E shtunë, 18 Maj, 2024

NTERVISTË, BILALL KASAMI: E NATYRSHME OPOZITA TË BASHKOHET; PARTITË QEVERITARE LE TË SHKOJNË ME ZAEVIN

I pari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, përjashton mundësinë e koalicionimit parazgjedhor me partitë shqiptare që janë pjesë e qeverisë, si edhe me ndonjë parti politike nga kapmi etnik maqedonas. Në një intervistë për KDP-në, ai shprehet i gatshëm për një koalicion me Aleancën për Shqiptarët (ASH) të Ziadin Selës, të cilin koalicion e quan të natyrshëm. Kasami vlerëson se po aq i natyrshëm do të ishte edhe një koalicion i partive shqiptare në qeveri, e pse jo bashkë me LSDM-në si bartëse e saj.

Në këtë intervistë Kasami flet edhe për dështimin që vendi të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në, prolongimin e regjistrimit, rezultatet që i pret BESA nga këto zgjedhje, pjesëmarrja e mundshme në qeveri etj.

Intervistoi: Xhumadije Ibrahimi

Opinioni e di që ne bashkërisht përkrahëm një kandidatë për president siç është profesor Blerim Reka për të cilën gjë edhe votuesit shqiptar në Maqedoninë e Veriut e dhanë verdiktin e vetë.

KDP: A planifikoni koalicion parazgjedhor me ndonjë parti shqiptare apo maqedonase?

Bilall Kasami: Vlerësojmë që ende është herët për të diskutuar për koalicione të mundshme. Fundja ende nuk janë shpallur zgjedhjet. Kryetarët e partive politike në takimin te presidenti u dakorduan  vetëm për datën e zgjedhjeve që është diku pas pesë muajve, më 12 prill dhe sipas kodit zgjedhor 45 ditë para kësaj date duhet të shpallen edhe zgjedhjet, ndërsa 100 ditë para kësaj date duhet të formohet edhe qeveri teknike. Ne jemi të koncentruar në punët të cilat na presin si opozitë. Ne gati çdo ditë jemi në terren për plotësimin dhe forcimin e strukturave tona që të jemi sa më të përgatitur në procesin e zgjedhjeve. Ne jemi duke përgatitur një ofertë sa më të mirë zgjedhore, dhe për këtë kemi të përfshirë ekspertë edhe nga jashtë, edhe institucione nga jashtë. Brenda këtij vikendi kemi vazhdimin e përgatitjeve për ofertën elektorale të Lëvizjes Besa në bashkëpunim me institutin e mirënjohur amerikan IRI. Ne vazhdojmë me ngritjen e zërit  të revoltës qytetare gati çdo ditë. Para disa ditëve ne kishim një aksion para qeverisë me forumin rinor. Ne vlerësojmë se kemi shumë punë për të bërë si opozitë, për të denoncuar gjitha dështimet e kësaj qeverie dhe ende vlerësojmë se nuk është koha për koalicione të mundshme. Por do të flasë këtu mbi parimin që në vazhdimësi jemi fokusuar dhe jemi thirrur. Lëvizja Besa do të dëshironte një koalicion të mundshëm mbi parimin e një oferte opozitare, dhe në këtë drejtim do të kishim pasur gatishmëri kur të vijë momenti i duhur të përgatitet, të përpilohet një ofertë opozitare për votuesit shqiptarë, pasi edhe në zgjedhjet e 2016 u tregua se votuesit opozitarë janë shumicë te shqiptaret e Maqedonisë, dhe ne duhet të gjejmë rrugën që më së miri ta artikulojmë këtë votë dhe që kjo votë nesër të jetë zëri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

 

KDP: Si qëndroni me ASH-në opozitare. Ka gjasa që këtë herë të garoni si koalicion?

Bilall Kasami: Sigurisht se ka pasur komunikim korrekt opozitar. Opinioni e di që ne bashkërisht përkrahëm një kandidatë për president siç është profesor Blerim Reka për të cilën gjë edhe votuesit shqiptar në Maqedoninë e Veriut e dhanë verdiktin e vetë. Profesori Blerim Reka në zonat shqiptare e fitoi kandidatin e qeverisë gati dy me një. Ky është rezultat bindës dhe kjo na jep, si të thuash, garancë që ndoshta do të ishte e mundur një  bashkëpunim opozitar dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi  vota opozitare do të ishte më mirë e përfaqësuar  dhe shqiptarët do të ishin më mirë të përfaqësuar në institucionet e Maqedonisë së Veriut.

 

KDP:  Po me PDSH, Alternativa apo edhe me BDI?

Bilall Kasami: Unë besoj se përgjigja në pyetjen paraprake ishte edhe përgjigja në këtë pyetje. Është problematike që të bashkëpunojmë me pjesë të një qeverie, të cilën ne në parim e vlerësojmë si të dështuar. Nuk mundet që një ministër i një partie të jetë i suksesshëm në një qeveri të dështuar. Parimisht oferta jonë elektorale për këto zgjedhje do të jetë e mbështetur në dështimet e kësaj qeverie dhe në një ofertë që do ketë zgjidhje për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht për të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe nëse ndërton një platformë të tillë që do të artikulojë dëshpërimin e shqiptarëve për këto 15 vite është vështirë që atë platformë ta infektosh me atë të virus, që është pjesë e po atij dështimi, që është pjesë e qeverisë aktuale. Prandaj, vlerësoj që e natyrshme do të ishte në këto zgjedhje partitë të cilat janë pjesë e qeverisë së Zoran Zaevit të jenë bashkë, qoftë edhe në një koalicion të përbashkët parazgjedhor, ashtu siç arritën të bëjnë koalicion paszgjedhor, ashtu siç dolën bashkë në përkrahje të kandidatit të përbashkët në zgjedhjet presidenciale pse jo të garojnë bashkë në këto zgjedhje dhe shqiptarët njëherë e përgjithmonë t’ua tregojnë vendin ku e kanë.

 

KDP: Do të pranonit koalicion parazgjedhor me VMRO-DPMNE?

Bilall Kasami: Nuk e kemi diskutuar. Vlerësojmë se ende është herët për koalicione parazgjedhore për partitë të cilat përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni. Ne vlerësojmë se Lëvizja Besa është një parti që do të artikulojë zërin shqiptar në institucionet e këtij shteti. Deri sa nuk kemi një dakordësi për çështjet e hapura të shqiptarëve, të drejtat e shqiptarëve, ne vlerësojmë që është i pamundur një bashkëpunim  bazuar në një ofertë parazgjedhore multietnike. Prandaj, ne dhamë edhe kontributin tonë dhe përkrahëm pa hezitim një kandidatë shqiptar për president. Përndryshe, edhe ne do të ishim pjesë e karvanit, i cili me gjasë llogaritej fitues. Ne jo rastësisht dolëm dhe u përballëm me këtë koncept, i cili thotë të ndërtohet një shoqëri për të gjithë, por i cili ëndërron një shoqëri maqedonase për të gjithë. Dhe kjo nuk është integrim dhe kjo nuk është bashkëjetesë, por kjo është opsioni më i vrazhdë i asimilimit.

 

KDP: Doni të thoni se përjashtoni mundësitë me partitë maqedonase, apo cila nga partitë të kampit maqedonas është e pranueshme për Lëvizjen Besa?  

Bilall Kasami: Sigurisht se i përjashtojmë të gjithë opsionet e koalicionimit me partitë maqedonase para zgjedhjeve, ndërsa pas zgjedhjeve është diçka tjetër. Ne ashtu siç e treguam edhe në të kaluarën, për katër vite e paguam çmimin që Zoran Zaevit i thamë jo atëherë kur të gjithë tek ai shikonin një shpëtimtar.

 

KDP: Pas zgjedhjeve cila parti do të ishe e pranueshme për Lëvizjen Besa?

Bilall Kasami: Do të ishte e pranueshme ajo parti, e cila është e gatshme që të bisedojë për rregullimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut. Një rregullim i cili ndërtohet  mbi bazën e partneritetit të plotë shqiptaro-maqedonas, ku edhe shqiptarët do të kenë mundësinë e barabartë të kontribuojnë në ndërtimin e një shteti, i cili do të krijojë një mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Vet sistemi i manipulimit me gjashtë zona zgjedhore, apo keqpërdorimit që ndodhën pas mbylljes së vendvotimeve,  BDI arriti që vetëm me 25 mijë vota më shumë të marrë 5 deputetë më shumë se Lëvizja Besa.

KDP: Si janë parashikimet tuaja, sa vota dhe sa deputetë mund të fitojë Lëvizja Besa?

Bilall Kasami: Nuk dua që të luaj rolin e parashikuesit, por do t’ju them një të vërtetë të cilën e ndjenjë gjithë qytetarët: Atëherë kur shumëkush e llogariste Lëvizjen Besa si një parti minore, inekzistente, Lëvizja Besa arriti seriozisht ta sfidojë pushtetin diktatorial BDI-VMRO dhe në kushte të një diktature, e cila më së shumti ndjehet te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, arriti që të grumbullojë diku 60 mijë vota. BDI me gjithë ato mekanizma që ia ofroi VMRO e Nikolla Gruevskit nuk mundi të marrë më shumë se 25 mijë vota më tepër se Lëvizja Besa. Vet sistemi i manipulimit me gjashtë zona zgjedhore, apo keqpërdorimit që ndodhën pas mbylljes së vendvotimeve,  BDI arriti që vetëm me 25 mijë vota më shumë të marrë 5 deputetë më shumë se Lëvizja Besa. Tash është koha që Lëvizja Besa të jetë parti fituese dhe zëri i shqiptarëve të Maqedonisë në institucionet e këtij vendi dhe këtë më së shumti e besojnë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe për këtë fuqishëm angazhohen gjitha strukturat e Lëvizjes Besa.

 

(Kjo është vetëm një pjesë e bisedës me kryetarin e BESË-s, Bilall Kasami. Intervistën e plotë e gjeni në formatin VIDEO)

Të fundit