Shqipëria ka marrë nëntë kushte nga Gjermania, kurse Maqedonia e Veriut një nga Bullgaria. Hapja e bisedimeve anëtarësuese me dy vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor duket që do të jetë një dramë epilogu i së cilës do të merret vesh në minutat e fundit të 15 tetorit, shkruan KDPOLITIK.COM.
Kushti i Sofjes për Shkupin erdhi nga presidenti bullgar, Rumen Radev. Në në një takim me përfaqësuesit e vendit të tij, anëtarë të komisionit të përfshirë në bisedimet me palën maqedonase, për dallimet historike, Radev tha:“Përparimi në punën e komisioneve është kriter bazë për përmbushjen e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë. Takimi i fundit i komisionit ka ngecur për shkak të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Muaj i ardhshëm mund të jetë vendimtar në marrëdhëniet tona…Nëse ju jepni garanci se për një muaj komisioni mund të zgjidhë të gjitha kontestet, atëherë Qeveria bullgare mund të vazhdojë me politikën e mbështetjes pa kushte të anëtarësimit të këtij vendi në BE. Por, nëse nuk mund të jepet një garanci e tillë, atëherë qeveria duhet të ndërmerr masa konkrete dhe një pozicion të ri, për kritere të qarta për mbrojtjen e interesit nacional bullgar”, transmeton REL deklaratën e presidentit bullgar, Rumen Radev.
Dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 1 gusht të vitit 2017, arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por zbatimi i saj ende nuk është arritur për shkak të dallimeve mes dy vendeve për prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara.
Ndërkohë, DW nga burimet e saja mëson se në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU, bëhet fjalë pak a shumë për nëntë pika si kusht që Shqipëria të nisë bisedimet për anëtarësim:
– funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
– miratimi i reformës zgjedhore;
– implementimi i reformës zgjedhore;
– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;
– përparime në reformën e administratës publike;
– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Këto kushte, të vendosura nga partia e kancelares Angela Merkel do të hidhen në votë nga depuetët e grupit parlamentar më 24 shtator. Në 25 shtator ato pritet të trajtohen në Komisionet përkatëse në Bundestag dhe më 26 shtator, në mbrëmje vonë, është parashikuar të mbahet një seancë plenare 45 minutëshe, në fund të së cilës do të merret vendimi me votë.
Pra, siç njofton DW, mesazhi nga Bundestagu gjerman pritet të jetë: Maqedonia e Veriut do t’i nisë qysh në janar kapitujt e parë të negociatave, kurse Shqipëria duhet të presë edhe ca. Se a do të jetë qëndrimi i Gjermanisë i njëjti me atë të Këshillit të BE-së, më 17 tetor, kjo nuk dihet ende. Shumëçka varet nga presidenti francez, Emmanuele Macron, i cili deri tani është shprehur kundër zgjerimit para konsolodimit të BE-së.