Bota e biznesit thekson se ekonomia kërkon qarkullim të lirë me sa më pak procedura burokratike. Infrastruktura rrugore mbetet tepër e rëndësishme për shkëmbimet tregtare, ndërkohë që krijimi i politikave lehtësuese mbetet jetik për qarkullim të papenguar të mallrave. Qeveria e Maqedonisë ka bërë premtime të mëdha për lehtësime në fushën e biznesit dhe shkëmbimit të mallrave, por subjektet ekonomike nga Shqipëri, Kosova dhe Maedonia ankohen për barriera burokratike dhe infrastruktuore.
Autore: Xhumadije Ibrahimi
Infrastruktura edhe mëtej mbetet problemi kyç për bashkëpunim më të madh mes biznesmenëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria. Gjatë një takimi në Shkup, ata kanë kërkuar nga politikanët që të përshpejtojnë projektet infrastrukturore dhe t’i zvogëlojnë procedurat për qarkullim më të shpejtë të mallrave, që do të rezultonte me bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh tregtar. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u ka bërë thirrje autoriteteve të nisin punët në terren për rehabilitimin e infrastrukturës që lidh këto vende, lehtësimin e proceduarve administrative dhe heqjen e barrierave jotarifore. NIKOLIN JAKA – KRYETAR I DHOMËS SË TREGTISË DHE INDUSTRISË – SHQIPËRI
“Ne kemi realizuar dy takime me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili na ka premtuar që do të ketë përshpejtim, por në realitet nuk po ndodhë asgjë. Pyetja është shumë e thjeshtë të heqim maskat e diplomacisë dhe të retorikës dhe të bëjmë një pyetje, a e ka vullnetin qeveria e Maqedonisë të shkëmbejë ekonomi me Shqipërinë dhe Kosovën? Në qoftë se janë këto kushte që Maqedonisë i interesonë thjeshtë avantazhi në eksport atëherë normalishtë se do të kemi një reagim të reciprocitetit”, ka theksuar Jaka.
Kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, fajin e adresoi tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, dy vendet kanë potenciale për bashkëpunim më të mirë ekonomik, por se kjo duhet të zbatohet në praktikë. “Është mungesë e vullnetit politik të Shkupit, Maqedonisë së Veriut dhe po çuditem pse nuk ka një reagim të Kosovës në këtë drejtim. Maqedonia nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim për të përmirësuar qoftë aspektin doganor. Ka pengesa dhe vonesa që iu bëhen produkteve të Kosovës “, ka theksuar Krasniqi. Kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha, ka kërkuar nga autoritetitet e vendit të përshpejtojnë ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, pasi afati për ndërtim e saj deri më vitin 2023 për ta është i papranueshëm. NEBI HOXHA- KRYETAR I OEMVP-SË NË RMV
“Është apsurde që një shtet që ka suficid ekonomik të hezitojë të ndërtojë një infrastruktur, e cila do e rriste edhe më tepër atë suficid ekonomik, kurse në rastin konkret kemi një shtet që ka deficid ekonomik por ndërton një autostradë që është moderne me rreth 800 milionë euro. Nëse nuk janë të gatshëm ta bëjnë le të deklarohen. Premtimi i qeverisë për përfundimin e pjesës 12 kilometër për vitin 2023 është i pa pranueshëm për biznesin”.
Ndërkohë, autoritetet premtuan përfundimin e shpejtë të procedurave për autostradën. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka bërë të ditur se qeveritë e të tri vendeve do të punojnë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe kushtet për të bërë biznes, kryesisht në infrastrukturë dhe mbështetje institucionale. “Shkëmbimi tregtar me Shqipërinë dhe Kosovën ka potencial të madh që duhet të shfrytëzohet në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për integrim ekonomik rajonal përmes bashkëpunimit institucional. Kjo do të krijojë zonë të hapur dhe të lirë të mallrave, shërbimeve dhe investimeve që njëherit do të jetë parapërgatitje për pjesëmarrjen tonë në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian. Prandaj, ne duhet të jemi plotësisht të angazhuar në ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit rajonal në politikat e investimeve dhe tregtisë, lehtësimin e transportit dhe respektimin e marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë “, ka theksuar Bekteshi. Por, rruga deri në Bllacë ende është në fazën tenderuese të pjesës së pare. Sipas autoriteteve të Shkupit ndërtimi fillon në fund të këtij viti, e pjesa tjetër e 12.5 kilometrave do të tenderohet me gjasë në fillim të vitit që vjen, ndërkohë që pritet të përfundojë në vitin 2023.