E shtunë, 27 Korrik, 2024

KUSH MUND TË JETË KANDIDAT PËR DEPUTET APO MINISTËR?

Kjo praktikë e përzgjedhjes është më shumë se e nevojshme nëse vërtetë dëshirohet dekriminalizimi i politikës.

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Përfaqësimi rajonal, fraksional apo klanor ka qenë deri  më tani kriteri bazë që ka përcaktuar se cili do të jetë kandidat për deputet apo ministër. Rrallë, në mos asnjëherë, një kriter i tillë nuk ka qenë kualiteti dhe pastërtia e kandidatit.

Ligji për zgjedhjen e deputetëve në Maqedoninë e Veriut nuk parashikon përmbushje të kritereve të pastërtisë juridike, e aq më pak të asaj etike. Neni 5 i ligjit thotë se të drejtë për të qenë i zgjedhur ka çdonjëri që ka shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, që ka të mbushur 18 vjet, ka aftësi për punë dhe që nuk gjendet në burg shkaku i ndonjë vepre penale.

E drejta për të votuar apo zgjedhur është e garantuar në çdo vend demokratik. Këtë e garantojnë edhe ligjet zgjedhore, edhe Kushtetuta e vendit. Por, edhe krimineli më famëkeq në botë, Pablo Escobar, në vitin 1982 ishte zgjedhur për deputet në Kongresin e Kolumbisë.

Në Ballkan, ashtu si në shumë vende të Amerikës Latine, demokracia nuk arrin të funksionojë ashtu siç duhet – me interesat, parimet dhe vlerat e saj. Në këtë rajon dominojnë vetëm interesat, kurse parimet dhe vlerat janë vetëm për të pasuruar diskursin publik. Së këndejmi, njëjtë si me Kolumbinë e dikurshme të Escobarit apo Meksikën e sotme, është rëndë të përvijohet se ku përfundon shteti e ku fillon mafia. Është e njohur ajo thënia se “të gjitha shtetet kanë mafian e tyre, vetëm në Ballkan mafia ka shtetet e tyre”.  Në Maqedoninë e Veriut ka afër 20 deputetë në procese gjyqësore apo hetime, nga të cilët e fundit është nënkryetarja e Parlamentit, Frosina Remenski për rastin “Zhvatja”. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Kosovë kishte 25 kandidatë për deputetë nën hetime, kurse në përbërjen e Kuvendit të Shqipërisë 12 deputetë ishin nën hetime për vepra të ndryshme kriminale. Madje, dy deputetë të Shqipërisë kishin vuajtur dënime me burg në vendet evropiane për shkak të përfshirjes në tregtinë e drogës.

Funksioni i deputetit është atraktiv për njerëzit e krimit shkaku i imunitetit ligjor dhe fuqisë politike që ofron. Ka thashetheme se një vend i sigurtë në listën e kandidatëve për deputetë kushton nga 100 mijë euro e më lartë. Kjo bën që politika të bëhet biznes profitabil, por njëkohësisht edhe të kriminalizohet.

Maqedonia e Veriut pas gjashtë muajsh pritet të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të gjashtat me radhë nga viti 2006. Nëse do të kemi kandidatë për deputetë, e më pas edhe për ministra, që nuk kanë njollë të zezë në biografinë e tyre do të varet nga dy faktorë: i pari ka të bëjë me vettingun e brendshëm të kandidatëve brenda partisë, kurse i dyti – me vettingun e kandidatëve për ministra, zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe drejtorë, që do të dalin nga partitë që do të formojnë koalicionin qeverisës.

Nuk është e nevojshme të ndryshohen ligjet, por nevojitet vetëm një vullnet politik që partitë të instalojnë këto parime dhe vlera në politikën e tyre kadrovike. Njëjtë si në formimin e Komisionit Evropian, një institucion që luan rolin e pushtetit ekzekutiv në BE. Çdonjëri nga 28 vendet anëtare të BE-së propozon nga një komisioner (ministër), por që çdo kandidaturë duhet patjetër të kalojë nëpërmjet filtrave të vështira të vettingut.

“Kandidatët për portofolet e Komisionit duhet të kalojnë një proces të vështirë të verifikimit parlamentar. Këshilli (Evropian), në marrëveshje me Presidentin e zgjedhur të Komisionit, miraton një listë të komisionerëve kandidatë, një për secilin shtet anëtar. Komisionerët e propozuar paraqiten para komisioneve parlamentare në fushat e tyre të ardhshme të përgjegjësisë. Çdo komision mblidhet për të hartuar vlerësimin e tij mbi ekspertizën dhe punën e kandidatit, i cili i dërgohet Presidentit të Parlamentit. Një vlerësim negativ ka bërë që kandidatët të tërhiqen nga procesi”, thuhet në shpjegimin e mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve për komisionerë të BE-së. Së fundmi, para një muaji u refuzua propozimi i presidentit francez Emanuel Macron që Silvi Gulard të zgjidhet për komisionere të industrisënë KE nga shkaku i përfshirjes së saj në një aferë në Francë.

Kjo praktikë e përzgjedhjes është më shumë se e nevojshme nëse vërtetë dëshirohet dekriminalizimi i politikës. Fjala vetting mbase është përdorur shumë në diskursin publik në vitet e fundit, por nevojitet që të bëhet kryefjala e përzgjedhjes së kandidatëve për pushtetin ligjvënës dhe ligjzbatues në vend. /KDP

Të fundit