E enjte, 18 Prill, 2024

‘Franca nuk e vë në dyshim perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor’

Parisi zyrtar nuk e vë në dyshim perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, thotë sekretarja e Francës për Evropën, Amelie de Montchalin.

Montchalin thotë se Franca dëshiron të jetë e sigurt se kushtet e vendosura për negociatat do të përmbushen dhe se vetë procesi do të dëshmojë të jetë i dobishëm dhe me rezultate të mira në terren sa më shpejt të jetë e mundur.

Ajo këto komente i bëri në Zagreb, pas një takimi me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq, për vendimin e Parisit për të mos mbështetur hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

“Franca ka një qëndrim të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ajo është angazhuar për shumë vite dhe nuk e vë në dyshim. Ne thjesht duam të sigurohemi që kushtet e përcaktuara për hapjen e negociatave do të përmbushen”, tha Montchalin.

Sipas saj, procesi i negociatave nuk është thjesht plotësimi i një pyetësori dhe nuk është vetëm një proces ligjor dhe administrativ, por një proces që sjell “vlera të shtuara evropiane në terren”./TCH

Të fundit