Pas deklaratës së fortë që bëri Edi Rama se do të padiste Ramush Haradinajn pasi ai e akuzoi se ishte pjesë e një pazari të ndarjes së Kosovës me Thaçin dhe Vuçiç, vjen një reagim nga kryeministri në largim.
Në një lidhje telefonike për ‘News24’ Haradinaj tha se nuk e kishte ndjekur deklaratën e Ramës, por ishte njohur me disa lajme nëpër portale.
Teksa u tregua i rezervuar për t’i dhënë një përgjigje kryeministrit Rama, duke thënë se ai ka të drejtat e veta, Haradinaj pohoi se qëndrimi i tij kundër ndarjes së territorit të Kosovës është legjitim dhe se do ta mbronte deri në fund.
“Sot kam parë disa tituj të portaleve në Kosovë. Por se kam përcjell direkt intervistën e tij. E kam shprehur qëndrimin tim në lidhje me refuzimin dhe kundërshtimin e ndarjes së territoreve, që ka qenë një maskim për ndarjen e Kosovës.
Ajo do kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të. Rezervat më të mëdha në Europë gjendjen në Trepçë. Këto kanë qenë vendim legjitim i imi. S’kam koment për deklarata të tjera. Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj. Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime dhe vazhdoj t’i mbaj. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera.
I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët, edhe të majtët dhe të djathtët. Detyra ime në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve. Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë.”, u shpreh Haradinaj.
DEKLARATA E EDI RAMËS:
“Në gjykatat e Kosovës, zotëria duhet të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndanim unë, Hashim Thaçi dhe Vuçiç. Që t’i thuash një populli se ishin 10 miliardë në tavolinë atyre bravo ju qoftë që marrin akoma vota. Ky dha dorëheqjen me demek dhe është akoma kryeministër i Kosovës, një person që më detyroi të dal publikisht që gënjeu publikisht pas samitit të Berlinit. Në asnjë sekondë nuk i kam bërë presion që të heqë taksën.
I kam thënë vetëm që “kjo që të propozon Makron të vjen vetëm një herë”. Makron në sy tim, kancelares dhe presidentit të Serbisë i tha: “Më jep 4 muaj Ramush dhe do futem unë në procesin e dialogut. Ti pezulloje taksën. Nuk i tha njeri hiqe. Serbia të pezullojë fushatën idiotekse kundër njohjeve dhe unë do të heq veton për vizat”.
Në vend që të bënte një lëvizje taktike për të marrë diçka bëri një kokëfortësi dhe sot Kosova nuk ka akoma vizat. Dhe pastaj gënjeu dhe tha që po më bëjnë presion. Këtë kryeministrin në ikje do ta çoj në gjyq” – tha Rama.
/javanews