E shtunë, 27 Korrik, 2024

Debatet si pështymore publike

Pak më shumë se tri javë kanë mbetur nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Debatet në televizionet e shumta të Kosovës po marrin hov – me sharje dhe vulgarizime të tjera gjuhësore. A do të dëshironit që këta njerëz t’i pranonit mysafirë në shtëpi? Nëse jo, atëherë mos i lejoni të futen në parlament, sepse aty mund të jenë edhe më të padurueshëm se një mysafir i mërzitshëm në shtëpi.

Autor: Enver Robelli

1. Çka do të ishte debat?

Debat do të ishte nëse kandidatët e partive të ndryshme do të garonin me ide. Nëse do të na tregonin neve qytetarëve se si do ta zhvillojnë vendin. Nëse do të prezantonin koncepte bindëse për zgjidhjen e një problemi. Nëse kandidati tjetër do të paraqiste një koncept edhe më të mirë. Nëse pjesëmarrësit në debat do të flisnin për probleme të prekshme: përse ka aq shumë papastërti në vendbanimet e Kosovës, përse ajri është i ndotur dhe i rrezikshëm për jetë, përse rrogat janë aq të ulëta, përse sistemi shëndetësor është lënë anash dhe përse në disa segmente është para kolapsit. Debat do të ishte nëse do të kishte një garë me ide se si të pastrohet administrata publike nga të paaftit, dembelët, vjedhësit, keqpërdoruesit, të papërgjegjshmit. Debat do të ishte nëse do të propozoheshin masa konkrete për ngritjen e cilësisë të shërbimeve publike, nëse do të propozohej plan serioz për avancimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e gjendjes në arsim, hapjen e vendeve të punës, sjelljen e investitorëve, përkrahjen e sektorit të bujqësisë.

2. Çfarë po shohim?

Çfarë po shohim nuk është debat. Është zhurmë. Është terror me fjalë të pista. Njëri bërtet «ti je hajn«», tjetri «ti je legen», dhe pothuaj të gjithë merren me etiketimin e njëri-tjetrit, me sulme personale, me akuza se cili i ka përlyer duart më shumë në të kaluarën. Pas çdo debati në televizion vazhdon debati në mediat sociale: a e pe këtë? A e pe atë? A e pe si e shau? A e pe si e vrau? A e pe si e «paloi»? A e pe si e drejtoi? A e pe si e shtrembëroi? A e pe si gënjeu? A e dëgjove si mashtroi? Askush nuk ka respekt për askënd. Lulëzojnë gjithandej dembelia dhe injoranca. I ndjeri Ardian Klosi pati shkruar: «Më ngjan Shqipëria shpesh me një femër që e kanë nxjerrë ta shesin». A mos po ju duket Kosova ndryshe gjatë debateve televizive parazgjedhore, ku politikanët (kandidatët për Kuvend!) kacafyten dhe shumica e moderatorëve nuk kanë fare autoritet për të drejtuar debatin, madje në të shumtën e rasteve e ushtrojnë rolin e ndërsyesit. Në këtë atmosferë herët apo vonë dikush jep e dikush ha dajak, dikush godet me grusht, e dikush me bërryl. Dikush merret me babanë e tjetrit, e tjetri me nënën e tjetrit. Një spektakël me saçma jo vetëm retorike. Një festival i mjerimit. A do të dëshironit që këta njerëz t’i pranonit mysafirë në shtëpi? Nëse jo, atëherë mos i lejoni të futen në parlament, sepse aty mund të jenë edhe më të padurueshëm se një mysafir i mërzitshëm në shtëpi. Nga shtëpia i dëboni, nga parlamenti jo – aty, në rastin më të keq, do të mbesin 4 vjet dhe do vendosin për ligje e për buxhet. Për paratë tuaja.

3. Çfarë të bëjmë?

Në një doracak të psikologjisë në gjuhën gjermane shkruan: «Psikohigjiena është ‘mbrojtje e shëndetit shpirtëror’. Me këtë nënkuptohen të gjitha masat preventive të cilat i ndihmojnë një njeriu për t’u përballur më mirë me ngarkesat e përditshmërisë dhe kështu për të nxitur shëndetin shpirtëror dhe trupor». Ky nivel i debateve televizive në Kosovë prodhon vetëm emocione negative. Këta nuk flasin për zgjidhje problemesh shoqërore, por për zgjidhjen e problemeve të tyre psikike dhe personale. Në këtë situatë a duhet gazetarët t’i shndërrojnë studiot në kafehane ballkanike? Jo, nuk duhet. Për fat të keq gjasat që ky fenomen të marrë fund, janë të vogla. Sepse pjesa më e madhe e partive nuk kanë çfarë i ofrojnë votuesit përveç primitivizmit të kandidatëve të tyre. Po e paguajmë çmimin e shkatërrimit mbi 20-vjeçar së pari të vlerave familjare dhe edukuese, pastaj të tjerave me radhë. Pyetja ishte: çfarë të bëjmë? Lum ata që arrijnë t’i injorojnë stoikisht këto debate, ku argumente të vetme janë grushti dhe sharja.

Të fundit