E premte, 26 Korrik, 2024

Meta: Diplomatë të korruptuar, KED mafioze dhe politikanë pa dinjitet

Thellohet përplasja mes mazhorancës dhe Presidentit për mënyrën e ngritjes së Gjykatës së re Kushtetuese. Presidenti Meta ka bërë akuza të forta kundër kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani duke e quajtur “një ushtar qorr i partisë” ndërsa ka shigjetuar edhe ambasadorët.

“Ua kam thënë 1 mijë herë, ua kam thënë edhe diplomatëve të korruptuar. Kemi bërë një marrëveshje për Gjykatën Kushtetuese që të kalonte në vetting, por nuk do ngelej vendi kurrë pa Gjykatë Kushtetuese. Por kjo ndodhi dhe nuk u bë pa qëllim. Kjo është e qëllimshme. Kjo nuk ka ndodhur nga Vettingu, por sepse aty në krye të KED është vendosur një qorr i partisë”, – tha Meta.

Meta tha se nuk e njeh Arta Vorpsin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por në vend të saj ka dekretuar Marsida Xhaferllarin. Nëse mazhoranca thotë se Vorpsi është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mbarimit të afatit 30-ditor që kishte në dispozicion Presidenti, ky i fundit ka një tjetër qëndrim.

“Nuk ka një afat të caktuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës. KED i dërgoi listat në mënyrë të dyshimtë për të mos thënë mafioze. Ai e vendosi Presidentin në një pozicion të vështirë për ta detyruar që të shkelë ligjin. Çështja e afatit është interpretim qesharak dhe absurd. Është e turpshme është mafioze. Vetëm një budalla nuk i kupton lojërat e tij. Ngitja e KED u bllokua dy herë që të vinte ky kryetar që ta kontrollonin” – tha Meta.

Por nëse kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e quajti antikushtetues vendimin e Presidentit për dekretimin e Marsida Xhaferllarit, Meta nuk i ka kursyer shigjetat ndaj kreut të deputetëve socialistë.

Unë nuk jam këtu për t’u marrë me thashetheme që u takojnë vetëm njerëzve dhe politikanëve që nuk kanë asnjë dinjitet institucional, por as familjar dhe shoqëror. Mos prisni nga unë të merrem me gjëra të tilla,” – tha Meta.

Duke folur për Xhaferllarin, Meta tha se ajo ishte kandidatja më e mirë, por ia kishin ulur pikët në KED për arsye politike.

“Është emri me CV-në më të shkëlqyer nga kandidatët e përzgjedhur nga KED. Me kualifikimet më të larta, si sa i takon shkollimit, edhe eksperiencës. Këto janë gjëra shumë të qarta, presidenti nuk merret me asnjë individ. Nëse presidenti nuk do kishte besimin tek asnjë individ. Si mund të banalizosh ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese me histori të tilla” – tha Meta.

Por a do ta kryejë Meta ceremoninë e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese? Meta tha se nuk mund të detyrojë Presidentin një publikim kontrabandë, siç ai cilësoi publikimin në Fletoren Zyrtare të emrit të Arta Vorpsit.

“Jam shumë i qartë për këtë çështje. Kuvendi është i mirëpritur të komunikojë zyrtarisht me institucionin e Presidentit, dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar në respekt të ksuhtetutës dhe detyrimeve kushtetuese dhe kjo është një çështje e mbyllur dhe shumë e qartë. Ju duhet të dini se çfarë publikohet në fletoren zyrtare dhe këto janë me ligj, çdo publikim kontrabandë, padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin në zbatim të detyrimeve të tij kushtetuese”, – tha Meta.

Duket se Meta do të thërrasë për betim vetëm Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin të zgjedhura nga Kuvendi dhe Marsida Xhaferllarin që ka dekretuar vetë. Sipas Kushtetutës që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të marrin detyrën duhet të betohen para Presidentit. ©LAPSI.al

 

 

* KED = Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (Është një organ kolegjial, i përbërë nga 9 anëtar me një mandat 1 vjeçar, dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. )

 

Të fundit