Koment i gazetës zvicerane «Tages Anzeiger» – Emmanuel Macron po e dëmton kredibilitetin e BE-së në rajon dhe po i forcon nacionalistët.
Pas premtimit vjen mashtrimi. BE dëshironte të fillonte në pranverë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në çastin e fundit dy vendet e Ballkanit u ngushëlluan duke iu thënë të presin deri në vjeshtë, sepse nuk dëshirohej që të forcoheshin popullistët e djathtë para zgjedhjeve europiane. Tani ka ardhur vjeshta, gjethet po bien – dhe me to edhe premtimet e BE-së. Ishte para së gjithash presidenti francez Emmanuel Macron, i cili me veton e tij poshtëroi jo vetëm Shkupin dhe Tiranën, por e vuri në dyshim edhe tërë politikën e zgjerimit të BE-së. Kësisoj Macron u demaskua si popullist, i cili dëmton rëndë kredibilitetin e BE-ë në Ballkan.
Fillimi i negociatave për anëtarësim ka një rëndësi para së gjithash simbolike. Bisedimet zgjasin me vite, dhe ato mund të bllokohen në çdo çast nëse shteti kandidat bën hapa pas në reforma. Shqipëria dhe Maqedonia me gjasë nuk do të jenë të gatshme për anëtarësim as pas 10 vitesh. Por të dy vendet së fundi kanë bërë hapa të rëndësishëm për t’u kualifikuar për negociata. Në Shqipëri ekspertët ndërkombëtarë po i verifikojnë gjykatësit dhe prokurorët. Reforma ka efekt, shumë zyrtarë të korruptuar të drejtësisë janë shtyrë të largohen. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka rrezikuar mjaft në politikën e brendshme kur pranoi emërimin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut. Pas kësaj Greqia i dha fund bllokadës së anëtarësimit në NATO dhe hapi rrugën për integrimin në BE të fqiut verior.
Macron argumenton se BE së pari duhet të reformohet, pastaj të pranojë shtete të reja. Por fillimi i negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat së bashku kanë vetëm rreth 5 milionë banorë, nuk do ta pengonte BE-në që t’iu qaset problemeve të brendshme. Macron nuk po mendon në aspektin afatgjatë, por në rizgjedhjen e tij më 2022. Rusia, Kina dhe Turqia, por edhe popullistët e korruptur në Ballkan tani mund të gëzohen për shkak të pavedosmërisë së Europës./dialogplus