Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje që fitoi zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë thotë se do të vazhdojë bisedimet me LDK-në për të krijuar qeverinë. Sipas tij, secili variant apo përpjekje tjetër për formim të qeverisë do të sillte luftë. Albin Kurti thotë se koalicioni qeverisës duhet të bëhet mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të kundërtën duhet të shkohet në zgjedhje.
“Ose po merremi vesh, ose le të shkojmë prapë në zgjedhje. Ç’ka të bëjmë, ose le të bëhet koalicioni LDK – VV, ose të shkojmë në zgjedhje”, – ka thënë Kurti në një intervistë për Kohën Ditore.
Sipas tij, nëse dikush do të tentojë ta çojë LDK-në në një koalicion me një forcë tjetër ose të ndajë një pjesë të LDK-së për një tjetër koalicion, është ide e dhunshme.
“Ajo do të ishte dhunë me vullnetin e qytetarëve nëse dikush provon ta çojë LDK-në me dikë tjetër, ose t’ia marrë LDK-së naj copë e t’i çojë diku tjetër. Ato ide janë të dhunshme, kështu që nuk janë reale”, – është shprehur Kurti.