E premte, 26 Korrik, 2024

JEPNI PËR NËNËN!

‘Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë’.

Noli

Të shkruara para një shekulli, këto vargje, poezia ‘Jepni për Nënën’, e Fan Nolit, atëherë e sot, mbeten aktuale, gjithandej ku jemi e vemi!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1.Po. Kosova këto ditë është në vlugun e fushatës për zgjedhjet e shtata, të prakohshme, parlamentare. Liderë e kandidatë, për kryeministër e  deputetë, anëtarë e veprimtarë partiakë, japin e marrin, në përçapjet për të arkëtuar sa më shumë vota. Gara është, si kurrdoherë, e nxehtë dhe me më shumë të panjohura: Kush do të dalë i pari? Në garë janë 25 subjekte politike nga të cilat 20 parti dhe katër koalicione që konkurrojnë me 1070 kandidatë.  Të drejtën e votës do të mund ta ushtrojnë mbi një milion e 900 mijë votues. Prej tyre do të dalë legjislatura e re parlamentare prej 120 deputetësh. Faktori ndërkombëtar dhe vëzhguesit e pavarur presin që këto zgjedhje të jenë një pike kthese në skenën politike të Kosovës, pikërisht për shkak të problemeve dhe sfidave – të brendshme dhe të jashtme që mbizotërohen nga mungesa e konsensusit dhe, për pasojë, edhe e platformës së përbashkët për bisedimet me Serbinë me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme për normalizim të marrëdhënieve dypalëshe. Ndërkaq, nga radhët e komunitetit serb marrin pjesë katër subjekte politike. Kësaj radhe, si asnjëherë më parë, serbët dalin të ndarë e të përçarë: Një pjesë e tubuar rreth ‘Listës serbe’, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar, ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë se po instrumentalizon qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë për qëllimet e veta politike. Vëzhguesit thonë se për të dyja blloqet vështirë se mund të bëhet ndonjë parashikim i sakt se kush ka për të triumfuar. Thuhet se, për shkak të peshave politike dhe koalicioneve parazgjedhore vështirë se do të ketë kumtim të rezultateve nga shtabet partiake para mesnatës ndërjmet të dielës dhe të hënës, por gëzimin apo dhe hidhërimin do ta përcaktojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky i fundit tashmë ka përllogaritur se gjithçka është gati për zgjedhjet të cilat buxhetit të shtetit më të ri në Kontinentin e Vjetër do t’i kushtojnë rreth pesë milion e 670 mijë euro.

2.Çfarë ke në fqinjësi, prite në shtëpi! – thotë fjala e urtë. Edhe ke ne kanë nisur të shquhen tymnajat parazgjedhore: Lideri i një partie të vogël parlamentare, kurrsesi të na e mbushë mendjen se Kryeparlamentari i parë shqiptar në RMV-në e pavarur nuk na qenka I tillë; të tjerë eksponentë nga koalicioni qeverisës, kush thumbit e kush potkoit, sikur ia mbajnë ison një zëdhënësi të tyre kur tha se ‘sa më larg atyre, aq më mirë’! Ndërkohë, fitili i ‘bombave’, pas dëshmisë së paradoditshme të Zoran Verushevskit, ish-kryespiunit të IRJM-së, duket se vazhdon të jetë i ndezur. Këshilltari i kryeministrit Zoran Zaev për siguri kombëtare gjatë paraqitjes në gjykatë, më 23 shtator, tha se ‘bombat’ kishin përjetuar ‘modifikime të tmerrshme’! Pavarësisht se deklarata, sipas Kryeministrit, mund të modifikohet gjatë dëshmisë së dytë, prapëseprapë sikur i jep të drejtë Nikola Gruevskit azilant se përgjimet kanë qenë ‘të prera, të ngjitura, të montuara’. Verushevski, të rikujtojmë, përmendi se ‘bombat’ ia kishte dhënë Zaevit, me to paska qenë i njohur edhe Cërvenkovski, por Kryeministri ka lënë të kuptohet, në një intervistë me autorin e këtyre rreshtave, se ‘menaxhimin’ e ka bërë ai dhe nënkryetarja e tij atëbotë opozitare, Radmila Sheqerinska. Sipas njohurive të emisionit ‘KOD’, në dëshminë e tij, Zoran Verushevski citohet të ketë deklaruar: ‘Përgjimi është krijesë e Drejtorisë së Pestë të DZK –së. Gjatë hetimeve nuk janë siguruar kontrolle të sigurisë, të domosdoshme për përcaktimin e arsyeshmërisë së sjelljes së kundërligjshme dhe që përjashtojnë mundësinë e posedimit jolegal’. Kur kjo të kihet parasysh, pavarësisht arsyetimeve e përgënjeshtrimeve, është e tepërt të shtrohet çështja se si ndodhi që ‘loja me bomba’ të jetë aktuale edhe sot. Në fakt, ‘loja’ u shndërrua në ‘tregëti’. Të majme, do të thosha.

Ec e merre vesh, kur shteti i së drejtës është larg nesh!

3.Kishte ndodhur tre vjet më parë: Më 2012 një foto e kryebashkiakut të Tiranës Edi Rama me presidentin Barck Obama, kishte marrë dhenë dhe për pasojë ngriti debate e dyshime se nuk kishte qenë e rastësishme dhe kishte përfunduar në gjykatë. Në fakt, një shtetas amerikan me origjinë shqiptare, Bilal Shehu, kishte panuar shkeljen e ligjeve amerikane pasi kishte ndihmuar zotin Rama të realizonte foton duke dhënë 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e presidentit Obama. Me gjithë mohimin e Ramës se kishte kryer veprime financiare për realizimin e fotos, Zëri i Amerikës  mësoi se ‘burimi i parave ka qenë nga Shqipëria’. I njëjti radiostacion, këtë të martë, solli njoftimin më të fundit: William Argeros është dënuar me katër muaj heqje lirie për shkak se, sikurse u tha,  kishte organizuar transaksionin financiar përmes një banori nga New Jersey, Bilal Shehu, i cili u dënua me kusht në vitin 2017: William Argeros kishte pranuar fajësinë në vitin 2016 për këtë çështje dhe për dëshmi të rrejshme para një jurie të madhe, duke u përballur me deri 24 muaj heqje lirie, në bazë të marrëveshjes së tij të pranimit të fajit. Me këtë rast gjykatësja e çështjes, Madeline Cox Arleo,  ka pranuar mungesën e precedentëve paraprak penal të 61vjeçarit dhe besimin se kontributi prej 80 mijë dollarësh nuk kishte për qëllim të ndikojë në zgjedhjet amerikane. Avokati i William Argeros citohet të ketë deklaruar se klienti i tij po vepronte në emër të një kandidati për postin e kryeministrit në Shqipëri, Edi Rama, i cili dëshironte të realizojë një foto me zotin Obama. Zoti Argeros jetonte në Tampa të Floridës, në kohën kur u ngritën akuzat: “Ndjehem i turpëruar dhe marr përsipër përgjegjësinë e plotë për çfarë kam bërë,” – ka deklaruar njeriu që ndërmjetësoi foton Rama-Obama. Ligji amerikan u ndalon shtetasve të huaj të japin kontribute për kandidatët federalë.

E vërteta vonon, por nuk harron, apo jo ?/KDP

Të fundit