E shtunë, 12 Tetor, 2024

A do t’iu përmbahen këtë herë partitë politike vijave të kuqe për koalicione?

Vijat e kuqe janë pjesë e terminologjisë politike që përdorin zakonisht subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, sa herë që flitet për koalicionet qeverisëse. Meqë Kosova ka një sistem proporcional, partitë politike e pranojnë se subjekti që do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, do të jetë më se i shtrënguar që të krijojë koalicion qeverisës me një apo më shumë parti politike, për të krijuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare në Kuvend.

Ish-partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, thonë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë subjekt politik, që sipas tyre, punon për të mirën e vendit.

Kurse dy partitë, të cilat gjatë mandatit të fundit qeverisës kanë qenë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje thonë se kanë vija të kuqe dhe se nuk duan të bashkëqeverisin në asnjë rast me Partinë Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës nuk i sheh vijat e kuqe në raport me ndonjë subjekt politik, si shumë të nevojshme.

Ish- deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha për Radion Evropa e Lirë, se PDK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë politike në vend dhe se nuk ka vija të kuqe për asnjë parit apo individ.

“Ka vija të kuqe për ata që nuk e pranojnë realitetin që është në Kosovë, që nënkupton shtetin e Kosovës, Kushtetutën, himnin, flamurin dhe çdo gjë tjetër që lidhet me shtetësinë dhe është e gatshme që pas 6 tetorit të bashkëpunojë më të gjitha partitë parlamentare. Dhe një kriter që ju e dini është ai i kryetarit Kadri Veseli, se nuk ka partneritet me ata që nuk e luftojnë nepotizmin dhe korrupsionin”, tha Reçica.

Ndërkaq Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rast se kjo parti fiton mandatin për të qeverisur, nuk do të ketë vija të kuqe për parti të caktuara, por do të ketë për ato që janë kundër taksës dhe ato që nuk përkrahin Kosovë në raport të integrimeve evropiane.

“Ne nuk kemi vija të kuqe me asnjë parti politike. Megjithëse ne kemi afërsi me ndonjë parti politike, me ndonjë tjetër kemi distancë, por e rëndësishmja është që interesat e Kosovës të mbrohen si në planin e brendshëm, po ashtu edhe atë të jashtëm. Ne bashkëpunojmë me partitë të cilat e përkrahin angazhimin e Kosovës në forcimin e brendshëm, sidomos atë ekonomik dhe në integrimet e jashtme”, tha Isufi.

Por, pozicione tjera në raport sidomos me PDK-në mbajnë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Këto dy subjekte politike ishin në opozitë gjatë mandatit të kaluar. Ato u përpoqën të arrijnë edhe një koalicion parazgjedhor, por në fund nuk u pajtuan.

Besian Mustafa, zyrtar për media nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se LDK-ja ka përvoja jo të mira me Partinë Demokratike të Kosovës dhe nuk do bashkëpunim në asnjë rast me këtë subjekt politik. Ai thotë se Këshilli i Përgjithshme i LDK-së ka marrë vendim që në asnjë mënyre të mos negociohet më me PDK-në për asnjë koalicion të mundshëm.

“Kemi eksperienca shumë të këqija me PDK-në nga e kaluara dhe është partia përgjegjëse për shumicën, mos të them, për të gjitha të këqijat, për gjithë keqmenaxhimin. Pra, keqmenaxhimin e resurseve shtetërore dhe organeve shtetërore në Kosovë në 20 vjetët e fundit. Prandaj, LDK-ja do të punojë që t’u ofrojë qytetareve një vizion krejt ndryshe”, tha Mustafa.

Kurse në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se pas zgjedhjeve të 6 tetorit, në rast të fitores, do të preferohej një bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe asnjëherë me Partinë Demokratike të Kosovës.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë, se Vetëvendosje konsideron se Partia Demokratike e Kosovës duhet të shkojë në opozitë.

“Ne do të konsiderojmë partnere të parë aleate LDK-në. Varësisht prej numrit të ulëseve në Kuvend, ne shpresojmë se do të kemi një numër të mjaftueshëm të deputetëve bashkërisht, por nuk përjashtojmë mundësinë e bashkëpunimit me ndonjë subjekt tjetër të vogël, në mënyre që të kemi një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Kurse është e qartë që PDK-ja duhet të shkojë në opozitë”, tha Nagavci.

Megjithatë, praktika e deritashme e zgjedhjeve ka dëshmuar se jo gjithmonë partitë politike i mbajnë qëndrimet e tyre që i shprehin para apo gjatë fushatës zgjedhore për vijat e kuqe në raport me partitë tjera, edhe pas zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe në zgjedhjet parlamentaret të vitit 2014, pati deklaruar se ka vija të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, por kishte arritur koalicion me PDK-në.

Rasti tjetër ishte ai i koalicionit të AAK-së me PDK-në. Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore ishte zotuar se nuk do bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës, por në fund kishe arritur marrëveshje duke u bërë kryeministër i Kosovës.

Sidoqoftë, gara zgjedhore po vazhdon, edhe pse ende zyrtarisht nuk është hapur fushata për zgjedhjet e 6 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë. Nga subjektet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, 20 janë parti politike dhe iniciativa qytetare.

Kurse koalicionet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje janë: koalicioni AAK-PSD (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate), koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë (Nisma, AKR-PD), koalicioni VAKAT, koalicioni Liria (Sloboda).

Të fundit