Nga Ben Andoni
Tërmeti i 26 Nëntorit nuk është vetëm se ka shkaktuar një dëm të pallogaritshëm në jetë njerëzish porse ka shkundur realisht psikën e një kombi të tërë. Jo se shpesh nuk i jemi drejtuar vetes për gabimet tona, për mësimet nga ato, porse si shqiptarë nuk kemi reaguar. Kemi vazhduar të ndërtojmë dhe atje ku nuk mundej/shim; kemi marrë masa gjysmake për emergjencën tonë; mbetemi kaotikë në organizim; e kemi përçudnuar natyrën etj.
Por, të gjitha këto janë të kuptueshme në këtë moment kaosi. I pakuptueshëm është fakti që politika ka filluar punë. Opozita po funksionon si trup më vete dhe bën konferenca në kampin e saj, presidenti nuk respektohet nga maxhoranca dhe e kanë lënë vetmitar në përsiatjet e tij, maxhoranca vazhdon të mos pranojë asgjë dhe funksionon krejt vetë.
Ndërkohë duket e arsyeshme fakti që kryeministri Rama u është drejtuar ndërtuesve të qytetit të Durrrësit, me fjalën që duhet të riparojnë godinat e tyre, kurse një pjesë e këtyre të fundit, të mbledhur nga tmerri i realitetit dhe i asaj që krijuan, thjesht kanë dëgjuar pa dhënë asnjë përgjigje. Tek e fundit, çfarë mund të thonë!
Shqipëria ka të ngjarë që pas këtij momenti natyror të rrallë, t’i shmanget disi informalitetit dhe asaj që ka bërë deri më 26 Nëntor. Qeveritë e paskëtajme u duhet të bëjnë plane buxheti më realiste dhe pak larg atyre paradokseve që i shoqërojnë deri më tani.
Politikës i duhet të mos shkaktojë më beteja false, si ajo e Negociatave, pasi lufta e vërtetë është që të bëhet me pasojat e tërmetit. Dhe, përvoja e vendeve qoftë edhe me zhvillim dy-shifror krahasuar me Shqipërinë ka treguar se një mandat nuk mjafton. Kushdo që të vijë do ketë një përballje jo-normale. Sfida është që të lehtësohet dhimbja e këtyre njerëzve por më shumë se kaq premtimi se ata do të kenë një çati mbi koka, në pak javët në vazhdim. Ata që do të vinë më pas nuk do luftojnë me numrat e turizmit, por me përpjekjen për stabilizimin e ekonomisë dhe gjetjen e burimeve të mjaftueshme investuese për të stimuluar zhvillimin e vendit dhe kthimin në një normalitet.
Media do të duhet t’i kthehet edhe më shumë komponentit të dytë të saj, atij edukues dhe qetësues për njerëzit, një fakt që në ditët e fundit megjithë punën e jashtëzakonshme çaloi jo pak. Mania e klikimit dhe konkurrencës mbyti jo pak herë qëllimin e mirë të informimit real.
Ne nuk do të gënjejmë dhe do shtiremi dot si më parë sepse tërmeti na hoqi shumë maska. Mbi të gjitha, atë të zhvillimit fals dhe progresit tonë që njeh vetëm përparësi në kurbën rritëse. Ne jemi këta që jemi, me mangësi të pafundme dhe me shpresën se do të mund të ringrehimi, por fillimisht mbi veten tonë dhe modelet tona të deritanishme të zhvillimit. E sido që të jetë, Shqipëria nuk do të jetë më si më parë. (Javanews)