Interesat e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar nuk janë më të përputhura përsosshmërisht, pasi ndërsa të parët mbeten perandori, e dyta e ka humbur peshën e saj. Ama aleanca është e detyruar që të forcohet prej mungesës së alternativave. Sfida kineze rilançon Five Eyes.
Midis viteve 1812 dhe 1815, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar u ndeshën në një luftë që shkaktoi vdekjen e mijëra ushtarëve amerikanë dhe britanikë. Gjatë këtij konflikti, forcat e Madhërisë së Tij i vunë flakën dhe pushtuan qytetin e Uashingtonit. Rreth një shekull më vonë, të dy vendet luftuan krah për krah në Luftën e Parë Botërore, duke shkaktuar një process që në fillimin e shekullit të XXI do ta bënte atë midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar aleancën më kohezive të historisë së politikës ndërkombëtare. Një trajektore që demonstron sesi në raportet midis Londrës dhe Uashingtonit të mos merret asgjë si e mirëqenë dhe që të shtyn të pyesësh se çfarë kursi gjeopolitik do ta pasojë marrëdhënien speciale në shekullin e filluar. Pyetje që një dekadë më parë nuk do të kishte pasur kurrfarë kuptimi, po të kihet parasysh fakti që rendi aktual botëror është një produkt i aleancës midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, të dy fuqitë anglishtfolëse kanë një peshë të ndryshme në ekuilibrat globalë që kanë farkëtuar. Nëse Aleatët fituan Luftën e Dytë Botërore, Mbretëria e Bashkuar e humbi perandorinë gjatë saj dhe doli e mbytur në borxhe nga 6 vitet e kontestimit me Gjermaninë naziste. Sikur të mos mjaftonte, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, filloi Lufta e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, betejë e fortë midis forcave të komunizmit dhe të liberalizmit të cilën Mbretëria e Bashkuar nuk kishte forcën që ta kryente. Londra u rreshtua vendosmërisht nga ana e Uashingtonit, ashtu si në luftërat e mëpasme kundër xhihadizmit. Kjo sjellje ishte e mundur në kuadër të rendit botëror të farkëtuar nga anglo – amerikanët të nesërmen e konfliktit të dytë botëror. Tani që një rend i tillë dalëngadalë po shpërbëhet, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar i nënshtrohen një presioni të paprecedent.
Individualizimi i pikës së prishjes së marrëdhënieve anglo – amerikane në zgjedhjen e Donald Trump është një arsyetim i papranueshëm. Mjafton të kujtosh disa episode të kohëve të fundit: Presidenti amerikan ka zgjedhur të takojë liderin e atëhershëm e UKIP-it Nigel Farage përpara Kryeministres Theresa May; pas atentatit të Manchester, policia britanike e ka pezulluar për një kohë të shkurtër ndarjen e informacioneve të inteligjencës me zyrtarët amerikanë nga momenti që sipas versionit të Londrës këta të fundit kishin nxjerrë informacione të ndjeshme; më së fundi, amerikanët e kanë shprehur qartë se nëse Mbretëria e Bashkuara synon të përdorë komponentet e Huawei në rrjetin e saj 5G, Uashingtoni «do ta rikonsiderojë» mundësinë e ndarjes së infomracioneve të inteligjencës me aleatin. Përtej këtyre fërkimeve, britanikëve thjesht nuk u pëlqen Trump. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit të kryer nga YouGov, 67% e popullsisë e Mbretërisë së Bashkuar mendon se manjati është një president «shumë i keq». Kështu, britanikët nuk janë dakord në asgjë, por bien dakord për faktin se Trump është një i “pagdhendur”. Sikur të kishte një nivel të ngjashëm konsensusi lidhur me marrëveshjen për daljen nga Bashkimi Europian!
Por teza që i redukton shkaqet e përkeqësimit të marrëdhënies speciale në efektin Trump është tejet sepliste. Pasi në të vërtetë Presidenti amerikan nuk ka të bëjë aspak me krizën në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Shkaku parësor i kësaj të fundit qëndron në faktin se për herë të parë nga viti 1945 interesat e të dy vendeve nuk përputhen përsosshmërisht. Nëse Gjermania aziste, Bashkimi Sovjetik dhe fondamentalizmi islamik përbënin një kërcënim si për Uashingtoni, ashtu edhe për Londrën, sot të dy aleatët perceptojnë kërcënime të ndryshme ndaj sigurive të tyre. Shtetet e Bashkuara konsiderojnë Rusinë dhe Kinën rivalë potencialë në skenën globale dje propozojnë që të frenohen shtete batakçinj si Irani, Koreja e Veriut dhe Venezuela. Me fjalë të tjera, preokupimet në fushën e sigurisë të amerikanëve janë ato të një perandorie. Si të tilla, divergjojnë pashmangshmërisht nga ato të Mbretërisë së Bashkuar, që nuk është më perandori prej një shekulli dhe, për pasojë, ka objektiva strategjikë më pak ambiciozë se atë të aleatit Përtejoqeanit. Rrethanë që shkakton pashmangshmërisht një divergjencë strategjike midis dy fuqive.
Problemi i rrjetit 5G përbën një shembull të shkëlqyer, anipse marxhinal, të natyrës së divergjencave të shfaqura vitet e fundit në marrëdhënien speciale. Edhe Mbretëria e Bashkuar, ashtu si Shtetet e Bashkuar, e pranon në fakt se komponentet e prodhuara në Kinë mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të saj. Aq sa Këshilli i Sigurisë Kombëtare britanik ka ndaluar komponentet e prodhuara nga Huawei nga pjesët më të ndjeshme të rrjetit 5G. Diferenca midis qasjes britanike dhe asaj amerikane ndaj rastit Huawei dhe, më në përgjithësi, ndaj teknologjisë kineze qëndron në faktin se Londra mendon se bëhet fjalë për një kërcënim të menaxhueshëm. Në një dokument të botuar marsin e kaluar, Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (NCSC) ka përcaktuar se «strategjia zbutëse» (mitigation strategy) e adoptuar nga Mbretëria e Bashkuar përbën mënyrën më të mirë e përballimit të rrezikut që paraqitet nga hyrja e Huawei në sektorin britanik të telekomunikacioneve. Shumë më thjesht, Shtetet e Bashkuara e shikojnë në fakti Kinën si kërcënim. Dhe kur Uashingtoni percepton një kërcënim, në politikën e jashtme amerikane nuk ka më hapësirë për lojëra.
Pika qendrore e çështjes është se Shtetet e Bashkuara mund t’ia lejojnë vetes që të adoptojnë një qasje intransigjente në negociatën me Kinën. Deri më 2018 – vit i karakterizuar nga fërkime të forta tregtare midis Uashingtonit e Pekinit – rreth 20% e eksportit kinez e ka gjetur destinacionin e tij final në tregun amerikan. Në të njëjtën periudhë, kuota e eksporteve kineze drejt Mbretërisë së Bashkuar ka qenë me 2%. Londra merr pjesë me bindje në operacionet detare për të garantuar lirinë e lundrimit në Detin e Kinës Jugore, por vendosja e tarifave doganore të përgjithësuara mbi mallrat kineze është një histori krejtësisht tjetër. Ashtu si Kina, Mbretëria e Bashkuar është në fakt bukur në mes të një procesi imponues të prirur që të ripërcaktojë strategjinë e saj ekonomike. Nëse dhe kur do ta braktisë Bashkimin Europian – duke supozuar se dinamikat e shkaktuara nga Brexit mund të zgjasin në pafundësi – Londrës do t’i duhet të individualizojë partner të rinj tregtarë. Kështu, Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë interes të armiqësohet kot me Kinën, nga momenti që synon të zhvillojë me të një marrëdhënie të frytshme ekonomike. Diferenca midis qasjes britanike dhe asaj amerikane qëndron kështu në faktin që ndërsa Londra dëshiron ta detyrojë Pekinin të nënshkruajë një marrëveshje më fitimprurëse tregtare, Uashingtoni mendon që ta terrorizojë për t’i fituar gjunjëzimin.
Qasja amerikane nuk është një problem ekskluzivisht britanik. Përkundrazi, deri më tani Mbretëria e Bashkuar ka arritur që të shmanget me një sukses të caktuar. Kanadasë i ka ecur shumë më keq. Pas ndalimit nga ana e një drejtuesje të Huawei nga ana e Ottaëa, mbi të cilën rëndonte një kërkesë amerikane ekstradimi, Pekini ka arrestuar disa qytetarë kanadezë – përfshi një ish diplomat – dhe ka ushtruar presion mbi kompanitë kineze me qëllim që t’i reduktojnë marrëdhëniet tregtare me homologet e tyre kanadeze. Por aspekti më i jashtëzakonshëm i kësaj ndodhie është se Kanadaja është shpërblyer për këtë demonstrim besnikërie në Uashington me një President amerikan që kënaqet kur tall Kryeministrin kanadez dhe që e ka shtyrë administratën e tij ta damkosë fqinjin verior si një kërcënim sigurie për shkak të eksportimeve të konsderueshme të çelikut. Megjithëse Kanadaja është një vend më pak i fuqishëm se Mbretëria e Bashkuar dhe shumë më e varur nga Shtetet e Bashkuara në profilin ekonomik, dinamikat që karakterizojnë marrëdhënien midis Uashingtonit dhe Ottawa pastaj nuk janë edhe aq të ndryshme nga ato që po ristrukturojnë marrëdhënien speciale, pasi aspekti themelor i strategjisë së re amerikane është se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë më ta përdorin forcën e tyre për të mbrojtur aleatët. Manifestim konkret i «America First». Slogan gjeopolitik që nga perspektiva britanike nënkupton «Britain Second». Në rastin më të mirë.
Vec të tjerash, hendeku në rritje midis interesave të Uashingtonit dhe Londrës përkon me një fazë të paqëndrueshmërie të madhe në Mbretërinë e Bashkuar. Dinamikat e shkaktuara nga Brexit i kanë vënë nën një presion të madh marrëdhëniet midis katër kombeve përbërëse të vendit. Interesat midis Skocisë, Anglisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut nuk janë më të përputhshme, pikërisht siç nuk janë më interesat e Londrës dhe Uashingtonit. Si koloni britanike funksionale për të frenuar kërcënimet e ardhura nga ishulli, Irlanda e Veriut nuk ka pasur kurrë zë me peshë dhe në perspektivë bashkimi i saj me Republikën e Irlandës është i pashmangshëm. Shkëputja e Belfastit përfaqëson megjithatë një problem të paktë krahasuar me faktin që për herë të parë nga miratimi i Act of Union të vitit 1707 interesat ekonomike të Anglisë dhe Skocisë tentojnë më shumë të divergjojnë sesa të konvergjojnë. Demonstrim flagrant i faktit që Londra nuk mund t’ia lejojë më vetes që t’i nënshtrohet Shteteve të Bashkuara nëse kjo nënkupton të vërë më tej në rrezik unitetin e mbretërisë. Nuk është e lehtë të parashikohet ajo që do të ndodhte në rast se Mbretëria e Bashkuar do të shpërbëhej. Është krejtësisht e besueshme që në rast shkëputjeje të Skocisë, rivalët e Anglisë do të kërkonin që të lidhnin një aleancë me Edimburgun për ta ridimensionuar projektimin gjeopolitik britanik. Megjithëse një dinamikë e këtij lloji do ta dobësonte më tej kohezionin e botës anglishfolëse, ajo nuk do të influenconte mbi raportet anglo – amerikane. Sepse Skocia nuk është më shtet i pavarur prej tri shekujsh. Në këtë hapësirë kohore ka farkëtuar lidhje të thella me Anglinë dhe, si anëtare e Mbretërisë së Bashkuar, me Shtetet e Bashkuara. Shkëputja e Skocisë nuk do të bënte që të dobësoheshin ndjeshëm raportet midis Uashingtonit dhe Londrës. Për më tepër, Edimburgu do të bëhej syri i gjashtë i Five Eyes. Amerikanët do të ushtronin të gjithë pushtetin e tyre për ta mbajtur fuqimisht në Anglosferë. Fakti që më 2014 qeveria britanike ka lejuar mbajtjen e referendumit mbi pavarësinë e Skocisë e konfirmon këtë tezë. Mjafton të krahasohet kjo sjellje me reagimin e qeverisë spanjolle ndaj referendumit katalanas të 2017.
E gjitha kjo duket se ravijëzon një skenar të mjegullt për të ardhmen e marrëdhënieve anglo – amerikane. Praktikisht, aleanca politiko – ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar e ka kaluar tashmë apogjeun e saj. Aleancat nuk janë të përjetshme dhe marrëdhëniet speciale zgjasin deri kur janë në interesin e të gjitha palëve. Nga ana tjetër, dy shekuj më parë, ushtarët britanikë dhe amerikanë vriteshin me njëri tjetrin. Dhe gjatë Luftës së Parë Botërore nuk luftonin krah për krah prej besnikërisë reciproke. Shtetet e Bashkuara ndërhynë në konflikt me objektivin e vetëm e shmangies që Gjemrania ta dominonte kontinentin europian, rrethanë që do të përbënte një kërcënim për interesat e Uashingtonit. Veç kësaj, në vitet ’20 strategët amerikanë hartonin plane lufte për një konfrontim hipotetik ushtarak me Mbretërinë e Bashkuar. Përmbledhtazi, nëse Uashingtoni dhe Londra ndodhen në situatën që do t’u duhej t’i zhvillojnë ndryshe raportet me vendet e treta, të gjitha afinitetet historike, kulturore dhe gjuhësore të kësaj bote nuk do të mund t’i ndalojnë që të ndjekin interesa konfliktuale dhe, potencialisht, të luftojnë për t’i arritur ato.
Pavarësisht kësaj, hendeku në rritje midis interesave amerikane dhe britanike nuk do të provokojë fundin e marrëdhënies speciale. Përkundrazi, do ta forcojë dhe do ta bëjë më multilaterale. Në të ardhmen e afërt, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re do të pushojnë së qëni partnerë të vegjël të thjeshtë të Londrës e Uashingtonit dhe do të zhvillojnë marrëdhënie të barabarta me dy fuqitë kryesore anglishtfolëse. Anipse janë fuqia kryesore ekonomike dhe ushtarake goxha e madhe e Five Eyes, edhe Shtetet e Bashkuara, të vetëm, nuk mund ta përballojnë sfidën e lëshuar nga Kina dhe nga rivalët e tjerë. Është këtu që hyn në lojë aleanca midis vendeve anglishtfolëse, ekonomitë e të cilave përfaqësojnë 31% e PBB-së globale. Fuqi ekonomike që Kina – kuota e PBB-së globale e së cilës është gjysma e asaj të Five Eyes – nuk është në gjendje ta përballojë.
Shteteve të Bashkuara do t’u duhen kohë, por në fund do t’i përshtaten këtij konfigurimi të ri gjeopolitik. Nga ana e saj, Mbretëria e Bashkuar shumë thjesht nuk disponon opsione të tjera. Londra e di shumë mirë se sikur Kina të arrinte ta ruante procesin e transformimit ekonomik në zhvillim duke e ruajtur ta pacënuar unitetin e saj politik, do të transformohej automatikisht në një kërcënim të madh ndaj interesave britanike. Sepse në rast se Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara janë demokraci të vërteta, Kina është një vend autoritar. Në rast se qeveria britanike dhe ajo amerikane kanë detyrën që të mbrojnë të drejtat individuale, qeveria e Pekinit parasëgjithash përpiqet të rigjallërojë kombin kinez. Përballë sfidës së lëshuar nga Perandoria e Mesit, paqëndrueshmëria e brendshme e Shteteve të Bashkuara, e Mbretërisë së Bashkuar dhe mosmarrëveshjet e dala midis dy aleatëve janë faktorë relativisht marxhinalë që nuk do të rezultonin fatalë për marrëdhënien speciale. Përkundrazi, mund të konsiderohen incidente mjaft normal rrugëtimi në një raport që në tërësinë e tij është ende i qëndrueshëm.
Britanikët e dinë më mirë se kushdo tjetër, pasi e kanë kaluar të njëjtën përvojë që po përjetojnë sot amerikanët. Në shekullin e XIX Mbretëria e Bashkuar ishte një superfuqi globale që akumulonte borxhe dhe futej në ndërhyrje ushtarake me pasoja katastrofike, shiko sidomos Luftën e Pavarësisë Amerikane dhe Luftën Boere. Me shpirt thuajse ungjillor, Londra paraqitej se përhapte qytetërimin britanik në botë dhe ta bënte Britaninë e Madhe më të pasur e më të fuqishme. Më pas, papritmas, erdhi unifikimi i Gjermanisë dhe në harkun e 40 viteve pozicioni i Perandorisë Britanike u bë jashtëzakonisht delikat. Shtetet e Bashkuara po hyjnë në një fazë të ngjashme, duke shfaqur të njëjtat simptoma të Perandorisë britanike në kulmin e fuqisë së saj: një forcë ushtarake dhe ekonomike të pamatë, një borxh publik e privat në rritje, një dobësi për ndërhyrjet e kota luftarake jashtë vendit dhe një besim të palëkundur në superioritetin e tyre moral. Ka mundësi që Mbretëria e Bashkuar është kaq shumë në siklet me banorin aktual e Shtëpisë së Bardhë pikërisht pse i njeh shumë mirë pasojat e mendjemadhësisë. Në fakt, që arroganca britanike ajo që shkaktoi frakturën fillestare në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar më 1776. Në shekujt në vazhdim dy fuqitë anglishtfolëse i kanë ringritur gradualisht raportet e tyre nëpërmjet një procesi afrimi që do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme. Kështu, në të ardhmen e afërt marrëdhënia speciale është e destinuar të konsolidohet, jo të atrofizohet. Dhe kjo jo për shkak të parimeve dhe të historisë së përbashkët, por sepse Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë zgjedhje tjetër.
(Jacob Shapiro është Drejtor Analize tek Geopolitical Futures)
Përgatiti
ARMIN TIRANA / bota.a