E shtunë, 27 Korrik, 2024

ÇFARË PO NDODH NË BE: MAKRONI PARALAJMËRON KRIZË POLITIKE

Pas humbjes së kandidates franceze për në Komisionin e BE, Sylvie Goulard, presidenti i Francës e ka rritur presionin ndaj presidentes së ardhshme të Komisionit të BE-së, gjermanes Ursula von der Leyen, shkruan DW, përcjell KDP. Një tjetër mosmarrëveshje në relacionin Francë-Gjermani është edhe çështja e caktimit të datës për fillimin e anëtarësuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Çfarë po ndodhë në BE?

Presidenti i Francës Emmanuel Macron pas dështimit të kandidates së Francës për Komisionin e BE-së ka paraljamëruar për “krizë politike”. “Ka një Komision të ri, një Parlament të ri Europian (…) që të dy po konfrontohen me një krizë politike”, tha Macron. Nuk duhet të lejojmë, që kjo të avancojë më tej. “Unë besoj, se është e rëndësishme të kemi një komision të fortë, që të mund t’i realizojë projektet ambicioze.” Macron bëri thirrje, se duhet të kapërcehen tensionet.

Parlamenti Europian të enjten (10.10) e refuzoi kandidaten franceze ish-ministren e Mbrojtjes Sylvie Goulard  për Komisionin e ri të BE-së. Ajo ishte propozuar të drejtonte sektorin e Industrisë dhe Tregut të Brendshëm në Komisionin e BE-së. Një problem për të ishin ndër të tjera edhe hetimet lidhur me një aferë për punësim të rremë. Kjo aferë bëri që ajo të tërhiqet nga posti i ministres së Mbrojtes në vitin 2017.

Macron bëri drejtpërdrejt përgjegjëse për këtë dështim presidenten e ardhshme të Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ai tha, se ajo vetë kishte insistuar për Goulard, të cilën e njeh nga koha si ministre e Brendshme dhe se kishte llogaritur me miratimin e saj në parlament. Macron duhet t’i jetë drejtuar von der Leyen me fjalët: “Kujdes, (…) do kemi diskutime.” Një zëdhënëse e komisionit në Bruksel tha, se “as nuk e mohon dhe as nuk e konfirmon këtë”.

Sekretarja e shtetit në Francë për Europën, Amélie de Montchalin, e paralajmëroi Ursula von der Leyen, se Komisioni i ri me gjasë nuk mund të nisë më 1 nëntor sipas planifikimit punën e tij. “Ursula von der Leyen duhet të thotë tani, se çfarë pret nga Franca”, kërkoi de Montchalin. Në shtypin francez refuzimi i kandidates Goulard vlerësohet si një dështim i rëndë për Macron.

Në këtë drejtim, një mosmarrëveshje tjetër brenda BE është caktimi i datës për fillimin e bisedimeve anëtarësuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Zhgënjim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë: Franca nuk do ta pranojë hapjen e bisedimeve të antarësimit me këto dy vende të Ballkanit.

Që vende si Gjermania dhe Franca kanë qendrime krejt të ndryshme lidhur me hapjen e procesit të negociatave për antarësim mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë duket se nuk e shqetëson Parisin. Franca do ta bllokojë hapjen e planifikuar të bisedimeve me dy vendet e Ballkanit – Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – për antarësimin e tyre në BE. Qeveria në Paris i konsideron të pamjaftueshme hapat ndërmarra në këto  dy vende, u shprehën të premten (11.10) në Bruksel disa diplomatë. Gjithashtu Franca kërkon një reformim thelbësor të procesit të antarësimit si kusht për të dhënë miratimin e saj. Kritikohet ndër të tjera, që procesi i antarësimit është mjaft teknik dhe në rast të zhvillimeve problematike mund të ndalet me shumë vështirësi. Me veton e saj Franca del edhe kundër Gjermanisë, që bashkë me shumë shtete të tjera të BE-së është angazhuar për bisedimet e antarësimit. Qeveria gjermane i referohet vlerësimit të Komisionit të BE-së, që këto vende i kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave dhe se Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u janë premtuar bisedimet. Në fakt fillimi i bisedimeve të antarësimit do të duhej të vendosej të martën e ardhëshme (15.10) në takimin e ministrave të BE-së në Luksemburg. Por rezistenca e një vendi mjafton për ta penguar këtë. Në radhë të parë për Maqedoninë e Veriut një bllokim do të ishte i hidhur, sepse vendi me rreth 2,1 milionë banorë nisur nga perspektiva për bisedimet e antarësimit pranoi ndryshimin e emrit në Maqedonia e Veriut. Qeveria greke e pati kërkuar këtë, sepse edhe krahina veriore e Greqisë mban të njëjtin emër dhe druhej për pretendime eventuale territoriale.

Greqia ia doli të imponohet, sepse miratimi i bisedimeve të antarësimit në BE duhet të pranohet njëzëri nga të gjitha vendet anëtare. Ky vend e pati kushtëzuar pranimin për ndryshimin e emrit me shpresat për afrimin në BE. Si rrjedhojë shumë shtete e shohin me habi dhe nuk e kuptojnë veton e Francës. Një diplomat, sikurse njofton agjencia e lajmeve DPA të premten (11.10) tha, se “kush bllokon tani procesin e antarësimit mban përgjegjësi për ndonjë destabilizim të mundshëm në fqinjësinë tonë”. Një numër i madh shtetesh të BE-së ishin angazhaur për bisedimet e antarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shansi i fundit për këto bisedime mbetet tani një takim i planifikuar për të dielën (13.10) mes kancelares Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Të fundit