E diel, 13 Tetor, 2024

Lista e votuesve, e papërditësuar dhe me shumë pikëpyetje

Pastrimi i listës së votuesve në Maqedoninë e Veriut mbetet sfidë për kredibilitetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në momentin që një çerek e popullatës nuk është në vend, e në listën e zgjedhjeve figurojnë persona që nuk jetojnë më si dhe persona nga Liqenasi (Pusteci) i Shqipërisë dhe personat që nuk jetojnë më, theksojnë njohësit e çështjeve politike.

Por, nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se lista zgjedhore është e pastër aq sa është e mundur, përkatësisht aq sa lejon rregullativa ligjore.

“Për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, lista është e pastër në përqindje aq sa këtë e lejon situata, për shkak se (përpilimi i saj) është një proces i vazhdueshëm. Në listën zgjedhore gjenden të gjithë qytetarët që kanë shtetësinë e shtetit dhe janë të rritur, më të vjetër se 18 vjeç, çka do të thotë se secili që ka marrë letërnjoftimin ose pasaportën e shtetit tonë, gjendet në listën zgjedhore”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Ai ka sqaruar se KSHZ-ja nuk hyn në detaje se kush dhe si janë marrë dokumentet e identifikimit, duke theksuar se kjo nuk është kompetencë e tyre por është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Po qe se ka qytetarë të tillë që gjenden në listën zgjedhore, do të duhet që në një procedurë po të tillë për ta hequr të drejtën e posedimit të dokumentit personal, të letërnjoftimit, të kryhet dhe të merret (e drejta për ta pasur një dokument të tillë). Në atë rast, atëherë ata do të hiqen nga Lista zgjedhore. Gjithnjë derisa nuk është ashtu, ata janë në listën zgjedhore”, ka sqaruar ai.

Megjithatë, sipas tij, kjo situatë nuk është me përmasa të tilla drastike, të cilat mund t’i shkaktojnë çfarëdo lloj dëmi procesit zgjedhor.

Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se çështja me votuesit nga Liqenasi (Pusteci), është zgjidhur dhe se vendbanimet fiktive të këtyre qytetarëve janë anuluar nga të dhënat e regjistrit të dikasterit të policisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar një proces për anulimin e vendbanimeve dhe letrave të njoftimit në evidencën e dikasterit të policisë dhe të njëjtit tani nuk mund të paraqiten në listën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Por, nga KSHZ-ja thonë se këta persona ende mund të figurojnë në listën zgjedhore.

“Është e mundur të jenë ende, përkatësisht mbase janë ende – gjithnjë derisa kanë letërnjoftim dhe pasaportë”, ka shtuar Derkovski.

Ndryshe bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të personave nga Liqenasi i Shqipërisë, të cilët ministrja e Punëve të Brendshme në zgjedhjet lokale të vitit 2013, i pajisi me karta identiteti dhe me këtë, ata fituan të drejtën për të votuar.

Për këtë, Prokuroria Speciale Publike ka ngritur proces gjyqësor për shtatë persona për falsifikim të dokumentacionit zyrtar, në mesin e të cilëve është dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ish-ministri i Transportit të Lidhjeve, Mile Janaievski, dhe ish-kryetari i Liqenasit, Edmond Temellko.

Në bazë të akuzës, të dyshuarit kanë dhënë karta të identitetit në mënyrë të paligjshme për të votuar në favor të kandidatit të partisë që atë kohë ishte në pushtet, VMRO DPMNE-së.

“Disa persona janë fotografuar në një qytet, e letrat e njoftimit i kanë marrë në një qytet tjetër, përkatësisht në Komunën Qendër të Shkupit. Kuptohet ata figurojnë në listën zgjedhore si votues në këtë komunë. Janë regjistruar 15 mijë numra amë të rinj, të cilët nuk janë foshnje të porsalindur. Janë përgatitur 35 mijë karta të reja të identifikimit, të cilat nuk janë ngritur nga kërkuesit dhe askush nuk di të thotë se pse këto karta identiteti akoma po qëndrojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme?! Ka mbi 60 mijë shtetas të rinj të Maqedonisë”, kishte sqaruar prokuroja Fatime Fetahi me rastin e ngritjes së aktakuzës.

Ekspertët thonë se përderisa nuk realizohet procesi i regjistrimit të popullsisë, nuk mund të jepen garanci për një listë të pastër zgjedhore.

Subhi Jakupi, ish-anëtar i KSHZ-së thotë se me vendimin që lista zgjedhore të pastrohet përmes kryqëzimit, ka dhënë rezultate, por shton ai, institucionet duhet të jenë më aktive në punën e tyre

“Ajo (azhurnimi/përditësimi i listës zgjedhore) është një proces i gjallë që gjithmonë duhet të kontrollohet. Ngelet në kompetencë të KSHZ-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që të bëjnë më të mirën e mundshme përkatësisht të japin informata në çdo tre muaj që e kanë dhe si obligim ligjor që të njoftohen me situatën e listës zgjedhore që ajo të arrijë të ketë një besueshmëri më të madhe nga votuesit”, thotë Jakupi.

Lista zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, krahas nxitjes së përplasjeve mes partive politike, ka qenë edhe lëndë diskutimi edhe nga faktori ndërkombëtar për shkak të anomalive të shumta, duke vënë theksin në figurimin e një numri të lartë të votuesve krahasuar me numrin e përgjithshëm të banorëve në shtet.

Të fundit