E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZIGZAG: DACKA NGA PARISI

Presidenti francez, Emanuel Makron, la pa frymë euro-optimistët e Ballkanit Perendimor dhe u dha krahë atyre të cilët pretendojnë se integrimi euro-atlantik nuk duhet të jetë e vetmja alternative. Disa përmendin ‘Nënën Rusi’, disa Baba Dovletin, por ka edhe të tjerë që thonë se presidenti amerikan Donald Trump në vend se të blejë Grenlandën, më mirë është të bëjë pazar me këtë Evropën Juglindore!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1.Raundi i parë i takimit të parisë sonë politike tek Presidenti Stevo Pendarovski, i shërbeu këtij të fundit si atu për të siguruar popullin se integrimi në NATO dhe në BE mbetet toptan përcaktim strategjik i të gjithëve. Natyrisht, për dështimin, kutet e politikanëve, mbeten të ndryshume. Dyshja Zaev&Ahmeti nuk e fshehën zhgënjimin pse ëndrra evropiane nuk u bë realitet në këtë kapëryell dhjetëvjeçarësh. I bënë të gjitha, edhe emrin e shtetit e ndërruan, me Greqinë, edhe Traktatin e Miqësisë, me Bullgarinë, e nënshkruan, ama datën për çeljen e negociatave – nuk ua servuan! Opozita, u mor vesh, turrevrap drejtoi gishtin nga mazhoranca. Të hënën, kreu I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, më tha se fajin për dështim nuk duhet kërkuar në Bruksel, por në Shkup: ‘Ajo që ndodhi atje është vetëm rezultat i politikave të gabuara që ndodhën në Republikën e Maqedonisë gjatë periudhës së kaluar, politikave reprezent i së cilave është praktikisht Qeveria e prirë nga Zoran Zaev dhe LSDM-ja. Në vazhdimësi u bënë gabime tashmë për tre vite me radhë. Kurresi t’i shikonin shenjat pranë rrugës se praktikisht do të ndodhte ajo që edhe ndodh’.

Mickoski, në të njëjtën kohë është edhe kundër vendimit që Maqedonia e Veriut të jetë në një shportë vlerësimi nga ana e BE-së: ’Ndërlidhja jo e natyrshme me Shqipërinë në këtë proces nënkupton se këtu ne paguajmë një koncesion të madh. Përse? Që të mos kuptohem gabimisht, me respekt të thellë për fqinjin tonë perendimor, mendoj se në shumë procese ne jemi shumë më përpara se ç’është shteti i Shqipërisë. Për këtë, nëse unë kam të drejtë apo jo, nuk po hyj në detaje, shikonie raportin e fundit gjatë votimit në Bundestagun gjerman dhe do të shihni sa kushte mori ‘Po’-ja pozitive për Shqipërinë dhe sa vota mori ‘Po’-ja pozitive dhe cilat ishin kushtet që i mori Maqedonia’!

Sidoqoftë, dacka erdhi nga Parisi, nga shefi i Pallatit të Jelisesë, Emanuel Makron, i cili, thonë vëzhguesit, mëton të plotësojë boshllëkun e krijuar me largimin eventual të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropain dhe me ‘pensionimin’ paralajmëruar të kancelares gjermane Angela Merkel! Gjendjen e krijuar e ka shpjeguar më së miri, këto ditë, Bernd Rigert, korrespondent nga Brukseli i radios gjermane Dojçe Vele. Sipas tij, vetoja e pakuptimtë e Makronit e ka futur Bashkimin Evropian në një krizë të dyfishtë të besueshmërisë: Njëra në Ballkan e tjetra në Bruksel: ‘Sa ia vlejnë premtimet e BE-së nëse nuk plotësohen as pas reformave dhe përpjekjeve të kandidatëve? Përse ekspertët e BE-së që din të jetë kritike, verifikojnë me vite kandidatët, nëse në fund mjafton një ‘jo’ nga parisi që rezultatet e shumta të verifikimit të jenë të pavlefshme,?’- pyet gazetari gjerman.

Po të kundrohen gjërat nga Mali i Dajtit, Kodra e Diellit apo edhe nga Kodra e Furrës, me tejqyrë, pejsazhi është goxha mbresëlënës: Këto ditë vjeshtë-dimri, edhe me erën nga Pallati i Jelisesë, kanë për ta bërë më të ndotur mjedisin. Presidenti francez, Emanuel Makron, la pa frymë euro-optimistët e Ballkanit Perendimor dhe u dha krahë atyre të cilët pretendojnë se integrimi euro-atlantik nuk duhet të jetë e vetmja alternativë. Disa përmendin ‘Nënën Rusi’, disa Baba Dovletin, por ka edhe të tjerë që thonë se presidenti amerikan Donald Trump, në vend se të blejë Grenlandën, më mirë është të bëjë pazar me këtë Evropën Juglindore, tonën! Jemi shumë: ortodoksë, myslimanë e katolikë. Një laryshi ngjyrash që, besoj, nuk ia vrasin aq syrin Amerikës sa Evropës së Presidentit Makron!

2.Dhe, kur është fjala për Tiranën, miku im Lutfi Dervishi, ka folur për portalin bota.al dhe, ndër të tjera I është përgjigjur edhe kësaj pyetjeje: 93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonëm, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?’ Përgjigjen e tij, topi s’e luan: ‘Për shkak të konfliktit politik, vendi humbi shansin e artë më 1996-1997 për të marrë marrëveshjen e asociimit me BE-në. Sot, pas 22 vjetësh jemi më larg BE-së se ç’ishim më 1996. Të shkosh në BE do të thotë të transformosh vendin, jo domosdoshmërisht të kesh infrastrukturë të mirë rrugore, por mbi të gjitha insfrastrukturë të mirë ligjore, ndërtim institucionesh të pavarura, praktikë e konsoliduar në ndarjen e pushteteve, në respektimin e fjalës së lirë dhe minoriteteve, respektimin dhe nxitjen e konkurrencës, drejtësi të pavarur, media të pavarura, shoqëri civile aktive. Gjërat shkojnë mirë kur ke mekanizma që kufizojnë qeverinë/pushtetin dhe jo kur qeveria është e pasfidueshme në Parlament, në gjykata, në institucionet e pavarura, apo edhe nga media e shoqëria civile. Shanset e arta për integrim i kemi humbur disa herë. Mali i Zi nuk ishte ende shtet më 2006 dhe sot negocion kapitujt. Serbia ka qenë në luftëra në rajon dhe sot negocion kapitujt. Kroacia ishte në luftë më 1995 dhe sot është vend anëtar. Kemi një vonesë tragjike historike dhe një keqkuptim të madh. Ne themi: nuk na duan në Europë. Europa nuk po mban fjalën. Europa na ka borxhe dhe e konceptojmë “vajtjen në Europë” si biletë që duhet të na paguajnë të tjerët. E kuptojmë si destinacion që duhet të shkojmë, dhe jo si faturë që duhet ta paguajmë vetë dhe si “godinë” që duhet ta ndërtojmë këtu!

3.Në Kosovë vazhdon ankthi i numërimit të votave, tratativat për ndërtimin e koalicionit qeverisës dhe paraqitja publike e Albin Kurtit, me shumë gjasë, kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Me këtë të fundit mund të pajtohemi ose jo, ama qasja dhe kundrimi i çështjeve gjithmonë dalin të mbarështruara. Por, më rastisi të lexoj, teksa po i shkruaj këto rreshta, një përshtypje të mikut tim Enver Robelli, i cili thotë se nga puina me karar nuk ka asnjë zarar: ‘Albin Kurti i dha intervistë ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’-ut, e cila lexohet çdo ditë edhe nga kancelarja gjermane dhe është njëra ndër gazetat më të rëndësishme konservatore në Europë. Albin Kurti i dha intervistë ‘Guardian’-it të Londrës, një gazetë me rrezatim global. Albin Kurti i dha intervistë kryeredaktorit të ‘Kohës Ditore’ Agron Bajramit – dhe kjo intervistë ishte shumë e mirë edhe për shkak se pyetjet ia bëri një gazetar profesionist. ‘Der Spiegel’ dhe media të tjera të rëndësishme perëndimore shkruan portrete shpresëdhënëse për Albin Kurtin.
Kaq do t’i mjaftonte Albin Kurtit për t’iu kthyer punëve të rëndësishme politike. Në vend të kësaj ai po vazhdon të japë intervista poshtë e lart, andej e këndej – dhe vazhdon të gabojë, sepse kur flet pandërprerë dhe pa asnjë zor, patjetër do të biesh në ndonjë gropë’.

Eh, sikur ta lexonte këtë edhe kryeministri ynë në largim, Zaev, po pse jo edhe ai në Tiranë! /KDP

 

 

 

Të fundit