zbulon marrëdhëniet e individit me shtetin.

4. Smith thotë se kombi është një grup njerëzish i emëruar, që ndan një territor historik, një ekonomi të përbashkët dhe të drejta dhe detyra të përbashkëta juridike për të gjithë anëtarët. Nacionalizmi është një lëvizje ideologjike për arritjen dhe ruajtjen e autonomisë, unitetit dhe identitetit në emër të një popullsie që konsiderohet se përbën një “komb” aktual ose të mundshëm.

5. Poggi vlerëson se shteti modern paraqet një realitet historik, të ndërtuar qëllimisht për të shërbyer si një makinë funksionale specifike. Sipas tij, për të bërë që njerëzit të jenë më afër shtetit, ta duan dhe të vdesin në mbrojtje të shtetit, ndërtohet identiteti kombëtar.

6. Kombi, sipas Giddens, është si një kornizë me hapësirë kufizuar. Ai thotë se një komb ekziston vetëm kur një shtet ka një shtrirje të unifikuar administrative mbi territorin mbi të cilin pretendohet sovraniteti i tij.

7. Greenfeld thotë se identiteti si vetë-perceptim, ekziston ose jo, nuk mund të jetë në gjumë dhe pastaj të zgjohet. Identiteti, sipas saj, është vetë-përcaktim që përcakton pozicionin e një personi në botën e tij shoqërore dhe mbart brenda vetes pritjet e personit nga rrethi shoqëror, dhe në këtë mënyrë nxit veprimin e tij ose të saj. Ndërsa thelbi i njerëzve, sipas Greenfeld, është përcaktuar nga identitete të ndryshme gjatë historisë dhe në shoqëri të ndryshme si feja, etnia, pasuria ose kasta, është identiteti kombëtar që përcakton thelbin e njerëzve në botën moderne dhe, pra, është “më i fuqishmi”.

E tash kush janë shqiptarët etnikë? Ata janë njëlloj si gjermanët etnikë që kanë një shtet tjetër me emrin Austri dhe një hise në shtetin me emrin Zvicër. Një etni që shtrihet në tre kombe: gjerman, austriak dhe zviceran. Një gjuhë gjermane, si shtyllë kryesore e identitetit etnik, që është zyrtare në tri shtete, të cilat kanë ndërtuar identitete të ndryshme. Austriaku dhe zvicerani gjermanishtfolës është poaq gjerman etnik sa edhe gjermani si shtetas i Gjermanisë.

A ka tentuar dikush të krijojë Gjermaninë etnike të bashkuar? Po. Ka qenë Otto von Bismark i cili në shekullin e nëntëmbëdhjetë i bashkoi provincat e Prusisë në një shtet që u quajt Gjermani, ku ai ishte kancelar i parë tij. Në momentin e fundit Austria e refuzoi këtë bashkim pasi, për dallim nga Gjermania etnike, ishte një perandori multietnike. Të njëjtën gjë e bënë edhe gjermanët e Zvicrës me arsyetimin se “më mirë faktorë në federatën e vogël helene sesa periferi dhe të parëndësishëm në Gjermaninë e madhe”.

Ka shumë faktorë politik që sot manipulojnë me projekte të bashkimit në shtete etnike. Me këtë rast bëhet refuzimi i kombit – si ideologji përbashkuese e ndërtuar nga shteti modern sekular dhe funksional – gjë që mund të interpretohet si lënie hapësirë për kthimin e ideologjisë religjioze si identitet unifikues. /KDP

Të fundit