E martë, 10 Dhjetor, 2024

Nobeli në letërsi i akordohet Handke dhe Tokarczuk

Çmimet Nobel për Letërsi i fitojnë Handke dhe Tokarczuk Shkrimtarja polake Olga Tokarczuk merr çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2018, ndërsa për vitin 2019 fitues shpallet austriaku Peter Handke, njofton DW.

Për herë të parë këtë vit u dhanë dy çmime Nobel për Letërsi, pas një pushimi njëvjeçar të akademisë, për shkak të një skandali me ngacmime seksuale. Secili nga çmimet kap shumën prej (rreth 830 000 euro).

Akademia e argumentoi dhënien e çmimit për Peter Handken “për një punë me ndikim të madh, që me fantazi të madhe linguistike ka hulumtuar zonat periferike dhe veçantitë e përvojës njerëzore.” Peter Handke u lind në Kärnten të Austrisë më 6 dhjetor 1942. Para provimit përfundimtar ai i ndërpreu studimet e drejtësisë dhe botoi romanin e tij të parë “Die Hornissen”. Në të njëjtin vit, më 1966, vijoi në Frankfurt inskenimi i pjesës teatrale Publikumsbeschimpfung,(Sharje për publikun) ku kritikonte sidomos grupin letrar legjendar të viteve ’60, “47”, inskenim që do ta bënte Handken të famshëm brenda natës. Ndër tekstet e tij më të famshme në prozë janë “Die Angst des Tormanns beim Elfmeter” (Frika e Portierit para penalltisë, 1970), “Der kurze Brief zum langen Abschied” (Letra e shkurtër për ndarjen e gjatë, 1972) dhe “Versuche” (über die Müdigkeit, die Jukebox und den geglückten Tag, 1989-1991) (Eksperimentet (mbi lodhjen, jukeboxin dhe ditën me fat), 1970).

Personalitet i diskutuar

Peter Handke kishte qenë për vite me radhë në listën e kandidatëve kryesorë për çmimin Nobel. Bashkëkombësaja e tij, nobelistja austriake, Elfride Jelinek, ishte e mendimit se ai e meritonte çmimin që para saj. Jelinek e kishte marrë çmimin më të famshëm të letërsisë në vitin 2004, në atë periudhë, Handke ishte ende një nga miqtë e familjes së diktatorit të egër serb, Sllobodan Milosheviç, dhe do të nënshkruante së bashku me shkrimtarin Robert Dickson një apel për mbrojtjen e Sllobodan Millosheviçit, – asokohe në bankën e të akuzuarve në Hagë, me akuzën për gjenocid dhe krime lufte. Dhe ndoshta ishte ky shkaku, se përse askohe, çmimi i taksur për Austrinë shkoi më mirë te shkrimtarja më e re, Elfride Jelinek. Handke do të vazhdonte të radikalizohej në qëndrimin e tij të pazakontë ndaj luftrave të ish-Jugosllavisë. Kur Milosheviçi ndërroi jetë në vitin 2006, Handke do të mbante edhe fjalimin e varrimit. Në vitin 2008 ai do të deklaronte, se po të ishte serb, do të votonte për partinë ultranacionaliste të Tomislav NIkoliçit. Por këto episode të çuditshme nga jeta e shkrimtarit austriak, i cili sot, u çudit shumë kur mori telefonatën nga Stokholmi, na kujtojnë vetëm atë diskrepancë të madhe që ekziston mes ndjeshmërisë politike dhe ndjeshmërisë letrare.

Olga Tokarczuk për vitin 2018

Autorja polake Olga Tokarczuk është më e njohur për romanet e saj. Komiteti i çmimeve e vlerësoi 57-vjeçaren për “imagjinatën narrative, e cila me pasion enciklopedik e paraqet kalimin e kufijve si një mënyrë jetese”. Hera e fundit që çmimi Nobel iu dha një shkrimtareje polake, ishte në vitin 1996, me poeteshën Wislawa Szymborska. Reputacioni ndërkombëtar i Tokarczuk-ut ishte rritur ndjeshëm vitet e fundit. Në vitin 2018, asaj (dhe përkthyesit të saj në anglisht) iu dha Çmimi Ndërkombëtar “Man Booker International” për romanin “Flghts” (Fluturimet) .

Tokarczuk, e lindur në vitin 1962 në Sulechów, ka punuar si psikologe, para se t’i kushtohej tërësisht shkrimit. Romani i saj i parë Podróż ludzi księgi (Udhëtimi i bukinistit) u botua në vitin 1993. Romani i saj më i famshëm Prawiek i inne czasy (Kohë të lashta dhe të tjera) u botua në vitin 1996. Aty ajo përshkruan jetën e një fshati imagjinar polak në tetë dekada.

Të fundit