Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov qëndroi të enjten (12.09) në Berlin ku diskutoi me parlamentarë gjermanë dhe ekspertë të ministrive gjermane dhe Fondacioni Körber, për Marrëveshjen e Prespës dhe reformat që po kryen rajoni. Vizita e tij në Berlin u zhvillua pak javë para se BE të marrë vendimin për fillimin ose jo të bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në fund të vizitës së tij, Deutsche Welle zhvilloi këtë intervistë me parlamentarin kristiandemokrat gjerman, Günter Krichbaum.
Deutsche Welle: Zoti Krichbaum, si kaloi takimi me ministrin maqedonas Dimitrov?
Günther Krichbaum: Unë pata një takim shumë të mirë informues me Ministrin e Jashtëm, Dimitrov. Ne e njohim njëri tjetrin prej vitesh dhe kohët e fundit kemi qenë në kontakt më të ngushtë. Tani që shtrohet pyetja a do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë Veriore apo jo, kjo pyetje nuk mund të ndahet edhe nga pyetja si do të shkojë puna me Shqipërinë. Ajo që mund të them unë është se në parlamentin gjerman, Bundestag, mendimi për Maqedoninë Veriore është shumë i mirë, Maqedonia Veriore ka imazh pozitiv në Gjermani. Unë mund të flas vetëm për parlamentin gjerman, jo për parlamentet e tjera europiane, aq më pak për Bashkimin Europian, por unë jam i bindur se në muajin tetor Këshilli do të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë Veriore.
Deutsche Welle: Ju pra jeni i bindur se do të ndizet drita jeshile nga Bundestagu? Kur pritet të diskutohet për Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, në fund të muajit shtator?
Günter Krichbaum: Unë mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia Veriore vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumë vjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet. Por nuk duhet harruar që vazhdojnë të ekzistojnë sfida të mëdha përpara, si për shembull reforma e sistemit të drejtësisë, ose që ekonomia duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë
investimet direkte. Dhe shumë fusha të tjera duhen zhvilluar sipër shembull liria e shtypit dhe gazetaria. Të gjitha këto janë fusha që dihen, dhe ku priten përparime. Ne nuk po flasim për pranim në BE këtë vit, por po flasim për fillimin e bisedimeve të pranimit. Ky do të jetë një proces i gjatë, ku duhet patur shumë durim. Por rruga është e qartë, rrugë në drejtim të Bashkimit Europian. Dhe meqenëse pyetët për segmentin kohor, ne do të zhvillojmë në fund të shtatorit diskutimet në Komisionin e parlamentar të Bundestagut që merret me çështjet europiane, përkatësisht do të marrim vendimin në parlamentin gjerman dhe në muajin tetor do të merret vendimi përfundimtar.
Deutsche Welle: Sa realiste është që nëse në Shqipëri vazhdojnë problemet procesi të zhvillohet i ndarë për Shqipërinë dhe Maqedoninë?
Günther Krichbaum: Siç thashë ne Bundestagun gjerman jemi duke u këshilluar edhe për Shqipërinë, dhe sa i përket pyetjes suaj për ndarje mund të them se që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE, me 10 plus 2 shtete, më 2004 dhe 2007 është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, me të ashtuquajturën “principle of own merit”. Prandaj vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet. Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë. Ky principle of own merit, është një princip i BE dhe secili vend vlerësohet për sukseset e veta./DW