Bashkëpunimi në të ardhmen ndër shqiptarët do të rritet domosdo, sepse nuk do të jetë pjesë vetëm e doktrinës politike-partiake, por do të imponohet nga vetë vullneti i popullit për përparim ekonomik dhe në fusha tjera. Një projeksion, ndonëse mund të tingëllojë idealist, është i menduar mbi baza joterritoriale, ngase nuk mendojmë se shkëmbimi i territoreve ose heqja e kufijve do të jetë proces i lehtë edhe dekada më vonë pas vitit 2018-të
Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup
Nëse shqiptarët në shekullin XX luftonin për mbijetesën e tyre, për të kapërcyer orët e rënda të historisë bashkëkohore, në shekullin XXI hynë me një optimizëm tepër të madh për perspektivë më të mirë ekonomike, arsimore, kulturore, shkencore e në fusha të ndryshme. Si edhe gjithë Ballkani, as shqiptarëve nuk u mungoi euforia se ky shekull do të jetë i tyre.
“Koha punon për shqiptarët”
E dëgjojmë shpesh si frazë shterpe “koha punon për shqiptarët” e të ngjashme, thua se koha vetvetiu do t’ua bëjë jetën më të mirë shqiptarëve. Megjithatë, kur themi se shqiptarët luftuan, nuk e themi sa për metaforë, por e themi tekstualisht. Pas vitit 1997-të, Shqipëria mund të thuhet se ishte shtet gjysmak – vetëm me gjysmë goje mund t’i thoshim shtet funksional, pasi nga armët që u morën nga qytetarët shumë segmente të shtetit ishin eroduar! Kosova, në anën tjetër, përballej me pushtuesin serb, ndërsa hiç më e mirë nuk ishte gjendja e shqiptarëve në Maqedoni – ata përballeshin me procese të montuara politike, rriheshin e vriteshin! Përderisa në Shqipëri në vitin 1997 shqiptarët vriteshin mes vete, në Gostivar po këtë vit ndodhi sulmi i policisë maqedonase, kjo si përgjigje ndaj përdorimit të flamurit etnik shqiptar. Aty u vranë 4 persona. Në hapësirat e tjera gjithashtu shqiptarët përballeshin me probleme dhe me diskriminim sistematik nga pushtetet e atëhershme.
Në shekullin dhe mileniumin e ri shqiptarët hynë me një entuziazëm tepër të madh. Kosova tashmë ishte çliruar dhe filloi faza e fundit e pavarësisë së saj nga Serbia. Shqipëria rikonsolidohej, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë pas vitit 2001, si pasojë e konfliktit të armatosur dhe arritjes së Marrëveshjes paqësore të Ohrit, e përmirësuan dukshëm statusin e tyre kushtetues dhe legjislativ, së paku në aspektin normativ-juridik.
Shekulli i ri nisi me eufori shqiptare!
Ndonëse euforik, rrugëtimi i shqiptarëve në Ballkan vazhdon të ketë vektorë zhvillimorë dhe avancues. Pasi Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, Kosova u bë e pavarur, edhe shqiptarët e Maqedonisë rritën peshën e tyre politike, por më shumë në aspektin juridik se sa faktik.
Me gjithë këto zhvillime pozitive, rrugëtimit historik bashkëkohor të shqiptarëve nuk u kanë munguar edhe problemet, por edhe inatet. Duke jetuar në shtete të ndryshme, ata më shumë kanë preferuar të jetojnë në ishuj të veçantë, pa pasur tendenca proaktive, se të krijojnë ura bashkëpunimi për të rrënuar kufijtë mes ishujve. Në fakt, shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur strategji të hartuar për bashkëpunim të ndërsjellë, siç e kanë popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët përskaj barrierave kufitare-administrative gjejnë rrugë dhe mënyra për të pasur bashkëpunim efikas dhe që jep rezultate. Nuk flasim vetëm për projekt politik, që synon bashkimin kombëtar, pasi edhe partia e vetme në Kosovë, Vetëvendosja, nuk e artikulon dhe nuk synon bashkimin e tokave shqiptare, por vetëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, gjë që dallon shumë nga bashkimi kombëtar, siç jemi mësuar ta dëgjojmë në retorikën populiste të disa politikanëve që janë margjinalë në skenën politike. Fjalën e kemi më shumë për projektet akademike-shkencore të akademive shkencore dhe të arteve universiteteve ose edhe instituteve në Tiranë e Prishtinë.
Hipokrizi politike mbi pozitën e shqiptarëve
Në Maqedoni realiteti është edhe më i zymtë. Fatkeqësisht, në hapësirën politike shqiptare ka pasur shumë hipokrizi. Edhe pse ish Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte betimin e saj për bashkimin kombëtar, që ka qenë motiv i shumë të rinjve shqiptarë që t’i bashkëngjiten këtij formacioni ushtarak, pas përfundimit të luftës së vitit 2001, nga e njëjta ushtri u formua partia e re politike. As më pak e as më shumë, ajo do të quhet Bashkimi Demokratik për Integrim. Pra, ideja, thelbi, substanca e këtij formacioni politik, që doli nga ish UÇK-ja, ishte integrimi. Ali Ahmeti do të deklarojë se “Atdheu im është Maqedonia”. Partia tjetër shqiptare – Partia Demokratike Shqiptare, derisa ishte në pushtet me VMRO-DPMNE-në në vitet 1998-2001, derisa filloi konflikti i armatosur, ishte pjesë e tregimit të suksesshëm të ndërtimit të Maqedonisë së re, të Maqedonisë me marrëdhënie të relaksuara inter-etnike, me angazhime serioze të institucioneve të shtetit, që statusi i shqiptarëve të avancohej, që në vitin 2004 të dalë nga binarët e relaksimit shqiptaro-maqedonas dhe të promovojë idenë e bashkimit kombëtar, si e vetmja alternativë për të shpëtuar indin kombëtar në Maqedoni. Lideri i kësaj partie, Arbër Xhaferri, intelektualisht i mbathur me dije sociologjike dhe politologjike, në vitin 2007 e promovoi platformën e tij autoriale të njohur si “Skicë për mbrothësinë e përbashkët”. Në këtë projeksion mbi të ardhmen e shqiptarëve në rajonin ballkanik, Xhaferri thekson “Popujt e qytetëruar siç janë francezët apo britanikët në vijë të afirmimit të interesave kombëtare, madje kanë formuar organizma mbinacionale vullnetare siç është projekti i Frankofonisë apo Commonwealthi. Projekti i parë krijon relacione kohezive me popuj të ndryshëm mbi bazë të zgjerimit të përdorimit të gjuhës frënge, ndërkaq ky i dyti mbi baza të mirëqenies së përbashkët.”
A është e mundur jetësimi i idesë për krijimin e një “modaliteti qytetërues të organizimit shoqëror, gjithnjë në vijë të intencës kombëtare”? Fatkeqësisht, shenjat dhe tentativat e krijimit të këtij organizmi nuk janë shumë shpresëdhënëse, kjo për arsye se, përderisa popujt e civilizuar të botës kanë arritur të kenë bashkëpunim dhe standarde në çdo fushë, shqiptarët idenë e bashkëpunimit dhe “instalimit të standardeve kombëtare”, siç do ta quante Xhaferi, më shumë e kanë pjesë të folklorit dhe traditës së muhabeteve të odave e çajtoreve sesa të veprimit institucional dhe praktikës konkrete vepruese. Mosbashkëpunimi ose bashkëpunimi i dobët aktual ndërmjet shqiptarëve nuk është ogur se në të ardhmen drita kombëtare e shqiptarëve do të ndriçojë fuqishëm.
Projeksioni i “bashkëpunimit kombëtar” ndër- shqiptar
Andaj, në të ardhmen, nëse duam të kemi komb të shëndoshë shqiptar, të konsoliduar dhe të civilizuar si kombet evropiane, nevojitet të kemi strategji dhe qasje të përbashkët mbi shumë sfera. Nëse do të donim të bënim projeksionin e së ardhmes së shqiptarëve, ai do të dukej kështu: dallimet e ndryshme kulturore i shndërron në përparësi, ndërsa pika themelore do të duhej të ishte zhvillimi ekonomik, sepse edhe tani askush nuk e ndal Kosovën dhe Shqipërinë të kenë tregun e përbashkët, t’i motivojnë bizneset ta rrisin bashkëpunimin, t’i shohin nevojat e njëri-tjetrit dhe të konkurrojnë në tregun evropian. Duhet të ketë lehtësime tatimore, por edhe të shmangen taksimet e dyfishta pas kalimit të kufirit, sepse – siç tha historiania Elena Kocaqi – shqiptarët në vendin e tyre duhet të paguajnë dy herë taksa.
Në të ardhmen duhet të ketë edhe një Bankë Shqiptare, e cila do të duhej t’i kishte degët e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu ku ka shqiptarë.
Gjithsesi se duhet të ketë manifestime kulturore mbarëkombëtare! Jo vetëm panairi i librit i Tiranës, i Prishtinës ose i Shkupit, por edhe manifestimet e tjera duhet të jenë më kohezive. Duhet të ketë, po ashtu, një festival mbarëkombëtar të teatrove, pasi festivalet fragmentare, që organizohen tani nuk e promovojnë idenë e bashkëpunimit të njëmendtë kulturor ndërshqiptar.
Në fushën e arsimit dhe shkencës, universitetet dhe institutet shkencore duhet të jenë më të hapura për bashkëpunim, të organizojnë hulumtime të përbashkëta shkencore mbi të ardhmen e kombit shqiptar, të këmbejnë studentë mes vete, por mbi të gjitha të këmbejnë profesorë dhe kuadrin ndihmës në mësimdhënie. Gjithashtu mund të mendohet edhe për projektin e ndërtimit të një shkolle të mesme, me qendër në Tiranë, Prishtinë, por edhe Shkup, e cila do të prodhonte gjenerata të reja për të ardhme të sigurt.
Gjithashtu edhe sektori joqeveritar duhet të jetë më bashkëpunues në kuptimin e realizimit të kauzave të përbashkëta për të drejta qytetare, për ambient jetësor dhe ajër më të mirë, për barazi mes gjinive, për përforcimin e rolit të gruas në shoqëri e kështu me radhë.
Pse të mos ketë edhe liga të përbashkëta në futboll, basketboll, hendboll e të ngjashme apo pse të mos organizohen gara që do të quheshin Lojërat Shqiptare, sipas modelit të Lojërave Mesdhetare apo Ballkanike?!
Bashkëpunimi në të ardhmen ndër shqiptarët do të rritet domosdo, sepse nuk do të jetë pjesë vetëm e doktrinës politike-partiake, por do të imponohet nga vetë vullneti i popullit për përparim ekonomik dhe në fusha tjera. Një projeksion, ndonëse mund të tingëllojë idealist, është i menduar mbi baza joterritoriale, ngase nuk mendojmë se shkëmbimi i territoreve ose heqja e kufijve do të jetë proces i lehtë edhe dekada më vonë pas vitit 2018-të. Nisur nga barrierat gjeopolitike dhe gjeostrategjike, shqiptarët e kanë vetë fatin në duart e tyre dhe askush nuk i ndalon të kenë bashkëpunim dhe të mos shihen njëri me tjetrin vetëm nën prizmin e interesit dhe parasë. Ani se shqiptarët vetë e kanë menduar thënien e famshme “Vëlla, vëlla, djathi me pare”!