E premte, 13 Dhjetor, 2024

Liderët ballkanikë kundër projektit Vuçiç-Thaçi-Rama

Përditë e më shumë po shtohen qëndrimet publike të  liderëve ballkanikë që kundërshtojnë idenë e ndryshimit të kufijve. Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka deklaruar për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe se gjatë bisedave në Nju Jork ka krijuar përshtypjen se ndryshimi i kufijve nuk është më një version dominues në zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. “Do përpunohen qasje të tjera të cilat do të sjellin deri te qëllimi i përbashkët”, ka thënë ai.

“Ne kemi paralajmëruar se idetë rreth shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimeve të kufijve nuk janë të mira, sepse besojmë se asgjë nuk mund të përfundojë me këtë precedent, pasi ai krijon efektin domino dhe kjo mund të rrezikojë stabilitetin e brishtë të rajoni tonë”, ka deklaruar Gjukanoviq. Por presidenti malazes ka refuzuar të tregojë se cilat janë opsionet e reja në tavolinë. “Nuk dua të jem ai i cili me zbulimin e parakohshëm të këtyre ideve, prish shansin e një marrëveshjeje. Tani janë në rend të ditës propozime shumë më serioze. Eshtë shumë mirë që nuk kemi vetëm një propozim, por disa dhe që do të mund të zgjedhim atë i cili jep zgjidhje”, ka thënë Gjukanoviq.

Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur në OKB edhe presidentja kroate Kolinda Grabar- Kitaroviq. “Shkëmbimi i territoreve është një ide shumë e keqe që do të hapte kutinë e Pandorës dhe që do të çonte në kërkesa të ndryshme për shkëmbime territoresh në tërë hapsirën e ish-Jugosllavisë”, ka thënë Kitaroviq, gjatë takimit me Sekretarin Gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm ka mbajtur edhe kryeministri Maqedon, Zaev. Duke folur për mediat në qershor, ai shprehu shqetësimin se negociatat e Maqedonisë mund të mbahen peng nga kërcënimi që Rama i bën BE me ndryshim kufijsh. Por kjo ide do ta kthente Shqipërinë pas tha ai: “Ata mendojnë se nëse hapin negociata me Maqedoninë e Veriut, një problem do të krijohet nëse Shqipëria do të mbetet jashtë dhe se mund të ketë ndikim në Kosovë, ata i frikësohen kërcënimeve nga miku im Edi Rama për ndryshime të mundshme kufitare ose bashkim me Kosovën, por unë nuk besoj në ato gjëra, sepse do të thotë një pengesë prej së paku dhjetë vjetësh për Shqipërinë nëse ata bëjnë një gjë të tillë, askush nuk dëshiron të bëjë një gjë të tillë”, u tha gazetarëve kryeministri maqedonas Zaev.

Në fakt të gjithë udhëheqësit ballkanikë i përmbahen idesë që kanë artikuluar në samitin e vendeve të rajonit tonë, të thirrur nga Franca dhe Gjermania në Berlin, se ideja e shkëmbimit të territoreve dhe popullsive do të përbënte një rrezik për stabilitetin. Aq e fortë ka qenë për këtë çështje kundërshtimi gjerman, sa Bundestagu e kërcënoi Shqipërinë me anullimin e negociatave nëse vazhdon ta mbështesë këtë ide: “Deklaratat politike dhe përpjekjet për bashkimin e popullsisë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nën Shqipërinë e Madhe, mund të çojnë në konflikte të paparashikueshme në Ballkanin Perëndimor. Ato duhet të ndalen menjëherë, sepse këto përpjekje janë të papajtueshme me anëtarësimin në BE dhe do të çonin në anulimin e negociatave të pranimit”, shkruhej në rezolutën që u votua për Shqipërinë.

Të fundit