Sloganet e reja të partive, tribunat me qytetarët, përforcimi i ekipeve partiake, por edhe ndryshimet në identitetin vizuel të partive paralajmërojnë “mejdanin” e ardhshëm zgjedhor. Gjithë konteksti i lëvizjeve të partive politike vjen si një prolog për zgjedhje në fillim të vitit të ardhshëm.
Analizë e KDP-së
Maqedonia e Veriut po lëvizë në dy linja që krijojnë dy momente tepër të rëndësishme për të ardhmen. Njëra linjë ka të bëjë me procesin integrues dhe ndërlidhet me hapjen e mundshme të negociatave me BE-në në gjysmën e dytë të tetorit, ndërsa linja tjetër ndërlidhet me dinamikat e brendshme që gjatë tërë kohës kanë hapur debatin për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat në vazhdimësi i kërkojnë partitë opozitare.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme është hapur sërish këtyre ditëve, sidomos pas lëvizjeve më të fundit në dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Partia e kryemnistrit, Zoran Zaev, ndërkohë ka bërë të ditur se do të fillojë me tribuna nëpër qytetet më të mëdha të Maqedonisë së Veriut nën sloganin “Në rrugë te drejtë”. Sipas kësaj partia këto takime me qytetarët bëhën për të verifikuar punën e misnistrave dhe krerërve të komunave se dhe për hartimin e një agjende të re zgjedhore që do të përfshinte projektet më me rëndësi për qytetarët.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski thotë se ky aksion i subjektit të tij nuk është paralajmërim për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nga sot, nën sloganin në “Në rrugën e drejtë” LSDM fillon karvanin e tribunave të hapura dhe publike në të gjithë vendin. Në mbi 20 forume qytetare, sy më sy me qytetarët, do t’i dëgjojmë vërejtjet e tyre por edhe do ta prezantojmë punën dy vjeçare në të gjithë shtetit, gjitha rajonet, gjitha komunat dhe çdo vendbanim. Kërkojmë nga qytetarët të na bashkohen ashtu siç u bën bashkë me ne për ndryshime “ ka deklaruar, Lupço Nikollovski, Sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.
Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, gjithashtu po lëvizë në drejtim të përgatijes për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo parti gjatë tërë kohës ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sa më shpejt, ndërkohë që këtyre ditëve, lideri i Hristijan Mickovski, ka prezantuar edhe ekipin që sipas tij do ta rimëkëmb shtetin. Ai ka kërkuar që pas datës së mundshme për bisedime të formohet Qeveri teknike, ndërsa më muajin mars vendi të shkoj në zgjedhje të reja.
“Mendoj që do të ishte e guximshme dhe e mirë për shtetin dhe të ardhmen e vendit që ta pranojë ofertën për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë e ofrova si opsion muajin mars të vitit të ardhshëm. Menjëherë pas mesit të tetorit kur Këshilli Evropian do të prononcohet nëse marrim ose jo datë për bisedime, apo do të ketë zgjidhje të kushtëzuar, të formohet Qeveri teknike dhe t’i bëjmë gati institucionet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo është mënyra e vetme se si mund ta vërtetojmë nëse lulëzojmë sis shtet apo lulëzon krimi, korrupsioni dhe oktapodi”, ka theksuar Mickoski.
Pavarësisht nga deklarimet e LSDM-së duket se tashmë gjithçka po shkon në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Brenda kohës të dy partitë kanë bërë ndryshime edhe në identitetin e tyre vuzuel, përmes të cilit ato përpiqen që të shpalojnë përpara qytetarëve mesazhin e substancës dhe angazhimit të tyre politik.
Socialdemokratët kanë ndryshuar ngjyrat e subjektit bardh e kuq duke i cilësuar si ngjyra të progresit dhe sakrificës, ndërsa VMRO-DPMNE-ja, mbi sloganin “Rimëkëmbje të Maqedonisë” ka vendosur çatinë e kuqe, ndërsa nën slogan dy ngjyrat verdh e kaltër të cilat deri tani kanë simbolizuar Lidhjen socialdemokrate.
Sidoqoftë, duket shumëçka do të varet nga vendimi i Këshillit Europian, nëse Maqedonia do të marr datën për fillimin e negociatave. Ky vendim mbase do të përcaktojë nëse partitë do t’i matin forcat në “mejdan” apo kryeministri Zaev do ta çojë deri në fund mandatin e tij, ashtu siç ka paralajmëruar disa herë që zgjedhjet e parakohshme janë humbje kohe, ndërkohë që qeveria duhet të fokusohet tashmë në zhvillimet ekonomike.
Ndërkohë është bërë e ditur se kryeministri Zaev është takuar edhe partnerin tjetër të koalicionit, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin. Ky takim gjithashtu është parë në funskion të zgjedhjeve të parakohshme, përkundër faktit që është kumtuar se takimi ka qenë në funskion të rrugës euro-atlantike të Maqedonisë.
Brenda kohës është hapur debati edhe për ndryshime në kodin zgjedhor dhe për rirregullimin e njësive zgjedhore. LSDM është prononcuar për një njësi zgjedhore, ndërkohë që VMRO-DPMNE ka kërkuar që shteti të ndahet në 120 zgjedhore. Parti shqiptare në pushtet BDI ka kërkuar që të mbetet modeli me gjashtë njësi zgjedhore, ndërkohë që partitë opozitare shqiptare, ASH ka kërkuar tetë njësi zgjedhore, ndërsa Lëvizja Besa 3 njësi zgjedhore.
Në gjithë këtë kontekst zhvillimesh, një gjë mbetet e sigurt që mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të imponohet gjatë tërë kohës si temë nga partitë opozitare, ndërkohë që me lëvizjet e fundit duket se janë dhënë sinjalet për mbajtjen e tyre në fillim të vitit të ardhshëm. Gjithë konteksti i krijuar shkon në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.