E premte, 29 Mars, 2024

Rama ka të drejtë të festojë edhe sot

Dështimi i Shqipërisë për të hapur negociatat me BE mund të konsiderohet si një sukses i qeverisë për të shmangur skenarin më të keq, atë të ndarjes nga Maqedonia, duke mbetur edhe pas saj. Ky opsion, që ishte prezent deri në fund në tryezë, u eleminua falë një qasje strategjike të presidentit Makron që i “dogji” te dy vendet sëbashku, nën moton: të reformojmë më parë BE, pastaj të mendojmë për zgjerimin.

Nga Andi Bushati

Sikur kreu francez i shtetit mos kishte mbështetur këtë sfidë, qeveria Shqiptare do të ishte në ditën e saj më të keqe dhe në pozitën e saj më të vështirë. Edi Ramës nuk do ti pinin ujë alibitë se faji nuk qëndron tek ne, por është problem i BE.

Veçimi nga fqinji ynë lindor, ashtu siç kërkuan një grup serioz vendesh, do të bëhej realitet dhe Shqipëria do të mbetej në vagonin e fundit përkarh Kosovës dhe Bosnjes.

Drejt këtij fundi katastrofik rilindja ka punuar me kokfortësi dhe këmbëngulje së paku prej tre vitesh.

Ajo ka injoruar dhe fshehur çdo alarm që i ka rënë dhe çdo sinjal shqetësues që ka marrë. Ajo është përpjekur vetëm për një gjë, të vërë në punë makinerinë gjigande të propagands, duke u munduar të fshehë simptomat pa kuruar pasojat.

Kushdo që e ka ndjekur me vëmendje këtë proces e ka të qartë se sinjalet për një fund katastrofik kishin mbërritur me kohë. Së paku Gjermania, por edhe Holanda edhe Franca, i kanë dhënë mesazhet të qarta se shumëçka nuk është në rregull, por në vend që të dëgjoheshin, ato u munduan të sfumoheshin në zhurmën e daullexhinjve të propagandës.

Në nëntor të 2016, kur Edi Rama qe ende në mandatin e parë përkrah Saimir Tahirit, në Tiranë zbarkoi deputeti i CDU-së së Merkelit, Krichbaum, shefi i komisionit për mardhënie me BE-në, në Bundestag. Ai foli për herë të parë për shtatë kushte për hapjen e negociatave mes të cilave përmendej, lufta ndaj krimit, bërja pas në betejën me drogën dhe reforma zgjedhore (Këtu).

Në vend që të reflektonte, Edi Rama e bëri deputetin gjerman, personazh të monoogjeve të tij të përjavshme në Facebook, duke prerenduar se ai ishte përkthyes në gjermanisht i tezave të PD-së dhe se ky lloj deputeti qe pa as një peshë, pasi vendimi ishte në duar të qeverive.

Dy vite më pas, gjatë një vizite në Gjermani, në prill 2018, kjo symbylltësi do ti kthehej në boomerang. Deputetët e djathtë gjermanë do të bojkotonin një darkë më kryeministrin për mënyrën se si qe sjellë me kolegun që pat folur në emër të tyre, por njëkohësisht, do ta fshikullonin qeverinë për mbrojtjen që i bëri Saimir Tahirit dhe sulmin kundër prokurorëve që e hetonin atë (Këtu).

Këto nuk ishin sinjalet e vetme. Në gusht 2017 shtypi holandez njoftoi se policia e këtij vendi, i pati kërkuar qeverisë rivendosjen e vizave me Shqipërinë. Në vend që kjo indicje të shtypte butonin e alarmit, e mobilizoi shtetin për fshehjen e lajmit. Ambasadorja jonë në Hagë deklaroi se gazeta “De Telegraaf” ishte përkthyer keq në Tiranë dhe shqetësimi u tentua të varrosej me kaq (Këtu).

Sjellja prej struci nuk zgjidhi asgjë.

Në prill të këtij viti, 105 deputetë holandezë (nga 150 gjithsej), e votuan atë që ne shtireshim sikur nuk donim ta shikonim. Po, pa nxjerrë asnjë mësim, vendimit për heqjen e lirisë së lëvizjes, daullexhinjtë e rilindjes iu përgjigjën me një sulm idiotesk ndaj vendit të tulipanëve, si një vatër shumë më e madhe se ne, për krimin dhe drogën. Përgjigjja ndaj gjithë këtij mos reagimi ishte një votimi i dytë i deputetëve në Hagë, për ti thënë JO, hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Po e njëjta fabul është përsëritur edhe me Francën. Shqetësimi për azilkërkuesit shqiptarë nuk është i tanishmi. Ai daton që në vitet, 2016-2017, kur presidenti i sotëm Makron ishte thjeshtë një anëtar i kabineti i paraardhësit të tij Holland. Të gjithë ministrat tanë të brendëshëm pa përjashtim janë thirrur në Paris, për të dëgjuar këtë shqetësim që nuk është një alibi e nxjerrë sot. Homologët e tyre francezë si rrallë herë kanë ardhur njëri pas tjetrit në Tiranë, për të zgjidhur problemin. Por, gjithmonë, qeveria shqiptare është treguar e paaftë për tu dhënë një përgjigje serioze. Sepse, përpara masave konkrete ajo ka pasur një preokupim: fshehjen e lajmit.

Pikërisht kjo politikë e mbylljes së syve, kjo sjellje sikur alarmi nuk ekziston, kjo përpjekje e shtetit të propagandës, për të mbytur çdo të vërtetë, na solli në pikën kritike të ndarjes nga fqinji ynë lindor.

Ajo kulmoi në propozimin e presidencës finlandeze të mbështetur nga shumë vende, për të veçuar Shqipërinë nga Maqedonia. Ajo u dallua tek ato vende anëtare si Danimarka, Holanda, Spanja që ne na thanë JO dhe atyre PO. Ajo u duk te të tjera si Gjermania, që ne na mbytën me kushte ndërsa Shkupit i ndezën dritën jeshile.

Falë presidentit Makron dhe një vizioni të tij të ndryshëm për Europën e dy shpejtësive që transformon edhe politikat e saj të zgjerimit, Edi Rama dhe daullexhinjtë e tij shpëtuan nga ky turpërim publik. Ata shmangën më të keqen, mbetjen pas Maqedonisë. Ata realizuan ëndrën e shqiptarit primitiv që kur nuk ia del vetë, lutet të ngordhë lopa komshiut.

Kryerilindasi e kori së paku këtë fitore. Prandaj ai sot është në të drejtën e tij të organizojë sërisht një festë. Të hapë shampanjë dhe të hedhë fishezkzarre si një vit e ca më parë kur na tha se negocitat i kishim hapur.

Të fundit