E shtunë, 27 Korrik, 2024

VIDEO/INTERVISTË, ABDYLMENAF BEXHETI: KA ARDHUR KOHA PËR NJË LIDHJE TË NGUSHTË MES UNIVERSITETEVE DHE TREGUT TË PUNËS

Në instervistën për KDP-në, rektori Bexheti, thekson se UEJL sivjet ka rritje të studentëve të pranuar për 15 përqind, ndërsa duke llogaritur edhe vitin paraprak kjo rritje arrin në 24 përqind. Ai e sheh si domosdoshmëri lidhjen e universiteteve me tregun e punës si një praktikë që aplikohet nga universitetet më prestigjioze. Sipas tij, suksesi i një universiteti matet pikërisht me këtë dimension të punësimit të studentëve të diplomuar. Ai flet edhe për gjendjen e arsimit aktualisht, por edhe për Ligjin për arsim, i cili nuk e ka në fokus studentin dhe përgjegjësitë e stafit të institucionit. Shkurtimet në arsim me ribalancin e ri i sheh si një porosi të keqe, në kohën  kur çdo investim në arsim i kthehet shoqërisë me një vlerë shumë më të madhe. Bexheti flet edhe për bashkëpunimet e UEJL-së me universitete prestigjioze në botë.

 

Intervistoi: Xhumadije Ibrahimi

Montazh dhe kamerë: Arian Mehmeti

 

 

 

KDP: Zoti Bexheti, si fillon ky vit akademik në UEJL?

Abdylmenaf Bexheti: Vitin do ta fillojmë me një vazhdimësi, fatmirësisht me një tendencë të rritjes së numrit të studentëve.  Ndjej kënaqësinë që përherë të parë publikisht t’i paraqesim edhe numrat. Nëse bëjmë një prerje të ditës së sotme të aplikanteve në konkursin që  vazhdon të jetë akoma i hapur edhe gjatë ditës së martë, kur edhe fillon viti akademik, ne kemi rritje në studimet deridiplomike rreth 15 përqind të studentëve të regjistruar. Mbetet tepër e rëndësishme të theksohet se kjo rritje nuk është vetëm në sasi, përkundër tendencës dhe trendeve në rënie që i ka edhe aspekti emigracionit, ndërkohë që e ka bërë të veten edhe nataliteti në rënie, por edhe aspektet tjera të preferencave për t’u shkolluar në botën e jashtme. Kjo rritje është në kontuinitet me vitin e kaluar, kur kishim 8 për qind më shumë studentë sesa një vit më parë. Pra, për dy vite me radhë ne realizojmë një rritje 24 përqind dhe kjo është për t’u përshëndetur.

KDP: Sa është UEJL kompaktibil me tregun e punës?

Abdylmenaf Bexheti: Brenda gjashtë muajve nga momenti që diplomojnë 60 përqind e studentëve tanë arrijnë të punësohen. Ka studentë që punësohen brenda viteve të studimeve. Në shkencat kompjutorike, ekonomi edhe biznes rritja e punësimit të studentëve është 40 përqind.

KDP: Cili është bashkëpunimi i UEJL-së me universitetet ndërkombëtare? Sa njihet diploma juaj ndërkomtarisht?

Abdylmenaf Bexheti: Një numër i madh i studentëve tanë i vazhdojnë studimet, nga Skandinavia e deri në SHBA, dhe të gjitha këto vende e njohin në mënyrë automatike diplomën e UEJL-së. Ne kemi raste konkrete që mund t’iu referohemi se si studentët tanë janë regjistruar pa kurrfarë verifikimi dhe nostrifikimi. Majfton të vizitojnë webfaqen e universitetit dhe nga përshkrimi dhe përmbajta e programeve studentëve iu mundësohet regjistrimi. Kemi shumë bashkëpunime me universitetet ndërkombëtare, mes tyre janë universitetet në SHBA, Universiteti Indiana dhe Montana.

KDP:KDP: Si është situata momentale në arsim, në Maqedoninë e Veriut, cilat janë sfidat e procesit arsimor në RMV?

Abdylmenaf Bexheti: Mendoj se është një sektor me shumë sfida që dalin edhe nga aspektet e sistemit arsimor të tërësishëm. Nëse fokusohemi te arsimi i lartë sigurisht se kemi shumë çështje të cilat duhet t’i rishikojmë. E para është përshtatshmëria e lëndëve mësimore, e dyta është masoviteti i regjistrimit në arsimin e lartë dhe e treta është cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies se sa është e përshtatshme për gjeneratat e reja.

KDP: Si e shihni Ligji i ri për arsim, jeni të kënaqur me ligjin.Çfarë reformash duhet të bëhen?

Abdylmenaf Bexheti: Ligji duhet të jetë në funksion të studentit, në funksion të rezultateve nga studimet dhe nga ky aspekt ligji nuk është i tillë. Ligji më shumë kujdeset për institucionin, për stafin e punësuar se sa për përgjegjësitë e stafit.

KDP: Me ribalancin e buxhetit kemi shkurtim të mjeteve për arsim. Mendoni se qeveria duhet të bëjë shkurtime në arsim, në kohën kur pikërisht arsimi është shtylla e një vendi?

Abdylmenaf Bexheti:Fatkeqësisht është një porosi e keqe, të shkurtoni atje ku duhet të shtoni buxhetin. Në arsim shpenzimet kanë kuptimin investimit. Vetëm në arsim çdo njësi shtesë që investohet i kthehet shoqërisë nesër shumë e më shumë. Në këtë situatë, në vend që t’i shtohen mjetet arsimit, i shkurtohen. Po të shohim situatën reale janë shkurtuar mjete të parealizuara. Tani duhet shikuar edhe ata subjekte pse nuk i kanë realizuar këto mjete. Nëse rialukoni mjetet e destinuara për arsim, atje ku e keni pikën me të dobët kudo qoftë, efiçenca do të jetë negative. Përkundrazi, politikat dhe paratë duhet të orientohen në profile për të cilat ka nevojë tregu i punës. Tregu i punës, sot, kërkon profile dhe fuqi punëtore të kualifikuar cilësore.

KDP:Çfarë lidhjesh ekzistojnë mes universitetit dhe ekonomisë për shkak se përtej dukurisë së shpërnguljes jashtë vendit të njerëzve të shkolluar, fitohet përshtypja se shumë degë të ekonomisë mbeten deficitare, jo vetëm në këtë moment për të cilin flasim. Çfarë duhet bërë në këtë drejtim?

Abdylmenaf Bexheti: Ka ardhur koha defenitivisht për një lidhje shumë të ngushtë midis universiteteve dhe tregut të punës. Dy parakushte janë për të qenë i sukseshmëm në jetë, të duash dhe të dishë. Në perëndim çdo universitet matet në bazë të intensitetit të punësimit të studentëve të tyre dhe në fund pagave të studentëve që dalin në treg, pra me çfarë pagash punësohen për herë të parë. Në bazë të kësaj bëhet edhe rangimi dhe mund të kuptohet se pse Universiteti i Harvardit renditet i pari. Pra, ne, duhet ta shohim çfarë pune bëjmë në këtë drejtim dhe institucioni të financohet pikërisht nga ky këndvështrim. Institucioni është për studentët, për tregun e punës, për shoqërinë, për ekonominë, prandaj duhet të shihet cili është impakti i tij ekonomik dhe social në përgjithësi.

 

Të fundit