E diel, 13 Tetor, 2024

TAKIMI PENDAROVSKI-MACRON MË 12 NËNTOR

Është konfirmuar se me 12 nëntor në margjinat e Forumit të Paqes në Paris do të takohen presidenti, Stevo Pendarovski me presidentin francez, Emanuke Makron. Kryeministri Zaev e ka vlerësuar si një mundësi të shkëlqyer për të prezantuar argumentet për hapjen e negociatave.

Autore: Xhumadije Ibrahimi

Nga Kabineti i Presidentit Pendarovski kanë konfirmuar se më 12 nëntor paradite do të ketë një takim mes Presidentit Pendarovski dhe homologut të tij francez Emanuel Macron. Takimi do të mbahet në margjinat e Forumit të Paqes në Paris. Ndryshe, Kryeministri Zaev kishte konfirmuar se disa muaj para Samitit në Bruksel ka bërë përpjekje që të dakordojë një takim me Presidentin Macron, por nuk ka pasur sukses. Megjithatë, ai është shprehur i kënaqur që do të realizohet një takim mes presidentëve Pendarovski dhe Macron.

“Besoj se do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme që edhe një herë t`i prezantojmë qëndrimet e argumentet tona rreth kësaj çështje. Besoj se në të ardhmen edhe unë do të kem një mundësi të këtillë. Jam i lumtur që presidenti Pendarovski do të realizojë takimin, e dini se edhe unë kam kërkuar një takim me të, besoj se takimi do të jetë një ndihmë për ne”, ka theksuar Zaev.

Presidenti Pendarovski gjatë qëndrimit të tij në Tetovë kishte paralajmëruar se po bëhen përpjekje për një takim të këtillë të nivelit të lartë.

“Diplomacia jonë, pjesë e së cilës jam edhe unë, sepse jam kompetent në bazë të kushtetutës dhe ligjit për të përfaqësuar vendin jashtë, bënë përpjekje që nga dita e parë, menjëherë pas përfundimit të samitit të fundit të BE-së, të takohemi në nivel të lartë me republikën franceze dhe drejtpërdrejt edhe presidentin Makron edhe me njerëzit rreth tij. Të shohim çfarë kërkojnë nga ne që të mund ta tejkalojmë këtë situatë të pakëndshme në të cilën kemi ardhur pa meritat tona”, ka theksuar presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Presidenti Pendarovski në Paris do të qëndrojë më 11, 12 dhe 13 nëntor, ndërsa në forumin në të cilin marrin pjesë më shumë se 30 shefa të shteteve dhe qeverive, fjalim pritet të mbajë më 12 nëntor. Ky takim vjen pas dështimit në Samitin e Këshillit Evropian, ku Macron ishte ndër kundërshtarët më të zëshëm kundër caktimit të datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Të fundit