Në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 530 qendra votimi iu nënshtruan procesit të rinumërimit të votave për shkak të manipulimeve të llojeve të ndryshme. Rezultate përfundimtare ende nuk ka.
Zgjedhjet në Kosovë u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtar si të rregullta, demokratike dhe pa telashe të mëdha në ditën e votimeve, por megjtihatë ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare. Kjo për arsye se në mbi 530 qendra votimi po kryhet rinumërimi i votave për shkak të parregullsive të shumta. Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) thonë, se deri tani janë numëruar më shumë se gjysma e votave nga këto 530 qendra.
“Procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të përfundoj brenda 3-4 ditëve, pastaj iu hapet rruga numërimit të votave me kusht, që praktikisht do t’i marrë edhe 2 ditë. Pra i kemi rezultatet e vendvotimeve të rregullta, të cilat janë në bazën e të dhënave, do t’i procedojmë rezultatet e vendvotimeve të rinumëruara, që po ashtu do t’ia bashkojmë rezultateve finale. Po kemi gjithashtu edhe rezultatet e votave me postë dhe mbeten vetëm edhe rezultatet e votave me kusht në mënyrë që të kompletohen të gjitha, dhe KQZ të publikojë rezultatet përfundimtare”, thotë Burim Ahmetaj Koordinatori i QNR-së.
Procesi i rinumërimit të votave në të paktën 530 vendvotime, nga rreth 2800 sa ishin në mbarë Kosovën, po bëhet për shkak të manipulimeve të shumta nga komisionarët e partive politike dhe që po vlerësohet se po e dëmtojnë të gjithë procesin zgjedhor.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tashmë ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë hetuese që të qëndrojnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për të hetuar parregullsitë e raportuara. Sipas saj, gjatë numërimit të votave në disa qendra votimi janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme. “Sa u takon komisionerëve, unë edhe tani mund t’u bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë që mund të qëndrojnë lirisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe aty për aty të shohin dhe t’i marrin provat, sepse në ato vendvotime ku ka rinumërim janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme”, thotë Valdete Daka.
Nga ana tjetër, mbi 40 mijë fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme dhe tani pë tani sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, akoma nuk ka një konstatim rreth natyrës së pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.
“Edhe sa i përket këtij procesi zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani në këtë periudhë kur po bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve është duke gjetur fletëvotime të pavlefshme dhe duke parë natyrën e tyre. Sigurisht pasi të kemi më shumë kohë do të ketë një raport lidhur me detajet, statistikat që i përkasin pavlefshmërisë së fletëvotimeve”, thotë Valmir Elezi.
Organizata të shoqërisë civile që janë të angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve, thonë se mosinformimi i duhur i qytetarëve ka bërë që të ketë shumë fletëvotime të pavlefshme.
“Në bazë të të analizimit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përgjatë këtyre cikleve të kaluara zgjedhore 5 deri në 6 pikë në përqindje është kryesisht numri i votave të pavlefshme si rezultat i informimit të gabuar apo fushatave të partive, sesa rasteve kur është shënuar më shumë se një subjekt politik që mund të përkthehet në prishje të qëllimshme të fletëvotimit nga ana e votuesve, andaj KQZ duhet të trajtoj pjesën më të madhe të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme që vijnë si rezultat i informimit”, thuhet në një raport të KDI, rrjeti i organizatave që monitorojnë procesin e zgjedhjeve.
Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skënderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67%, Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.
Analistët politik nga ana e tyre thonë, se një prej pikave më të dobëta të sistemit zgjedhor mbetet rinumërimi i pashmangshëm i kutive të votimit dhe e gjithë kjo është pasojë e përpjekjeve të komisionerëve për të manipuluar me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike. Blerim Burjani analist politik dhe ish-anëtar i KQZ-së i tha DW-së se reforma zgjedhore në Kosovë është e domosdoshme. “Duhet të ndodhë një reformë zgjedhore adekuate që eviton mangësitë si në vijim: Ndaljen e manipulimit me votat të kandidatëve të partive që vet partitë politike përmes komisionerëve të tyre i bëjnë. Komisionerët partiak nuk duhet të numërojnë vota, por këtë duhet ta bëjnë punonjësit civil. Dhe KQZ, Këshillat e Vendvotimeve (KVV) dhe Këshillat Komunale Zgjedhore (KKZ) duhet të depolitizohen plotësisht”, thotë Blerim Burjani, sipas të cilit vetëm ndëshkimi i partive politike me gjobë, mund ta ndalë procesin e manipulimit me numërimin e votave.
“Manipulime të votave bëhen, sepse sistemi është i tillë ku partitë politike përmes komisionerëve të tyre numërojnë votat e tyre. Po qe se rriten ndëshkimet ndaj partive politike, atëherë partitë mund ta ndalin këtë fenomen dhe të mos bëjnë gjëra të kundërligjshme dhe duhet të ketë gjoba të rrepta ndaj partive politike e jo vetëm ndaj komisionerëve të partive. Partitë politike keqpërdorin komisionerët e tyre, sepse e dinë që përgjegjësia penale është individuale dhe jo partiake. Pra, duhen mbyllur lista për të ndalur vjedhjen e votave të kandidatëve brenda së njëjtës parti politike”, thotë Blerim Burjani.
Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas KQZ-së nuk mund të publikohet pa përfunduar rinumërimi i vendvotimeve të kontestuara, numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave më aftësi të kufizuara dhe që ky proces mund të kërkojë kohë edhe të paktën një javë. Në bazë të rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja. Këto dy parti tashmë janë në fazën e negociatave për formimin e një koalicioni qeverisës në Kosovë.