Emërimi i ambasadorit të SHBA-së në Gjermani si i ngarkuar special për Ballkanin dëshmon se SHBA vazhdojnë të jenë të interesuara për zgjidhjen e konfliktit, por ai mund të sjellë më shumë ngatërresa për dialogun.
Presidenti Donald Trump i SHBA-së caktoi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin special të administratës së tij për dialogun e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, njoftoi të enjten (03.10) Shtëpia e Bardhë.
Ky emërim e ripërsësit edhe njëherë vëmendjen e veçantë të Uashingtonit për zgjidhjen e konfliktit të gjatë midis fqinjëve ballkanikë, i thanë DW qarqe diplomatike nga Berlini. Emërimi i Grenellit vjen pas emërimit të Mathew Palmerit nga ana e Departamentit të Shtetit si përfaqësues Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor muajin e kaluar.
Megjithatë, analistët pohojnë se ambasadori i diskutueshëm mund t’i ngarkojë më tej marrëdhëniet midis Berlinit dhe Uashingtonit dhe ta dobësojë aftësinë e fuqive perëndimore për të ndërmjetësuar njëzëri në Ballkan.
Qëndrimi i diskutueshëm
Periudha relativisht e shkurtër (prej majti 2018) e Grenellit si ambasador në Berlin është e mbushur me kontroversa që e kanë bërë atë një nga ambasadorët më të diskutuar të SHBA-së në Gjermani.
Qysh në orët e para të ardhjes së tij në postin e ri, Grenell u bë shkak debatesh me një mesazh në Twitter, ku dënonte interesat e biznesit gjerman në Iran. Më vonë ai sërish do ta befasonte opinion publik në Gjermani me një deklaratë të dhënë në një intervistë, ku e deklaronte veten hapur si mbështetës të lëvizjeve konservatore në Evropë.
“Kjo që po bën ky njeri është e padëgjuar në diplomacinë ndërkombëtare,” do të thoshte asokohe i indinjuar Martin Schulz, politikani socialdemokrat dhe ish-kandidat për kancelar në Gjermani. “Nëse një gjë të tillë do ta bënte ambasadori gjerman në SHBA, ai do kishte fluturuar menjëherë”.
Me përvojë në OKB
Sidoqoftë, para transferimit të tij në Berlin, Grenell ka qenë diplomat në përfaqësinë e SHBA-së në OKB, detyrë që e ka ushtruar më së gjati. Kjo përvojë e bën atë mjaft të kualifikuar për të ndërmjetësuar, i tha DW një diplomat i nivelit të lartë nga Ballkani në Berlin, i cili dëshiron të mbetet anonim. Ai thotë se afria e drejtpërdrejtë mes presidentit Trump dhe qeverisë së kancelares Angela Merkel në Berlin hap një linjë direkte komunikimi ndërmjet Ballkanit, Uashingtonit dhe Evropës, shtoi diplomati.
Por as në marrëdhëniet Ballkan-Berlin, sjellja e Grenellit nuk ka qenë gjithmonë diplomatike, vëren Bodo Weber, ekspert i Ballkanit Perëndimor. Weber kujton vizitën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në dhjetor të vitit të kaluar në Berlin, i cili u takua atëherë vetëm me ambasadorin amerikan dhe askënd tjetër, çka sipas Weberit është shenjë për atë që Grenell është më në favor të çështjes së ndryshimit të kufijve: „Emërimi i Grenellit është dëshmi se Uashingtoni ende nuk ka hequr dorë tërësisht nga ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve”, thotë Weber në një intervistë për DW dhe parashikon se „ky emërim do ta komplikojë rifillimin e negociatave”.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Seibert, të premten (04.10) nuk pranoi ta komentonte emërimin e Grenellit në këtë post. I pyetur nga DW në konferencën e rregullt të qeverisë ai tha: “Është çështje e administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne do të vazhdojmë që në politikën e Ballkanit Perëndimor, i cili për ne mbetet shumë i rëndësishëm, një pjesë e rëndësishme e politikës amerikane, që të koordinohemi me partnerët tanë amerikanë dhe këtë do ta bëjmë edhe tani me zotin Grenell, si ngarkuar i posaçëm për Ballkanin.” Seibert nuk dha komente as për njoftimet që qarkullojnë kohët e fundit në Ballkan, se edhe Gjermania është duke planifikuar emërimin e një të dërguari special për Kosovën.
Grenell personi i duhur?
Por, ndërkohë që Gjermania shihet si aktori kryesor në tryezën e bisedimeve, emërimi i Grenell-it është një shenjë që SHBA. dëshiron të apelojnë direkt tek Berlini për të sheshuar diferencat në lidhje me zgjidhjen e mundshme të çështjes së Kosovës, thotë për DW, James Ker-Lindsay, profesor nga London School of Econonmics. Edhe ai mendon se amerikanët janë ende të hapur për çështjen e ndryshimit të kufijve. Por ai dyshon se Grenell është vërtet personi i përshtatshëm për të bindur Berlinin. “Emërimi i tij është shumë konfuz në shumë nivele”, tha Ker Lindsay.