E shtunë, 12 Tetor, 2024

Mosmarrja e datës mund të rrisë skepticizmin evropian

Vendimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet negativisht në mbështetjen e qytetarëve të vendit në integrimin evropian.

Shtyrja disa herë e hapjes së negociatave në kohën kur vendi tani 15 vjet ka statusin e shtetit kandidat, sipas ekspertëve, ka nisur të zbehë pritjet e qytetarëve nga Bashkimi Evropian.

Sipas një ankete të Qendrës për Studime Strategjike “Eurothink”, të realizuar nga muaji mars deri në shtator, në 11.8 për qind ka rënë besimi i qytetarëve se Maqedonia e Veriut në dhjetë vitet e ardhshme mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Veç kësaj, vendimi negativ do të reflektohet edhe në uljen e besimit ndaj Qeverisë.

“Legjitimiteti i qeverisë do të ulet. Do të fillojnë debatet për zgjedhjet e ardhshme. Do të ketë akuza mes palëve për pasojat e këtij vendimi. Por, në fund të fundit pas një vendimi të këtillë përjashtues, nuk do të dënohen elitat politike, por qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi mosnisja e bisedimeve mund të çojë Qeverinë që të ndërmarrë hapa jo të duhur apo veprime populiste. Sidoqoftë, vendimi negativ do të ulë pritjet e mëdha që kanë qytetarët për Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Lupço Petkovski, nga Qendra për Studime Strategjike.

Ndërkohë, Shpëtim Pollozhani, njohës i çështjeve politike, thotë se fajtor kryesor për dëshpërimin e qytetarëve, apo rënien e besimit në procesin integrues është Qeveria e jo Bashkimi Evropian.

“Bashkimi Evropian ka plotësisht të drejtë që vendos në këtë mënyrë, pasi nuk janë budallenj që të na pranojnë me gjithë këto probleme, ka 101 probleme që nuk kanë zgjidhje. Nuk janë vetëm aspektet politike, por edhe ato ekonomike, shoqërore dhe shumë arsye tjera, të cilat e kanë sjellë BE-në deri në një konkluzion të këtillë. Unë mendoj se populli duhet ta ketë kuptuar se me këtë elitë politike edhe 20 vjet nuk do të hyjmë në Evropë”, thotë Pollozhani duke u ndalur te reformat në Gjyqësor, të cilat, sipas tij, nuk u arritën, me pavarësisht pritjeve të mëdha të qytetarëve, e as të miratohet Ligji i Prokurorisë, që gjithashtu është përmendur nga shtetet anëtare të BE-së

“Nuk ka asnjë reformë në Gjyqësor. Një nga kërkesat e BE-së ishte edhe procedimi i të gjitha veprave penale. Janë me mijëra vepra penale që janë bllokuar në Prokurori. Pra, asgjë nuk ka ndryshuar. Prandaj e them se me këtë klasë politike, kemi ngecur në baltë, jo që shkojmë para, por kthehemi pas”, thekson Pollozhani.

Megjithatë, sipas anketës së Qendrës për Studime Strategjike, mbështetja për anëtarësimin evropian edhe më tej mbetet e lartë, rreth 60 për qind e qytetarëve të anketuar janë “Për” integrimin e vendit në BE, kurse 70 për qind konsiderojnë se do të kishin përftime nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Sa i përket mbështetjes në baza etnike, 90 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë për BE-në, ndërsa te maqedonasit kjo mbështetje është për 20 për qind më e ulët.

Edhe pse Franca bllokoi nisjen e bisedimeve, qytetarët e anketuar nuk e shohin këtë vend si shtet armik, por aty bëjnë pjesë shtetet fqinje, në veçanti Bullgaria, me të cilën vendi ende ka konteste historike.

Të fundit