I dërguari i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, po qëndron në Prishtinë, ku fillimisht është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas takimit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, tha se Grenell pret bashkëpunim me liderët vendorë, në lidhje me dialogun.
“I dërguari i posaçëm presidencial, Grenell pret me padurim që të punojë me presidentin Thaçi dhe liderët e tjerë të Kosovës, për të ndihmuar që të arrihet paqja, drejtësia dhe prosperiteti në Kosovë dhe rajon”, shkroi në Twitter, ambasadori Kosnett.
Special Presidential Envoy Grenell looks forward to working with President Thaci and other leaders of #Kosovo to help bring peace, justice and prosperity to Kosovo and the region. pic.twitter.com/lQ4wtAKZpL
— Ambassador Philip S. Kosnett (@USAmbKosovo) October 9, 2019
Përmes një komunikate, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se takimi me ambasadorin Grenell, ishte i fokusuar në arritjen e marrëveshjes së paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, ka nënvizuar Thaçi, duke shtuar se “kjo shton besimin tonë në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”.
Në këtë takim u tha se marrëveshja e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.
Ambasadori Richard Grenell, sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e presidentit Thaçi, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.
Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.
Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”.
Pas takimit në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë me ambasadorin amerikan në Gjermani Grenell dhe atë në Prishtinë, Kosnett, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka thënë se Grenell fillimisht ka uruar udhëheqësit e Vetëvendosje për vendin e parë në zgjedhjet parlamentare.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Vetëvendosje, thuhet se Grenell para se të udhëtonte për Beograd, theksoi që mungesa e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë është pengesa kryesore e investimeve të huaja në ekonominë kosovare.
Në komunikatë thuhet pos tjerash se Kurti është pajtua me ambasadorin Grenell që Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik dhe investime prej jashtë, por për këtë gjë problem janë sidomos korrupsioni i lartë në qeveri që krijon pasiguri e cila tremb bizneset.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti është shprehur se “përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të”.
Në fund të komunikatës edhe përmendur se bashkëbiseduesit janë pajtuan që sa më shpejtë të krijohet Qeveria e re në Kosovë dhe të vazhdojnë komunikimin e shpeshtë e të rregullt.
Më herët, ambasada amerikane në Prishtinë e ka cilësuar vizitën si tregues për mbështetjen që SHBA-ja i jep procesit të dialogut. Ndërkohë që analistët politikë në Prishtinë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm interesimin për Ballkanin dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo vizitë, vjen në kohën kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të sjellin ndryshime të mëdha në pushtet, ngaqë dy ish-partitë e bllokut opozitar kanë dalë fituese.
Pas takimit me presidentin e Kosovës, Grenell pritet të zhvillojë një takim edhe me kandidatin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare bazuar në rezultatet preliminare, si dhe takime me liderët tjerë politikë në Prishtinë.
Para pak ditësh, presidenti amerikan Donald Trump emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, lidhur me vizitën e përfaqësuesve të lartë amerikanë në Kosovë, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se mbështetja e SHBA-së, për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore.
“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore: I dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
Special Presidential Envoy for #Serbia and #Kosovo Peace Negotiations Ambassador Grenell and U.S. Special Representative for Western #Balkans Palmer discuss the situation in the region with @GermanyDiplo. pic.twitter.com/Qp6t3PTc5I
— US-Botschaft Berlin (@usbotschaft) October 8, 2019
Ndërkohë që një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “Shtetet e Bashkuara shohin një mundësi historike për Serbinë dhe Kosovën që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të normalizuar raportet midis tyre”.
“Vendimi i presidentit për të emëruar të dërguarin presidencial për bisedimet paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nënvizon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për paqe, stabilitet dhe prosperitet për popullin e Serbisë dhe të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e DASH-it.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se emërimi Richard Grenell, tregon përkushtimin e SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi.
Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se emërimet e zyrtarëve amerikanë për Ballkani dhe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë janë forca të shtuar për ta shtyrë përpara dialogun.
“Ne po e shohim se ka një rikthim të vëmendjes së SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht një investim të shtuar të këtij shteti rreth procesit të dialogut Kosovë- Serbi. Ketë e kemi parë gjatë dy vjetëve të fundit, po veçanërisht me dy emërimet e fundit ajo nga Departamentit i Shteti për zotin Palmer dhe kjo drejtpërdrejt nga presidenti Trump për ambasadorin amerikan në Gjermani, zotin Grenell.”, tha Karasniqi.
Krasniqi thotë se Kosova vazhdimisht ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rolë më aktiv në procesin e dialogut dhe kjo çështje, nënvizon ajo, duket se po realizohet. Ajo thekson se tani spektri politik duhet të arrijë një konsensus rreth procesit të dialogut me Serbinë dhe mos të humbet kohë.
“Tani ka ardhur koha që duke parë një interesim kaq të madh edhe ndërkombëtar përkushtim të tyre, gjithsesi sepse ne e kemi kërkuar, tash ne duhet të dimë të pozicionohemi qartë në interes të shtetit tonë dhe të dimë ta shtyjë atë interes përpara. Nuk do të jetë e lehtë sepse kemi të bëjmë me Serbinë e cila nuk është konstruktive, po duhet të dimë të veprojmë”, tha Krasniqi.
Emërimi i ambasadorit të SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell për të përfaqësuar presidentin Trump në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është mirëpritur nga udhëheqësit e Kosovës, ndërkaq presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur emërimin e tij si lajm befasues.
Bashkimi Evropian, pas këtij emërimi, ka ritheksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në për çështjen e dialogut dhe në përgjithësi Ballkanin Perëndimor.
Kosova sapo ka përfunduar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku nga rezultate paraprake të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e parë fituese.
Shteti serb ka kushtëzuar rifillimin e bisedimeve me heqjen e taksës doganore që Kosova e ka vendosur me 21 nëntor të vitit të kaluar, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar heqjen e taksës duke thënë se ‘ajo do të hiqet kur Serbia ta njohë Kosovën shtet’.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidat për postin e kryeministrit, në paraqitjet e tij në mediat vendore ka paralajmëruar mundësin e largimit të taksës doganore për mallrat nga Serbia, por siç ka thënë ai, ajo mund të zëvendësohet me masa reciprocitetit të plotë me Serbinë.