E premte, 26 Korrik, 2024

Imazhi i drejtësisë është fytyra e Gruevskit 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Në mes të zhurmës së përplasjeve politike, njëra nga lëndët kryesore kundër krimit dhe korrupsionit qetësisht shkoi në histori. Ish kryeministri Gruevski, tanimë azilant në Hungari ia hodhi edhe një herë drejtësisë. Akuza e Prokurorisë Speciale Publike për marrjen në mënyrë të kundërligjshme, lexo: vjedhje të 155 milionë eurove provizion nga kompania kineze për tenderin e ndërtimit të autostradave Kërçovë-Ohër dhe Shtip-Milladinovc u vjetërsua. Drejtësia dështoi sërish!

Maqedonia e Veriut para dy viteve u çlirua nga kapja e shtetit prej Gruevskit, por edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë peng i drejtësisë grueviste. Nëpër korridoret burokratike, mes procedurave teknokratike, me teknika subversive gjykatës, prokurorë e avokatë sorollatin lëndët në të cilat janë abuzuar miliona euro të qytetarëve të varfër të këtij shteti duke i mbajtur jashtë grilave hajdutët dhe peng perspektivën e qytetarëve. 

Të kota janë të gjitha përpjekjet për zhvillim ekonomik. Të kota janë të gjitha përpjekjet për rritjen e rrogave. Të kota janë të gjitha përpjekjet për të ndalur hovin e largimit të të rinjve nga ky vend. Të kota do të jenë të gjitha përpjekjet tjera për sa kohë që drejtësia vazhdon të jetë e padrejtë. Në historinë bashkëkohore nuk ekziston një vend tjetër që ju mundëson jetë dinjitoze qytetarëve të tij e që nuk mund t’u ofroj drejtësi. 

Qeveria e re e cila do të del pas zgjedhjeve të Prillit ose kurdo që të njëjtat të mbahen, duhet t’i vendos vetes vetëm një prioritet – reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë ashtu siç bëri me fokusimin në zgjedhjen e problemeve bilaterale me fqinjët. Tanimë në rajon kemi një shembull të tillë dhe duke u nisur nga përvoja e Shqipërisë, me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, posaçërisht me mbështetjen e SHBA-ve, gjyqësori duhet të çlirohet nga padrejtësia. Vettingu i plotë i gjyqtarëve dhe prokurorëve duke mbajtur jashtë partitë politike dhe me monitorim të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-të duhet të përjashtoj nga sistemi ata të cilët u mundësojnë kriminelëve dhe të korruptuarve t’i bëjnë bisht drejtësisë, ashtu si në rastin e Gruevskit. 

Për sa kohë që sistemi i drejtësisë do të ngel kështu siç është, profesioni më i paguar do të vazhdoj të jetë ‘’politikan i korruptuar’’. Me këtë sistem nuk mund të ndërtohet perspektiva e gjeneratave të reja sepse kjo mendësi vret çdo ambicie të shëndoshë duke vendosur modele të gabuara për t’u ndjekur. Me këtë sistem nuk mund të presësh që investitorë serioz do të vijnë të bëjnë biznes, sepse askush nuk ka para të ndershme për të paguar drejtësinë që i takon. Me këtë sistem nuk mund të presësh demokraci funksionale, sepse ai përdhos edhe atë pak besim tek institucionet publike. Me këtë sistem nuk mund të presësh politikan të ndershëm, sepse ndershmëria është e vetmja vlerë që nuk mund ta gjesh brenda tij. Me këtë sistem nuk ndërtohet shtet i së drejtës, sepse ky sistem i drejtësisë për imazh të vetin e ka fytyrën e Gruevskit! 

Një orë e më parë: Vetting! 

Të fundit