E martë, 10 Dhjetor, 2024

Nis procesi gjyqësor ndaj ish-kryeprokurores Janeva

Në gjykatën Penale të Shkupit ka filluar procesi gjyqësor i njohur si “Reket”, ndaj ish-kryeprokurores speciale, Katica Janeva, që akuzohet për “marrje parash në mënyrë të jashtëligjshme” dhe “shpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Janeva akuzohet se ka marrë 50 mijë euro dhe mobilie në blerë prej 5 mijë eurosh. Ndërkaq, Boja Jovanovski i njohur si “Boki 13” dhe Zoran Milevski, i njohur si “Zoki Kiçeec” akuzohen për për “marrje shpërblim të jashtëligjshëm” në vlerë prej në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro nga biznesmeni Jordan (Orce) Kamçev, si kundërshpërblim për të ndikuar te kryeprokurorja speciale që të krijojë rrethana lehtësuese për të shpëtuar nga akuza “për larje parash” në rastin e njohur si “Perandoria”.

Para gjykatës, ish-kryeprokurorja, Janeva ka theksuar se ka punuar sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale.

“Jam krenare për Prokurorinë Speciale dhe ekipin e Speciales dhe rezultat e arritura. Nuk e kam shkelur ligjin. Unë, si ish-shefe e Prokurorisë Speciale Publike dhe familja ime kemi qenë në rrezik tërë kohën gjatë katër vjetëve të fundit. Vazhdoj të ec me kokën lartë sepse kam kontribuar shumë në luftën kundër krimit”, është shprehur Janeva.

Ndërkaq Bojan Jovanovski para gjykatës është shprehur se ndaj tij po “zhvillohen lojëra të ndyra politike”.

Por, prokurorja e krimeve të rënda, Vilma Ruskovska pas seancës së parë gjyqësore ka theksuar se ish-kryeprokurorja Janeva, me veprimet e saja i ka dhënë një goditje të fortë sistemit të drejtësisë.

“Prokuroria do të dëshmojë se kryeprokurorja speciale, Katica Janeva veprën e ka bërë nga grykësia, dhe për këtë do të prezantojmë dëshmi të shumta. Me këtëkryeprokurorja nuk e ka turpëruar vetëm veten e saj dhe nuk e ka keqpërdorë vetëm funksionin kryeprokurores së Prokurorisë Speciale Publike, por e ka tradhtuar dhe besimin e qytetarëve”, ka theksuar Ruskovska.

Sipas akuzës, tre të akuzuarit, Bojan Jovanovski, Zoran Milevski dhe Katica Janeva, kanë zhvatur 1,5 milion euro nga biznesmeni Jordan Kamçev, për ta shpëtuar nga akuza që ia kishte ngritur Prokuroria Speciale, për rastin e njohur si “Perandoria”, e që ka të bëjë me shpëlarje të parave.

Pas seancës së parë gjyqësore, avokatët kanë thënë se ky do të jetë një proces i vështirë gjyqësor dhe kanë kërkuar që ndaj klientëve të tyre të mos u bëhet “linç” publik, para se gjykata të marrë vendim.

Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë pretendimet se të akuzuarit kanë marrë 1,5 milion euro nga biznesmeni Kamçev.

“Ku kanë përfunduar paratë. Ne, respektivisht Boki 13 nuk pohon se ka marrë para… Gjatë ndërtimit të mbrojtjes, askund nuk themi se klienti im ka marrë para”, u shpreh avokati i Bojan Jovanovskit, Sasho Dukovski.

Ndërkaq, Irena Frçkoska, avokate e ish-kryeprokurores Janeva, ka theksuar se për gjërat që ngarkohet klientja e saj, ka qenë pjesë e kompetencave të punës së saj në krye të Speciales.

Gjatë seancës, biznesmeni Jordan Kamçev, përmes avokatëve të tij, ka kërkuar nga tre të akuzuarit dëmshpërblim në vlerë prej 1,5 milion eurosh.

Ish-kryeprokurorja Katica Janeva është sjell në gjykatën e Shkupit nga policët, pasi ajo ndodhet në arrest shtëpiak. Edhe ndaj Zoran Milevskit është aplikuar masa e arrestit shtëpiak, ndërkaq, Bojan Jovanovski është sjell në gjykatë nga burgu.

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, lidhur me këtë rast, kanë deklaruar se të gjithë qytetarët janë të barabartë para drejtësisë. Ndërkaq, opozita ka theksuar se rasti “Reket” pasqyron se si institucioni i Prokurorisë Speciale ka funksionuar, siç janë shprehur ata, si “dorë e zgjatur” e kryeministrit, Zoran Zaev, për të “reketuar” oponentët e tij politikë.

Të fundit