E shtunë, 18 Maj, 2024

ZGJEDHJET IA “ZËNË FRYMËN” EKONOMISË, A DO TË ARRIHET ZHVILLIMI I PARASHIKUAR EKONOMIK?

Zgjedhjet e shpeshta mbeten shqetësim i vazhdueshëm për komunitetin e biznesit. Afaristët thonë se në periudha zgjedhore gjithçka ngrinë dhe shfaqet një lloj shtrëngese në botën e biznesit. Përfaqësuesit qeveritarë thonë se të gjitha projeksionet do të realizohen. Jo vetëm sipërmarrësit, por edhe konsumatorët reagojnë ndryshe në periudha zgjedhjesh. Kërkohet zgjidhje për zgjedhjet e shpeshta.

 

Autore: Xhumadije Ibrahimi

 

Gjatë tërë kohës bota e biznesit është ankuar për mungesë klime, por duket se kur vijnë zgjedhjet, qofshin ato presidenciale, lokale apo parlamentare, kjo klimë jo e favorshme për biznes rëndohet akoma më tepër. Sipas përfaqësuesve të sferës së biznesit dhe afaristëve të shumta, zgjedhjet i ngadalësojnë zhvillimet ekonomike. Ndërkohë përfaqësues të qeverisë theksojnë se gjithçka do të shkojë në bazë të projeksioneve që nënkuptojnë një zhvillim ekonomik. Kryeministri Zaev ka siguruar se deri në fund të vitit do të ketë një rritje ekonomike mbi 4 për qind.

Lajmet e negative nga Brukseli, por edhe vendimi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm kanë shqetësuar sipërmarrësit dhe komunitetin e biznesit. Afaristët janë të bindur se situata politike në vend do të mbizotërojë mbi atë ekonomike.

Duke komentuar vendimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe përgjigjen negative nga Brukseli ish politikani, Imer Selmani, ka theksuar se çdo cikël zgjedhor krijon pasiguri tek investitorët dhe konsumatorët dhe ngadalëson rritjen ekonomike.

“Çdo cikël zgjedhor, ndoshta janë 15 apo 20 që nga pavarësia e këndej, veçanërisht këto parlamentare krijojnë një pasiguri tek investitorët, por edhe tek konsumatorët dhe gjithë ajo periudhë 2-3 mujore sjellë një pasiguri, e cila e ngadalëson rritjen. Fjalët optimiste janë shumë të mira të dëgjohen nga ana e kryeministrit Zoran Zaev. mirëpo fakti është i pamohueshëm”, thotë Selmani.

Ministri pa resor për investime vendore, Hisen Xhemaili, thotë se qeveria mbetet e përkushtuar që projektet e nisura t’i realizoj deri në fund.
“Qeveria e Maqedonisë mbetet e fokusuar që të shtyjë përpara disa nga proceset që rrjedhin në vend në drejtim të investimeve kapitale që kanë qenë të programuara në buxhetin paraprak, masat e qeverisë që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike sidomos me ndërmarrjet e vendit, por edhe orientimet buxhetore që do t’i bëjë për vitin e ardhshëm edhe pse viti i ardhshëm do të ishte një vit zgjedhor pasi bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme.

Nga OEMVP kërkojnë që mos të ketë cikle të shpeshta të zgjedhjeve, por të njëjtat të mbahen bashkërisht , për shkak se ndikojnë negativisht tek biznesi.

“Me shpalljen e zgjedhjeve ndërpriten me ligj disa aktivitete, disa projekte në kapitalin publik dhe njëkohësisht kjo pengon në shumë fusha të biznesit privat. Në momentin kur bëhet shpallja e zgjedhjeve ndërpriten shumë aktivitete nga planet urbanistike. Në të ardhmen ne kërkojmë që mos të ketë zgjedhje të shpeshtuara, madje do kërkojmë që zgjedhjet lokale, presidenciale dhe parlamentare të bëhen në një cikël zgjedhor dhe të mbyllet kjo, që të mos ketë shpesh zgjedhje sepse me të vërtet ndikojnë negativisht tek bizneset”, thotë nënkryetari i OEMVP, Mendi Qyra.

Por Kryeministri Zoran Zaev nuk heq dorë nga optimizmi, viti 2019 mbetet një vit ekonomik, pavarësisht gjithçka, sipas tij ekonomia e vendit do të tejkalojë pritjet këtë vit, duke dhënë rritje prej mbi katër për qind deri në fund të vitit. /KDP

Të fundit