E premte, 26 Korrik, 2024

‘Rikthimi tek esenca e aspiratës evropiane

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Kakofonia në diskursin publik pas vetos franceze futi hutinë mes qytetarëve dhe ashtu siç edhe pritej kredibiliteti i Bashkimit Evropian u rrënua dukshëm në mesin e qytetarëve. Kjo edhe për një arsye shumë të thjeshtë, mungesa ose thënë më mirë keqpërdorimi i pritshmërisë së qytetarëve rreth integrimeve evropiane. Duke ditur mendimin pozitiv të qytetarëve rreth këtij procesi në mënyrë të vetëdijshme partitë politike, posaçërisht ato që janë në qeveri janë fshehur pas këtij procesi për të mbuluar dështimet e tyre në qeverisje. Tani kur jemi para këtij udhëkryqi, duhet të rikthehemi tek esenca e asaj se përse ne duhet të jemi pjesë e këtij unioni?! 

Së pari, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian nuk është vetëm proces teknik, por transformim rrënjësor i praktikave qeverisëse nga sistemi i plogësht i socializmit në qeverisje efikase demokratike, të orientuar drejt shërbimeve cilësore që kanë në fokus qytetarin dhe jo atë që ka të njohur brenda sistemit, lexo: në parti. 

Së dyti, është një union i bazuar mbi vlera të përbashkëta të vendeve anëtare dhe në qendër të tyre janë të drejtat e njeriut, jeta me dinjitet dhe shanset e barabarta për të gjithë që duan të arrijnë në jetë. Në ndërkohë që tek ne ende protestohet kundër së drejtës elementare dhe kushtetuese të qytetarëve të këtij vendi për të mësuar në gjuhën amtare. 

Së treti, është një koncept politik i lidhur ngushtë me tregun dhe në thelb të tij ka konkurencën ekonomike. Potenca e çdo shteti varet nga ambicia, kreativiteti dhe devotshmëria për punën dhe jo tek dëshira e vetme për të qenë administrator publik me vendim të përjetshëm pa e ditur se ç’punë duhet bërë. 

Së katërti, është një union i cili vlerëson në bazë të aftësive individuale dhe postet kyçe nga të cilat varet jeta qytetarëve dhe mirëqenia kolektive nuk ndahen në bazë të farefisnisë, mahallave, katundeve apo afërsisë me shefin e shtabit lokal. Meritokracia është sistemi përmes të cilit mund të punësohesh dhe ke rrugën e qartë për tu ngjitur në karrierë pa pasur nevojë t’i thurësh lavde liderit të partisë. 

Së pesti, ligji implementohet nga institucionet dhe frikë nga ligji kanë ata që e shkelin dhe jo ata të cilët duhet ta zbatojnë. 

Për më tepër pyetini mërgimtarët tanë që jetojnë e punojnë në ato vende! 

E gjithë kjo duhet të na shërbej si një mësim se Unioni Evropian nuk na duhet për privilegj të përkatësisë në grup, por për të sjell ato standarde të prekshme të cilat përmirësojnë jetën tonë të përditshme, na japin shërbime publike cilësore, shanse të barabarta dhe perspektivë kolektive dhe individuale për prosperitet dhe lumturi. Në asnjë moment nuk duhet lejuar që të hiqet dorë nga kjo aspiratë, por qeveria dhe partitë duhet të mbajnë përgjegjësinë për të shpjeguar se çka nënkupton praktikisht për qytetarin e rëndomtë anëtarësimi dhe jo ta shesin të njëjtën si flluskë parazgjedhore të veshur me petkun e idealizmit utopik. 

Në periudhën që pason fjala kyçe do të jetë menaxhimi i pritshmërisë së qytetarëve për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Të gjithë aktorët relevant kanë për obligim që të shpjegojnë se përtej dëshirës tonë për të qenë anëtarë, Bashkimi Evropian nuk ka shkop magjik për të na sjellë qeveri të mirë dhe politikanë të përgjegjshëm por na ofron standarde, shembuj, praktika dhe ndihmë për t’i aplikuar të njëjtat tek ne. Kjo nënkupton që ky proces transofrmativ varet drejtpërdrejt nga vetë ne dhe kryekëput nga kapaciteti i qeveritarëve tanë vis-a-vis partive politike dhe vullnetit të tyre të sinqertë. Shpjegimi i këtij procesi, kohëzgjatjes dhe transformimit që duhet të arrihet jo vetëm që ndihmon për të ruajtur fokusin dhe orientimin ideologjiko-politik tek qytetarët drejt vlerave evropiane, por edhe një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar, kritikuar dhe në fund dënuar qeveritë dhe partitë politike që janë të paafta për të realizuar ato pritshmëri.   

Të fundit