E enjte, 12 Dhjetor, 2024

Reforma dhe jo ndryshime kozmetike në sistemin e drejtësisë

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë për reforma të thella, vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike që pritet të përfaqësohen në përbërjen e ardhshme të Kuvendit dhe ata të shoqërisë civile.

Në debatin e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën ‘Prioritetet legjislative në fushën e sundimit të ligjit, një perspektivë nga legjislatura e re e Kuvendit’, u tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të ndryshojë për të kthyer besimin e qytetarëve.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha se raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare kanë vënë në pah se Kosova nuk ka më kohë për ndryshime kozmetike, por duhen ndryshime rrënjësore në fushën e sundimit të ligjit. Ajo tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë, duhet të ofrojë shërbime të drejta për të gjithë qytetarët.

“Më shumë se asnjëherë më parë, konsiderojmë se reforma në drejtësi ka nevojë të jetë e qartë, e paplanifikuar mirë “, tha Loxha.

Ndërkaq, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje tha se sistemi i drejtësisë në vend ka probleme të shumta. Ajo, pos reformave të thella, përmendi edhe çështjen e procesit të verifikimit apo siç njihet ndryshe me termin si “vetting”.

“Për ta kthyer besimin në institucionet e drejtësisë ne besojmë që duhet të ketë verifikim dhe kontroll të integritetit personal e profesional të prokurorëve, gjyqtar[ve, niveleve të larta të policisë dhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Pra, unë besoj se pa procesin e ‘vetting’-ut nuk mund ta kthejmë besimin në institucionet e drejtësisë”, tha Haxhiu.

Kurse, Armend Zemaj përfaqësues nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë e prokurorë, të cilët nga mospuna e tyre kanë krijuar pasiguri juridike.

“Gradimet janë të arritshme në sistemin e drejtësisë, por degradimet nuk janë të siguruara me legjislacion dhe kjo ka mbetur më shumë formë dëshirore dhe pothuajse asnjë prokuror apo gjyqtar në Republikën e Kosovës nuk është degraduar nga pozita për moskryerjen e detyrave sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Zemaj.

Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që në këtë drejtim të ketë një bashkëpunim ndërmjet institucioneve të Kosovës, e sidomos e Kuvendit të Kosovës për të bërë mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

“Mungesa e monitorimit të zbatimit të ligjeve ka krijuar mundësi për ata që dëshirojnë ta keqpërdorin dhe të mos e zbatojnë ligjin dhe d[shirojn[ t[ ikin nga përgjegjësia e tyre direkte”, u shpreh Zemaj.

Ndërkohë, Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, tha se pritjet e shoqërisë për reformën në sistemin e drejtësisë janë të mëdha nga Qeveria e ardhshme. Sipas tij, për të pasur sukses në mekanizmat e drejtësisë, matja e performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve është mëse e domosdoshme.

“Momentalisht, në sektorin e sistemit të drejtësisë, çështja që më së shumti çalon është çështja e matjes së performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Edhe pse ekzistojnë dispozita ligjore, e njëkohësisht ekzistojnë edhe komisionet brenda Këshillit Prokuroria dhe atij Gjyqësor, që ishte dashur të merreshin me matjen e performanës, kjo nuk po ndodh”, tha Demëhasaj.

Besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kosovë është luhatur ndër vite, por asnjëherë si deri tani besimi nuk ka qenë në nivelin me të ulët, kanë thënë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Institucionet e Kosovës, sidomos mekanizmat e drejtësisë, për vite me radhë fillimisht nga UNMIK-u e më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, janë ndihmuar për procese të caktuara e sidomos në forcimin e zbatimit të ligjit.

Të fundit