E diel, 3 Nëntor, 2024

Loja e të dërguarve, a po e marrin BE-ja dhe SHBA-ja më seriozisht Ballkanin Perëndimor?

Kohët e fundit ka pasur një rritje të numrit të të dërguarve specialë, ose të përfaqësuesve specialë për Ballkanin Perëndimor, menjëherë pasi aktorët perëndimorë caktuan, ose njoftuan, caktimin e disa zyrtarëve të tillë.

Por ndërsa disa argumentojnë se këto veprime janë të mirëpritura dhe se ato tregojnë një përkushtim më serioz të BE-së dhe ShBA-së ndaj rajonit të Ballkanit, të tjerë shprehen se arsyet e caktimit të këtyre pozicioneve nuk janë plotësisht të qarta dhe po aq i paqartë është edhe efekti i emërimeve në fjalë.

Së pari ishte Matthew Palmer, zv.ndihmëssekretari i Shtetit i SHBA-së, i cili u caktua nga Departamenti i Shtetit si përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Pastaj gjatë verës, të shumta ishin argumentimet që çuan në ngritjen e pyetjes, se nëse edhe BE-ja duhet të kishte gjithashtu të dërguarin e saj special për këtë rajon.

Rezultoi se SHBA-ja nuk do të ketë vetëm një të dërguar special, pasi Richard Grenell, ambasadori aktual i SHBA-së në Gjermani, u emërua si “i dërguari special për Serbinë dhe negociatat e paqes me Kosovën” nga presidenti Donald Trump. Koha në të cilën po bëhen këto emërime, duket më se e përshtatshme.

Komisioni i ri Europian do të nisë zyrtarisht punën në fund të këtij viti, dhe pyetjet që po ngrihen mbi të ardhmen e zgjerimit të BE-së janë shumë serioze, mbi të gjitha, duke marrë në konsideratë mungesën e konsensusit midis shteteve anëtare për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Për më tepër, pasi qeveria e re në Kosovë do të fillojë punën pas fitores së opozitës në zgjedhjet e fundit, pritet që të rifillojë edhe procesi i normalizimit pas një pushimi njëvjeçar, pasi Kosova vendosi tarifa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja – Hercegovina.
Gjithsesi pyetjet që ngrihen janë të shumta dhe secila prej tyre ka nevojë për përgjigje. Së pari, pse SHBA-ja duhet të caktojë një tjetër të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, kur i dërguari i parë special për të gjithë rajonin u emërua vetëm një muaj më parë?
Së dyti, a duhet të presim ne dërgimin e një përfaqësuesi special edhe nga Europa? Dhe së treti, a vërtetojnë këto emërime një angazhim më serioz ndaj Ballkanit Perëndimor?

 

Pse u duhen Shteteve të Bashkuara të Amerikës dy të dërguar specialë?

Emërimi i Matthew Palmer, zv.ndihmëssekretar i Shtetit i SHBA, si një përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, u pa nga shumë si dëshmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani janë të vendosura për të filluar dialogun Beograd-Prishtinë.

Si një diplomat me përvojë dhe me lidhje profesionale dhe personale me rajonin, Matthew Palmer ishte zgjedhja më e mirë e mundshme për një pozicion të tillë. Sidoqoftë, z. Palmer nuk hoqi dorë nga pozicioni si zv.ndihmëssekretar i Shtetit i SHBA-së, gjë që shkaktoi edhe shqetësime në rajon, sepse nuk u kuptua plotësisht marrja e vendimit në fjalë, përse duhej të zgjidhej pikërisht ai edhe për pozicionin e përfaqësuesit special për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqetësimet u shtuan kur Richard Grenell, ambasadori aktual i SHBA-së në Gjermani, u emërua si i dërguari i special i Presidentit Donald Trump për negociatat e paqes Serbi-Kosovë. Jo vetëm që z. Grenell i mungon përvoja në drejtim të çështjeve të rajonit dhe sidomos në drejtim të dialogut Beograd-Prishtinë, por ai ka qenë një prej figurave që ka ndikuar në tensionimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve, duke deklaruar se ai mbështet plotësisht ekstremin e djathtë në Europë.

 

Josep Borrell

Pse i duhet BE-së një i dërguar special?

Pas publikimit të emërimit të z. Palmer si i dërguar special i SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, të shumta ishin diskutimet që u ndezën në fund të gushtit në Bashkimin Europian, se edhe ky i fundit duhet të merrte shembull Amerikën dhe të dërgonte në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesin special, ose të paktën në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë, i cili nuk ka bërë asnjë përparim që prej shumë kohësh.

Diskutimet në lidhje me përfitimet e emërimit të një për përfaqësuesi special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ishin të shumta që në fillim, po ato u shtuan kur personi që u zgjodh në këtë pozicion ishte ministri i Jashtëm Spanjoll, Josep Borrell. Duke qenë se z. Borrell ishte pjesë e një prej pesë shteteve të BE-së të cilat nuk e njohën pavarësinë e Kosovës, emërimi i tij në këtë pozicion u konsiderua si më i gabuari për të çuar përpara dialogun Kosovë-Serbi.

Sidoqoftë, këta të dërguar specialë nuk do të jenë të vetmit që do të merren me çështjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse do të ketë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të BE-së. Këtu mund të përmendim Komisionerin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, pozicioni i mbajtur më parë nga Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, në të cilin ishte më parë Johannes Hahn.

Parlamenti Europian emëron përfaqësues të përhershëm për shtete të veçanta, si dhe anëtarë të Komisioneve Parlamentare të Stabilizim-Asocimit për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, pyetja që u shtrua që në fillim dhe që ngrihet sërish në këtë pikë, është se përse i duhet BE-së një përfaqësues i veçantë për këtë rajon?

Mungesa e vendimit për hapjen e negociatave të pranimit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, vuri në dyshim besueshmërinë e procesit të pranimit të BE-së dhe angazhimin e shteteve anëtare drejt zgjerimit. Kjo bie ndesh me mesazhin e dërguar nga Komisioni i ri Europian dhe me logjikën e emërimit të të dërguarve specialë nga SHBA-ja dhe BE-ja. Në fakt, si përfaqësuesit amerikanë, ashtu edhe përfaqësuesit e KE-së, e kanë etiketuar këtë vendim si një “gabim historik” dhe u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të rishikojnë vendimin e tyre dhe të tërë qasjen e tyre të paqartë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Nëse ka ndonjë përçarje të mirëfilltë midis shteteve anëtare, apo midis tyre dhe Komisionit, mbetet për t’u parë. Kristof Bender, zv.kryetar i Iniciativës Europiane të Stabilitetit, beson se një qasje e re është urgjentisht e nevojshme, por është edhe shumë e rëndësishme që të jenë të qarta edhe motivimet që fshihen pas një emërimi të tillë.

Ky artikull u botua fillimisht në portalin European Western Balkans.

Të fundit