E shtunë, 12 Tetor, 2024

NËNTORI I ZI DHE HUMANIZMI

“Reality show” i politikanëve duket një problem tjetër që flet për mentalitetin makiavelist kur bëhet fjalë për fitimin e zgjedhjeve të rradhës. Është në rregull dhe e obligueshme që përfaqësuesit politikë të jenë me njerëzit në nevojë në këto raste, por jo “live” në mediat partiake që edhe në këtë tragjedi çojnë përpara agjenda të liderëve politikë.

 

Shkruan: Xhelal Neziri 

 

Nëntori është muaj festiv për shqiptarët etnikë anembanë globit për dy arsye: më 22 nëntor të vitit 1908 u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe që përbashkon këtë etni, kurse më 28 nëntor të vitit 1912 u përcaktua flamuri etnik i shqiptarëve dhe u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. Gjithashtu, e premtja e fundit e nëntorit njihet si “e zezë” pasi dyqanet në shumë vende të botës bëjnë ulje të mëdha të çmimeve me qëllim të pastrimit të mallit.

Ky nëntor festiv e i “së premtes së zezë” në fakt u shndërrua në një “nëntor të zi” për Shqipërinë, rajonin dhe botën. Numri i viktimave të tërmetit në rajonin e Durrësit në Shqipëri ka shkuar në gati 50, ndërkohë që ekipet e shpëtimit ende kanë shpresë se njerëz të gjallë do të nxjerrin nga rrënojat e tmerrshme. Durresi, një qytet i dashur për turistët, tani më është gati i pabanuar. Pallate të shumta banimi pritet të nxirren jashtë përdorimit shkaku i dëmtimeve serioze në strukturën e tyre. Qindra familje do të ngelin pa streh pikërisht në prag të stinës së dimrit.

Është një skenë apokaliptike të cilën askush nuk kishte arritur ta mendojë se do të ndodhte. As zyrtarët e komunave të prekura nga tërmeti nuk e kishin menduar këtë tmerr kur kishin dhënë lejet pa bërë planifikimin dhe ekzaminimin e nevojshëm, as ndërtimorët nuk kishin mbajtur llogari për standardet e pallateve që ndërtonin, e as blerësit e banesave nuk e kishin vrarë shumë mendjen se si është ndërtuar pallati ku do të krijonin atë që do të duhej të quhej shtëpi e ngrohtë. Të gjithë kishin menduar vetëm te çmimi: zyrtarët kishin menduar për xhepat e tyre dhe të partisë, ndërtimorët për fitimin neto kurse blerësit për çmimin e ulët për një metër katror. Tani kur tërmeti qe më shkatërrues në shekullin e fundit, zyrtarët e kuptuan standardet nuk blihen me ryshfet por zbatohen me përpikmëri, ndërtimorët janë vetëdijësuar se investimet pa standarde kthehen si bumerang kurse blerësit – çmimi jo gjithmonë duhet të jetë përcaktues për blerjen e apartamentit. Dukuria e mbindërtimeve pa standarde mbi pallatet poashtu pa standard është një tjetër aventurë e rrezikshme, e cila gjithësesi është lejuar nga autoritetet.

Tërmetet, si çdo fatkeqësi tjetër natyrore, është rëndë të parashikohen. Por shteti duhet të jetë i gatshëm në të gjitha format që të parandalojë ose minimizojë pasojat, nëpërmjet imponimit të standardeve, ose t’i menaxhojë situatat e krizave që shkaktojnë këto fatkeqësi. Gjëja pozitive ishte mobilizimi, humanizmi, solidariteti dhe dhembshuria e shqiptarëve etnikë anembanë botës për viktimat e të njëjtit popull apo etni në Shqipëri. Poashtu, kishte një solidaritet të paparë edhe nga të gjitha shtetet e Ballkanit, BE-së dhe globit. Njësitet e kërkim-shpëtimit nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Greqia, Kroacia por edhe Serbia shpëtuan dhjetra jetë njerëzish të robëruar e të pafuqishëm nën gërmadha.

Ajo që u paraqit si problem ishte mungesa e organizimit dhe koordinimit të grumbullimit të ndihmave të shumta. Nuk dihej kush çfarë grumbullon, gjë që krijonte një kaos i cili më pas shërbeu për përhapjen e lajmeve të rrejshme me qëllim të demotivimit të humanizmit dhe solidaritetit. Nuk u themelua asnjë trup koordinues gjithëpërfshirës, i cili do të njoftojë se ku dhe çka mund të dhurohet, kush është i autorizuar – cili institucion apo organizatë – në të gjitha shtetet, nuk ka një qendër që do të njoftojë opinionin për të gjitha zhvillimet dhe nuk ka një hapje apo bashkërendim me ekspertë jashtë Shqipërisë që kanë përvojë me tërmetet si Italia, Japonia apo edhe Maqedonia e Veriut. Duket se çdo individ, organizatë, institucion, klub, qytet apo fshat organizojnë grumbullimin e ndihmave pa një koordinim me Shqipërinë në kuptimin e nevojave reale të njerëzve të prekur nga tërmeti.

“Reality show” i politikanëve duket një problem tjetër që flet për mentalitetin makiavelist kur bëhet fjalë për fitimin e zgjedhjeve të rradhës. Është në rregull dhe e obligueshme që përfaqësuesit politikë të jenë me njerëzit në nevojë në këto raste, por jo “live” në mediat partiake që edhe në këtë tragjedi çojnë përpara agjenda të liderëve politikë.

Shqipëria do të ketë edhe shumë punë në sanimin e dëmeve nga tërmeti. Poashtu edhe në regullimin e kaosit të ndërtimeve të shkaktuar nga mafia urbane. Menaxhimi korrekt i donacioneve do të bënte që të njëjtat të vazhdojnë deri në rindërtimin e plotë të Durrësit, Kavajës dhe rajoneve përreth të prekura nga tërmeti. Në të kundërtën tërmeti, nga një një dridhje e tokës mund të shndërrohet në një dridhje politike me pasoja më të mëdha për Shqipërinë.

Sa për të ilustruar qasjen joserioze të institucioneve shqiptare, po ua rikujtoj një raport të Institutit të Ndërtimit në Tiranë të para shtatë muajve. Në fillim të prillit ky Institut kishte hartuar një raport ku rekomandon prishjen e pallatit 28-katësh në vijën e parë të plazhit në Shkëmbin e Kavajës, në Durrës. Bëhet fjalë për hotelin më të lartë, me një mbindërtim të frikshëm, të cilin autoritetet shqiptare nuk arritën ta rrëzojnë. Ky hotel, megjithatë, thuhet t’i ketë rezistuar tërmetit të fundit. /KDP

Të fundit