E premte, 13 Shtator, 2024

Kriza e mediave sociale 

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Freedom House publikoi raportin e fundit mbi lirinë e internetit në botë të titulluar ‘’Kriza e mediave sociale’’. Raporti nënvizon trendin global të rënies së lirisë në internet për të nëntin vit me radhë duke nënvizuar intervenimet e shteteve në kufizimin e shprehjes së lirë, manipulimin e opinionit publik dhe eksplоаtimin e tyre nga operativët partiak si mjete për imponim politik dhe kontroll social. Raporti gjithashtu vë në dukje tendencën në rritje të shteteve autoritare për të vënë në përdorim teknologji për përgjim dhe monitorimin masiv të qytetarëve përmes mediave sociale, një operacion mjaftë i shtrenjtë të cilin më parë ishin në gjendje ta bëjnë vetëm shërbimet sekrete të shteteve më të fuqishme. Përderisa në një kohë mediat sociale ishin hapësira që nxisnin debatin qytetar, sot ato rrezikojnë të kthehen në vegla të iliberalizmit.

Fenomeni i lajmeve të rrejshme dhe dezinformimit janë taktika të njohura të aktorëve shtetëror të cilët kanë për qëllim të avancojnë agjenda ideologjiko-politike për interesat e tyre strategjike, por hovi i përdorimit të mediave sociale dhe mungesa e rregullimit të tyre mundësoi që fushëbeteja për dominimin dhe manipulimin e mendimit publik të cenoj rëndë vetë lirinë e shprehjes – themeli mbi të cilat u ndërtuan këto media.

Rrjetet sociale mundësuan që qytetarët e zakonshëm, gazetarët dhe grupet civile të kenë platformë për t’i dhënë zë dhe jehonë mendimit të tyre jashtë kanaleve tradicionale të komunikimit masiv dhe kjo kontribuoi jashtëzakonisht në demokratizimin e mendimit të lirë publik, madje duke nxitur në shumë shtete me regjime autoritare revolucion dhe trazira sociale që përfunduan me rrënimin e regjimeve diktatoriale. Duke parë pasojat që solli ky revolucion i komunikimit masiv, qeveritë autoritare nuk qëndruan duarkryq, por investuan për ti paraprirë rrezikut që mund të vinte prej tyre me krijimin në mënyrë proaktive të strategjive dhe veglave për të dominuar opinionin publik.

Biznes modeli i mediave sociale bazohet kryesisht mbi mikrotargetimin e konsumatorëve për nevojat e marketingut të bizneseve të cilat paguajnë shuma të majme për promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Në teori shfrytëzuesit e mediave sociale e marrin shërbimin falas, por në praktikë të gjithë e paguajnë duke dhënë informacione personale mbi preferencat dhe sjelljet e tyre. Ky është një thesar i paçmueshëm për bizneset të cilat mund të maksimizojnë shitjet duke precizuar targetin e konsumatorëve potencial. Ky model është jashtëzakonisht i favorshëm edhe për politikanët dhe strategët e fushatave politike të cilët ndërtojnë mesazhet e tyre pikërisht duke analizuar këto të dhëna. Rasti më eklatant ishte skandali me Cambridge Analytica, kompani e cila në mënyrë flagrante përdorte të dhënat private të mbledhura nga Facebook për të avancuar interesat e klientëve të tyre, të cilët në të shumtën e rasteve ishin në kundërshtim me vlerat demokratike dhe liritë qytetare. E njëjta kompani kishte luajtur rol qendror në kampanjën për Brexit që rezultoi me votë në favor të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe e solli të njëjtën në krizë të thellë politike me plot paqartësi për të ardhmen e shtetit.

Raporti i Freedom House është edhe një rikujtim për rreziqet me të cilët përballen demokracitë sot prandaj është mjaftë e nevojshme që qytetarët të edukohen dhe sensibilizohen për pasojat që vinë në rast se lajmet merren të pafiltruara nga mediat sociale. Produktin e tyre sot e shohim përmes rritjes së populizmit dhe rikthimin e ideologjive të rrezikshme të së djathtës ekstreme dhe radikalizmit fetar. Kjo krizë mund të prodhoj thyerjen e status quo-së në të cilën u akomoduan elitat e korruptuara politike por në të njëjtën kohë mund të na rikthej në historinë e përplasjeve të mëdha, faturën e të cilës e paguajnë qytetarët e rëndomtë.

Të fundit