MBP ka bërë të ditur se sivjet ka konfiskuar sasi të mëdha droge, duke ndaluar kështu një numër të madh kanalesh të shpërndarjes dhe shitjes së saj. Statistikat tregojnë se viktimë e kësaj “murtaje” janë grupmoshat më të reja. Psikologët thonë se prindërit duhet të punojnë shumë më tepër me fëmijët e tyre që ata të mos bien në kurthin e dilerëve të ndryshëm.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Gjithnjë e më tepër droga po bëhet femomen shoqëror, por edhe një lloj biznesi për shitësit e saj. Nga viti në vit, tregtimi dhe shpërndarja e saj po rritet, ndërkohë që masat për luftimin e këtij fenomeni bëhen më efektive dhe më gjithëpërfsgirëse. Vetëm sivjet janë shënuar dhjetëra raste të kontrabandës me drogëra të ndryshme, që në në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje të ndjeshme. Psikologët bëjnë thirrje për një punë shumë më intensive të prindërve që fëmijët e tyre të mos bien në kthetrat e dilerëve të drogës.
Me dhjetëra kg drogë të ndryshme të konfiskuara nga policia flasin për faktin që prania e saj në terren është e madhe, ndërkohë që viktimë potenciale të kësaj shpërndarjeje janë moshat më të reja.
Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019 janë konfiskuar 501.7 kg marihuanë dhe 560.60 gr kokainë, bëjnë të ditur nga MPB dhe se në krahasim me 10 vitet e fundit, këtë vit ka pasur konfiskim më të madh të drogës. Sipas të dhënave, vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019 janë konfiskuar 501.7 kg marihuanë dhe 560.60 gr kokainë. “Në gjysmën e parë të vitit 2019 janë zbuluar 451 vepra penale, ndërsa masa për ndjekje penale janë ndërmarrë kundër 506 kryerësve të veprave. Nga kryerësit 497 janë shtetas të Maqedonisë dhe 9 janë të huaj. Në kuadër të veprave të zbuluara penale janë konfiskuar 501,7 kg marihuanë, 560,60 gr kokainë, 114 rrënjë të bimës kanabis sativa, heroin, hashash, vaj hashashi, metamfetamina, amfetamina, tableta ekstaza dhe përzierje e kofeinës dhe paracetamolit”, bëjnë të ditur nga MBP.
Psikologia Arta Abdullahu thekson se janë shumë arsye që kanë shkaktuar rritjen e trendit të përdoruesve dhe shitësve të drogës. Faktori më kryesor, sipas saj, vazhdon të ngelet ekonomia. “Si shkak i parë tek rinia është ajo që ato duan t’i përkasin një grupi, ata duan që të ndjehen se janë pjesëtarë dhe pjesë e një shoqërie. Ata duan që të ndjehen se janë të fortë dhe mund të bëjnë diçka ndryshe. Kemi raste kur janë prindërit e divorcuar, d.m.th mos kujdesi i prindërve, është edhe ky një shkak ku fëmijët apo adoleshentët fillojnë të përdorin drogë. Shitja e drogës ka një fitim të madh dhe kjo është një ndër arsyet kryesore që i shtyn njerëzit të bëhen shitës të drogës, duke mos marrë parasysh se i bëjnë dëm gjithë shoqërisë”. thotë psikologia Abdullai. Ajo kërkon një kujdes më të madh nga prindërit, pasi që, edhe statistikat tregojnë se fëmijët janë fokusi i dilerëve dhe personave që bëjnë biznes me lëndët narkotike.
“Të gjithë prindërit të jenë më të hapur dhe sa më afër fëmijëve të tyre, të jenë në nivelin e fëmijëve të tyre, të ulen të bisedojnë, të kalojnë sa më tepër kohë me fëmijët e tyre, të shprehin dashurinë që kanë ndaj fëmijëve, t’u ndihmojnë fëmijëve që të krijojnë vetëbesim dhe vetëvlerësim sa më të madh dhe të mos ngurojnë të kërkojnë ndihmë apo këshilla nga profesionistë të ndryshëm që t’i shpëtojnë fëmijët e tyre që të mos bien pre e kthetrave të drogës”, thotë ajo.
Në fushën e tregtisë së jashtëligjshme me drogë në vitin 2018, siç bëjnë të ditur nga MPB, janë zbuluar 789 vepra penale, për të cilat janë ndjekur penalisht 906 kryerës të veprave, nga të cilët 879 janë shtetas të Maqedonisë dhe 27 shtetas të huaj. Në kuadër të këtyre veprave penale janë konfiskuar 1 ton e 532,4 kg marihuanë, 1 kg e 970 gr heroinë, 586,69 gr kokainë, 819 rrënjë, 679 copë dhe 827,25 gr fara të bimës kanabis sativa dhe të tjera. Poashtu, janë shkatërruar nëntë grupe të organizuara kriminale, janë parandaluar 11 transporte ndërkombëtare të drogës dhe poashtu janë zbuluar edhe katër laboratore të improvizuara me pajisje të instaluara për prodhimin e drogave sintetike dhe një për prodhimin e vajit të kanabisit.