E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

Shtëpia e Bardhë pozicionohet kundër hetimeve ndaj Trumpit

Shtëpia e Bardhë zyrtarisht ka refuzuar të bashkëpunojë lidhur me hetimin për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, të cilin po e zhvillon Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët.

Përmes një letre dërguar drejtuesve demokratë, Shtëpia e Bardhë e refuzoi hetimin si “të pabazë” dhe “jo të vlefshëm nga ana kushtetuese”.

Tri komitete të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequra nga demokratët po hetojnë presidentin Trump.

Hetimi është duke u përpjekur të zbulojë nëse presidenti ka tërhequr një ndihmë për Ukrainën në mënyrë që ta shtyjë autoritetet ukrainase ta hetojnë Joe Biden, i cili po kandidon për nominimin presidencial të demokratëve.

Letra e Shtëpisë së Bardhë vjen disa orë pasi administrata e Trumpit e bllokoi dëshminë e ambasadorit amerikan në Bashkimin Evropian që të paraqitej para komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Çfarë thuhet në letër?

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone, iu drejtua përmes një letre me gjithsej tetë faqe kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe tre kryetarëve të komiteteve të udhëhequr nga demokratët.

Ai i akuzoi ata për ngritjen e një hetimi “që shkel të drejtat themelore dhe mandatin kushtetues” – posaçërisht duke mos mbajtur një votim për fillimin e hetimit.

Republikanët kanë kundërshtuar mënyrën sesi ka filluar procedura e shkarkimit ndaj presidentit Trump. Në të kaluarën, kur ish-presidentët amerikanë janë përballur me procedurë të shkarkimit, hetimet kanë filluar pas miratimit të një rezolute nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve e cila ka autorizuar komitetet përkatëse për të filluar hetimit.

Mirëpo, kësaj radhe, komitetet e kanë filluar hetimin, pa një vendim të Dhomës së Përfaqësuesve.

New York Times shkruan se letra e Shtëpisë së Bardhë për zonjën Pelosi dhe demokratët e tjerë përmban argumente kushtetuese dhe politike. Këshilltari Cipollone renditi në letër mënyra të ndryshme që, sipas tij, demokratët kanë devijuar nga precedentët e vendosur gjatë hetimeve për shkarkim kundër presidentëve Richard M. Nixon dhe Bill Klinton.

Letra akuzon demokratët se po përpiqen të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

“Për të përmbushur detyrat e tij ndaj popullit amerikan,presidenti Trump dhe administrata e tij, në këto rrethana, nuk mund të marrin pjesë në hetimin tuaj të njëanshëm dhe antikushtetues”, thuhet në letrën e Shtëpisë së Bardhë.

Si përgjigje, zonja Pelosi e quajti letrën “qartazi të gabuar” dhe akuzoi presidentin Trump se po përpiqej të “normalizonte paligjshmërinë”.

“Zoti President, ju nuk jeni mbi ligjin. Do të mbani përgjegjësi”, tha Pelosi, duke shtuar se “Shtëpia e Bardhë duhet të paralajmërohet se përpjekjet e vazhdueshme për të fshehur të vërtetën nga populli amerikan për abuzimin me pushtetin e presidentit, do të konsiderohen si dëshmi e mëtejshme e pengesave”, tha Pelosi.

Pse filluan hetimet ndaj presidentit Trump?

Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Sipas një informatori anonim, që më vonë u tha se është agjent i CIA-s, gjatë bisedës Trump i ka kërkuar homologut të tij ukrainas që të nisë hetime për kundërshtarin e tij në garën për zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, dhe përfshirjen e djalit të këtij të fundit, në një kompani ukrainase për energji.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton fajësinë ndaj Trumpit, atëherë procesi kalon ne Senat i cili zhvillon një procedurë gjyqësore ndaj presidentit dhe merr vendimin përfundimtar.

Republikanët e kanë shumicën në Senat.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi./REL

Të fundit