E premte, 26 Korrik, 2024

ZIGZAG: DRITHËRIMA TËRMETI

Po, u trand toka e bëri kërdi: Dhjetëra viktima, qindra të lënduar, dëme materiale që ndërkohë pritet të përllogariten…Dridhërimat e së martës së 26 nëntorit shpërfaqën solidarësinë kombëtare e ndërkombëtare për shqiptarët në përçapje për të zbutur dhembjen. Ama i nxorën bojën edhe mendësisë sonë, për mungesë hyqymeti, të bëjmë shpejt, lire e mire, pa çka se vjen një ditë e bëhemi pishman…

Autor: Seladin Xhezairi

1.Mbaj mend, si sot: para rreth dy dekadash, në Zigzagun e BBC-së në shqip, pata trajtuar çështje që lidhen me turizmin në rajon, me theks të veçantë atë në hapësirat shqiptare. Në debatin e zhvilluar, mbajë mend, si sot, kryetari i atëhershëm i komunës së Ulqinit, pa të keq, në linjë telefonike, i sugjeroi mysafirit tim në studion në Londër, një zyrtari të lartë nga Tirana, që të mbahej llogari për ndërtimet, për betonin që derdhej në anëdetin shqiptar, për ndërtimet pa plan, se, tha ai, mbajë mend si sot, vjen një ditë e do të bëheni pishman! Pas emisionit, teksa ngjiteshim për në zyrë, zyrtari i lartë nga Tirana, pa një pa dy, e nxori nëpër dhëmbë: ‘Ky malazezi po më fliste tamam si Doktori’!

Mbaj mend, si sot!

Dhe, tërmeti i së martës së zezë sikur i dha vulë këtij tranzicionit tonë që, me hapa të breshkës, kurrsesi të tejkalohet. Gjithçka vërtitet tek ajo e njohura: ‘Me karar se të bën zarar’! Ngrehinat pa plan u shembën si kulla prej letrash dhe, shpërfaqën mungesën e shtetit, shpërfaqën mosrespektimin e ligjit, duke hapur debatin që, miku im i ndjerë Abdurrahman Aliti e thoshte shumë mirë, shkurt e shqip, troç: ‘Problemi tek ne është se nuk i gjejmë punës njeri, por njeriut punë’! Dhe kjo, jo vetëm në Shqipëri, edhe këtu, edhe gjithandej!

Në gjithë këtë mozaik të zymtë, në këtë moment reflektimi, për politikëbërësit, për ata që me hallkat e veta e bëjnë zinxhirin e cilësisë së ndërtimeve, ama edhe për ne që duam të bëjmë pallate, siç e thash, lirë e mirë, u përsërit ajo ndjenja e fuqishme e solidarësisë, kombëtare e ndërkombëtare. Gjithë kjo e thënë aq bukur nga politikani Vittorio Sgarbi, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’: ‘Një fjalë e urtë thotë: Supet e maleve dhe supet e shqiptarëve nuk janë kërrusur kurrë.Pra, një shqiptar mund ta përkulësh vetëm kur të përkulësh një mal. Jam pranë popullit shqiptar’- shkroi Sgarbi.

2.Në vorbullin e debateve për (keq)menaxhimin e kësaj që ndodhi, po e përfshij edhe një lajm që sapo e lexova: Agron Tufa, Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKPK) ka kërkuar azil politik në Zvicër, për shkak të kërcënimeve që ka marrë. Exit News ka konfirmuar njoftimin. Zoti Tufa, por edhe avokati I tij, këtë fundvit ishin në shënjestër të sulmeve pikërisht për shkak të punës së Institutit: Në shtator të 2019, një person i panjohur kërcënoi Zotin Tufa dhe avokatin e tij Kujtim Cakrani përmes një mesazhi në Facebook, ku ndër të tjera i kanosej: ’Ju dhe familjarët tuaj ballistë e fashistë nuk do keni vend më tek ne, se e shkruat vetë fundin tuaj. Si dolët avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do t’ju heqim dhe ne avash të mëdhenj e të vegjël, se ka qenë gabim i madh që për ju pati mëshirë. Të gjithëve gropa ju pret!’.

Ec e thuaj, ec e shto diçka më shumë!

3.Ky Kryeministri ynë, në Maqedoninë e Veriut, më në fund, pas dy vjet e gjysmë në pushtet, na e pranoi se shtetin e kemi ‘të kapur’! E pranoi atë që e pati thënë Komisioni Evropian qysh para zgjedhjeve të fundit parlamentare që e bënë ndryshimin – me votën shqiptare. E tha duke kruar dregëzën aty ku dhemb më së shumti: gjyqësorin me të gjitha ‘asetet’ që e shoqërojnë – gjykatës e prokurorë, jo dosido, por në ofiqe të larta. Për ta duartrokitur do të ishte, për ta besuar, po se po, sikur të mos na i kishte caktuar zgjedhjet për më 12 prill, sikur të mos kishim pasur ‘falje selektive’, sikur…

Nejse, të mos e teproj e gaboj: Të presim, të shohim, se fjalët i merr era e punët mbesin!

Të fundit