E premte, 26 Korrik, 2024

VIDEO/INTERVISTË, DENKO MALESKI: NËSE MAQEDONISHTJA ËSHTË ATDHEU I MAQEDONASVE, ATËHERË EDHE SHQIPJA ËSHTË ATDHEU I SHQIPTARËVE

Denko Maleski, ish-ministri i parë i Jashtëm, aktualisht këshilltar i presidentit Stevo Pendarovski, thotë se përkundër problemeve, Maqedonia e Veriut është në prag të hyrjes në NATO, me gjasë reale që të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian.

Intervistoi: Seladin Xhezairi 

Duke folur për emisionin Klan Debat, zoti Maleski ka dalë në mbrojtje të Ligjit për përdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe. Sipas tij, nëse maqedonasit e thonë se gjuha është atdheu i tyre, atëherë kjo nuk u duhet mohuar as shqiptarëve.

https://www.facebook.com/KlanMacedonia/videos/390155375242369/

Maqedonia e Veriut  ka bërë hapa serioz në procesin e integrimit euro-atlantik, por përtej kësaj, ish-ministri i parë i Jashtëm, Denko Maleski  thotë se problem bosht mbetet mungesa e demokracisë dhe e shtyllave që e përbëjnë atë. Për pasojë, nënvizon ai, kemi problemin e kaosit si rezultat i mungesës së emancipimit karshi vlerave të demokracisë perendimore:

 ‘Populizmi është tepër i pranishëm. Premtimet para popullit për shpresa joreale vetëm që dikush të katapultohet në pushtet, janë  diçka që po e përjetojmë dhe gjithë kjo i hap ato temat e rëndësishme, të mëdha, si ka për t’u transformuar shoqëria maqedonase në një shoqëri demokratike, kurse shteti ynë të bëhet shtet i së drejtës’.

Profesori Maleski, në emisionin Klan Debat, ka komentuar edhe arritje-dështimet e koalicionit në pushtet, në ballë me kryeministrin Zoran Zaev. Veçon zhbllokimin e procesit të integrimit euro-atlantik, si rezultat i marrëveshjes së Prespës me Greqinë lidhur me emrin, për çka përmend edhe rolin tepër të rëndësishëm të Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, por edhe Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë. Me këtë të fundit, paralajmëron ai, çështja nuk është se do kalojë pa probleme. Kjo për shkak të problemeve që lidhen me identitetin kombëtar bullgaro-maqedonas: ‘Ne kemi pjesë të asaj që quhet histori e përbashkët. Në kohën  perandorisë otomane, pjesa më e madhe e atyre që sot i quajmë veprimtarë maqedonas ishin me vetëdije kombëtare bullgare,’ – thotë profesori i politikës dhe të drejtës ndërkombëtare. Ai nuk përjashton mundësinë që Sofja zyrtare, në rast të zvarritjes së zgjidhjes së çështjeve të debatueshme nga historia, të përdorë veton nëse vendi ia del të trokasë në dyert e Bashkimit Evorpian në momentin e vendosjes për t’u bërë anëtar me të drejta të plota.

Duke folur për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni, zoti Maleski del në mbrojtje të Ligjit për përdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe, ndërkohë që kritikon nacionalizmin maqedonas i cili që nga pavarësia injoroi kërkesat shqiptare. Ja argumenti i tij pse ligji duhet të mos preket: ‘Ne maqedonasit dijmë shpesh të themi se ‘gjuha është atdheu ynë’. Nëse gjuha atdheu është atdheu ynë – për maqedonasit, edhe për shqiptarët, njësoj, gjuha është atdheu i tyre, kurse atdheu ynë i përbashkët është Republika e Maqedonisë së Veriut dhe këtu nuk ka ndonjë filozofi të madhe’.

Në Klan Debat, njëri ndër intelektualët më të shquar maqedonas ka folur edhe për sfidat aktuale që e presin vendin e që kanë të bëjnë me vendosjen e shtetit të së drejtës. Profesori Maleski tha se sprovë kryesore mbetet vendosja e drejtësisë për megaskandalin e përgjimeve të para pesë vjetëve,ku rezultojnë të implikuar ish zyrtarë të lartë, përfshirë dhe ish kryeministrin Nikola Gruevski, por edhe për aferën e fundit të koduar si ‘Zhvatja’ që çoi në arrestimin dhe shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva. 

Të fundit