E shtunë, 12 Tetor, 2024

KUSH E MBYTI PSP-NË?

Autor: Denko Maleski

 

E mundëm Amerikën dhe Evropën dhe të gjithë ata në shtëpi të cilët deshën drejtësi në Republikën e Maqedonisë së Veriut. PPS është e vdekur. Kush e mbyti PSP-në? Orienti, një gjendje e shpirtit që gjithçka prek ndyn dhe frenon, e bën të dykuptimtë, të shumëkuptimtë e madje të pakuptimtë, që ua nxjerr shpirtin dhe i bën të vdes edhe njerëzit edhe idetë, derisa, kështu të palëvizshme, nuk i çon drejt hiçit. Fryma e orientit brenda nesh i fitoi parimet e qarta demokratike të Perëndimit.  Rezistenca ndaj këtyre parimeve të shtetit ligjor nuk është prej dje.

Në rastin e PSP-së kjo rezistencë zgjat që nga themelimi i saj, në vend se pas publikimit të “bombave”, ta ulin kokën dhe të kërkojnë falje për uzurpimin e pushtetit të besuar, qeveria e VMRO-DPMNE-së e sulmuan armikun tek ata në shtëpi.

Arroganca shkoi deri aty sa, më kujtohet, emisarët partiakë depërtuan në Kongresin amerikan në përpjekje të ngrisin procedurën për revokimin e ambasadorit të tyre në Shkup, Xhes Bejli. Me mbështetjen e ambasadorëve perëndimorë ishte rrëzuar pushteti i kaluar, i cili edhe pas dështimit nuk mendonte të qëndronte me duar kryq. Por politikanët e atëhershëm kanë menduar se angazhimi i ambasadorëve është diçka personale, sikur tek ne, dhe se lojërat tona vendore të diskreditimit personal lehtë do të kalojnë edhe në Perëndim.

Shumë pak e dinin se shtetin të cilin e kanë drejtuar u bë çështje sigurie për Evropën dhe Amerikën, korrupsioni i tij dhe jotransparenca u bënë një lloj sëmundje infektuese në shoqërinë ndërkombëtare të shteteve, për të cilën duhej të gjendej ilaçi. Ilaçi ishte të largohet partia dhe lideri i saj, duke e robëruar shtetin e shtypën popullin me vullnetin e tyre.

Instrumenti ishte, Prokurori Speciale Publike të re, të guximshme e cila nuk është e kapur nga rrjeti i pushtetit. Pesë vite më vonë PSP është kapur në rrjet dhe tani mbetet të shohim nëse do të ketë pazar me VMRO-DPMNE-në të zvarritet në hiçin famoz ballkanik.

Por kokën lartë, PSP është përvojë e shkëlqyer, e pazëvendësueshme – nga formimi i saj, përmes aktakuzave e deri tek rënia e saj e tmerrshme. Kjo përvojë na e tregon të vërtetën për ne, pasqyrë në të cilën mundemi ta shohim veten mirë si individë dhe si shoqëri. E vërteta, thonë, liron. Edhe sikur asgjë mos të bëjë më PSP, asnjëherë më nuk do të mund të themi se nuk e kemi ditur. Tani të gjithë, me neveri, dimë gjithçka për politikën maqedonase dhe njerëzit të cilët ngjiten në majë edhe atë prej gojës së prokuroreve të guximshme.

I dimë politikanë të cilët kanë devijuar nga drejtësia me emër dhe mbiemër. E kuptojmë edhe se pse sondazhet e opinionit publik me dekada me radhë flasin për mosbesimin e qytetarëve ndaj politikanëve. E dimë edhe se Robert Dall, studiuesi i shquar i demokracive, ka pasur të drejtë kur e kishte shkruar se sistemi politik i një shteti nuk ndryshon shumë gjatë jetëgjatësisë së një njeriu. Tregimi për PSP-në është tregim për ne. Tregimi për PSP-në është tregimi për ne, tregim për një popull i cili është në kërkim të shtetit ligjor mirëpo nuk ka fuqi për ta prekur. PSP është pasqyra e shkëlqimit tonë dhe rënies sonë të tmerrshme.

Kam marrë pjesë me mendje dhe me zemër në atë, siç e shkrova atëherë “fluturimth drejt qiellit”. Kam marrë pjesë me fjalë të shkruar jo për shkak të besimit në njëfarë fitore definitive të shtetit ligjor në Maqedoni, se as librat dhe as praktika jonë nuk lejon një optimizëm të tillë, por se përmes fluturimtheve të tilla, e madje edhe dështimeve, i vendosim themelet e saj ndërsa në proces mbetemi njerëz më të mirë dhe shoqëri më e mirë. Përmes ngritjeve dhe rënieve të tilla, rritet edhe vetëdija e qytetarëve për vlerën e shtetit ligjor dhe për hallin që të fitohet liria dhe dinjiteti i njeriut.

Gjithçka ishte bërë që të rrëzohet VMRO-DPMNE? Nënkuptohet. Hapi i parë ishte nga politika të largohen ata të cilët e robëruan aparatin e shtetit dhe e uzurpuan pushtetin e popullit. Ata të cilët e vunë policinë në shërbim të partisë duke i dëgjuar mbi 20.000 qytetarë. Ata të cilët thoshin se partia do të mbetet në pushtet njëqind vjet. Të habitur nga dimensionet e aferës, diplomatët e huaj kanë shpresuar se shoqëria e Maqedonisë do të drejtohet në një protestë kundër politikanëve të saj dhe shpejtë do t’i pastrojë gjërat me ta.

I priste befasia e jetës së tyre: indiferenca e shoqërisë maqedonase. Indiferencë e frikshme, e shurdhët. Gjykata, gjykatësit e së cilës përmendeshin në incizime heshte. Fakultetet të cilat i kanë arsimuar gjykatësit heshtnin. Heshti edhe prokuroria e atëhershme. Çfarë është ky reagim, e pyesnin veten miqtë tanë të huaj. Tipike si ne: asgjë të mos bëhet, asgjë të mos ndërmerret është taktikë e vjetër e fajtorëve të cilët u kapën në vepër, obstruonin derisa nuk u shter edhe pika e fundit e dëshirës për ndryshim tek ata të cilët i fyente padrejtësia dhe korrupsioni. Deri në vdekje nëse duhet. Gjithçka të ndyhet, të pështjellohet, të shërohet, të mbytet, të mos lëvizë më, të mos jetë e gjallë, kjo është taktika dhe strategjia e të gjithë uzurpatorëve të pushtetit të cilët i dimë jo vetëm nga politika por edhe prej jetës sonë të përditshme. Kjo është ajo kulturë e jona orientale. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë dëshmitar i sukseseve të uzurpatorëve të tillë të pushtetit të besuar, të cilëve askush nuk  mund t’u bëjë asgjë, nga universiteti e deri tek majat më të larta të pushtetit.

Amerika ka qëndruar pas formimit të PSP-së, tha dikush sikur e kishte zbuluar Amerikën. Falënderojmë Amerikën. Ku uzurpatorët vendorë i sajuan ngjarjet e Kumanovës në të cilat jetën e humbën tetë policë tanë të rinj, vetëm fuqia e Amerikës dhe Perëndimit mundi t’u dalë përpara gangsterëve të cilët ishin të gatshëm të bëjnë luftë etnike vetëm për ta shpëtuar lëkurën e tyre. “Mirëpo, nuk jemi ne dhe nuk dimë asgjë…”, dëgjohet një ulurimë e fshehtë, e cila do të zgjasë derisa nuk shteret edhe pika e fundit e dëshirës për të vërtetën dhe drejtësinë tek oponentët e tyre. Derisa në dëshpërim, ata nuk i çojnë duart nga qielli, duke e mallkuar ditën kur janë ndalur në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtësisë. Askush asgjë nuk mund t’i bëjë atij mentaliteti të mallkuar prej të cilit duhet të turpërohemi para fëmijëve dhe nipërve tanë. Kur u përpoqën ta tejkalojnë bllokadën e sistemit politik dhe juridik me takimet në Përzhinë dhe formimin e Prokurorisë Publike Speciale, diplomatët e perëndimorë kanë punuar në dobi të qytetarëve të vendit tonë, pasi, të tillë siç jemi, ishim të pafuqishëm para forcës së uzurpatorëve tanë.

Me të vërtetë, ku është tani dokumenti i Pribesë, zyrtarit të lartë të administratës gjermane, i cili i nënvizoi dobësitë tona të sistemit tonë juridik dhe politik? Dhe tani dikush e merr të drejtën për të pyetur se në ç’moment SHBA-ja dhe BE-ja hoqën dorën nga PSP-ja.

“Momenti” është i gjatë ashtu siç mund të jetë vetëm në Ballkan: zgjat me vite dhe tregon se partia më shpejtë do ta shkatërronte shtetin dhe popullin në të sesa të lejonte që drejtuesit e saj të mëparshëm të përgjigjen për keqpërdorimet e pushtetit. Si asistent, me habi lexoja për sistemet politike të shteteve të reja afrikane të cilat thjeshtë nuk kanë mundur të funksionojnë pa amnistimin e dhunës dhe korrupsionit. A është kjo gjendja jonë sot? Vallë nuk jemi çdo ditë para zgjedhjes ose të lejohet amnistimi i dhunës dhe korrupsionit ose dështim total i sistemit politik dhe juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Se partitë tona nuk bëjnë shaka: më parë do ta mbysnin shtetin dhe popullin në të sesa do ta pranonin fajin. Të ballafaquar me këtë zgjedhje, SHBA-ja dhe BE-ja munden, të paktën për një kohë, të heqin duar nga përpjekja për të transplantuar institucionet demokratike në trupin tonë politik oriental e cila thjeshtë i hedh poshtë. Pasi PSP ka qenë “e tyre” dhe jo “e jona”. Duhet të turpërohemi. /Inbox7.mk

Të fundit