1.
Liriku i madh gjerman Johannes Bobrowski, krahas poezive, ka shkruar edhe tregime, të cilat janë botuar me titullin «Festa e minjve». Aty përshkruhet bota e ngushtë e njerëzve të thjeshtë, të cilët gjithçka që dëshirojnë është – jeta me dinjitet në kasollet e tyre. Kjo jetë e tyre kërcënohet nga ushtarët që zhdukin një kulturë të tërë. Këtë frymë rrëfimi Bobrowski e bart edhe te poezia «Fjala njeri». Ai shkruan: Fjala njeri, si fjalë, / Vendoset atje ku i përket / Në fjalor: / Ndërmjet fjalës njerëzor dhe njeridashës. // Qyteti i vjetër dhe i ri / Gjallëruar e zbukuruar / Me pemë / Dhe makina, këtu // E dëgjoj këtë fjalë, fjalën / Dëgjoj shpesh, / Mund t’i numëroj ata që e thonë // Mund ta filloj që këtu. / Atje ku s’ka dashuri, / Fjalën njeri mos e fol.
2.
Fjala njeri nuk ekziston në vokabularin e politikanëve sundues të Kosovës. Po të ekzistonte, atëherë politikanët sundues do të merreshin me hallet e vërteta të qytetarëve. Një lajm, një shembull: në vendlindjen e Ramush Haradinajt, në Gllogjan, ka nisur ndërtimi i ish-Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, që do t’i kushtojë shtetit tre milionë euro. Mirë e lexuat: tre milionë euro!
Kështu digjen paratë e taksapaguesve në një shtet që sistemin shëndetësor e ka gati të shkatërruar, në një shtet që s’prodhon gati asgjë, në një shtet që edhe qeptë e hudhrat i importon nga Kina, në një shtet me 90 zëvendësministra, në një shtet ku kryeministri ia rrit rrogën vetes «për pikë të qejfit dhe për të blerë kravata», në një shtet ku kryeministri nuk tregon se kush ia ka paguar hotelin e shtrenjtë në St. Moritz të Zvicrës, në një shtet ku sistemi arsimor prodhon analfabetë funksionalë, në një shtet ku një grup oligarkësh hapur dhe me leje të pushteteve të deritanishme e plaçkit qytetarin në emër të «homologimit të veturave», në një shtet ku me 1001 mashtrime është fryrë numri i veteranëve në 60 mijë, ndërsa vetë komandantë të UÇK-së kanë thënë se nuk kanë pasur më shumë se 6 mijë luftëtarë nën komandë (p.sh. R. Haradinaj). Tash nga buxheti i Kosovës financohen veteranët e rrejshëm, të cilët janë votues të vërtetë – të partive që e kanë kurdisur këtë krim me listat e veteranëve. Po u lanë këta në pushtet, do të fillojnë të ndërtojnë në çdo fshat nga një shtab, derisa të bëhen 60 mijë shtabe. Për secilin veteran nga një shtab.
3.
A do të ketë koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së? Gjasat duken të vogla kur në emër të LDK-së flet Ismet Beqiri. Ai paskësh thënë se propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje qenkan joserioze. Ka një vit që Vetëvendosje propozon një front të përbashkët me LDK-në kundër keqpërdoruesve të pushtetit. LDK ngurron, mendohet, vegjeton, kotet, përgjumet, flet përçart, herë jep sinjale pozitive, herë negative, dhe në fund – nuk bën asgjë, duke i qëndruar besnike strategjisë së vendnumërimit.
Le të mbetet e shënuar për arkiv: propozimet Lëvizjes Vetëvendosje po i quan joserioze Ismet Beqiri, i cili e ka votuar Hashim Thaçin për t’u bërë president (dhe kur H.Th. ia solli buqetën me lule asaj çikës, I. B. ishte aty, shend e verë, i buzëqeshur dhe i lumtur për votën e dhënë, ndoshta edhe ka duartrokitur). Por pritni se ka edhe më shumë: ky person, pra lugovisti I. B., e ka votuar edhe Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Është mirë që disa të LDK-së gjatë fushatës elektorale të dalin para popullit kokëulur, si shenjë pendimi për krejt gabimet, marrëzitë e poshtërsitë që i kanë bërë ose i kanë mundësuar. Nuk mund t’i lani duart në pafajësi me vetëm një kandidaturë për kryeministre. Sepse kandidaten siç e keni kandiduar edhe mund ta digjni me këso deklarimesh absurde.
4.
Qe çka domethënë partneriteti në qeveri dhe mirëbesimi mes partive të koalicionit: Behgjet Pacolli i thotë shefit të tij, Ramush Haradinajt, gënjeshtar dhe mashtrues. «Liderët që thonë se nuk do ta heqin taksën po gënjejnë. Nuk është mirë të mashtrohet elektorati», bërtet B.P., pronar i një avioni, i cili në kabinetin e Haradinajt e luan rolin e ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit. Ja, pra, si flet ministri i Jashtëm i Kosovës, i cili e ka bërë torishtë ministrinë e Jashtme dhe për shkak të paaftësisë së tij kolosale numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës ka rënë. Por B.P. nuk e ka asnjë faj, në fund të fundit: kanë qenë dhe janë komandantët me kravata që i japin pushtet çdokujt që ka pak para dhe një avion të vogël privat. Sepse Kosova është shtet i privatizuar, ku anëtarët e kabinetit e quajnë njëri-tjetrin mashtrues dhe gënjeshtarë, por ata grinden pak vetëm para zgjedhjeve, pastaj bëhen bashke për të vazhduar projektin e madh të shkatërrimit të shtetitZ
4. Hallet e qytetarëve? Fjala njeri? Nuk ekzistojnë, siç tregon ky shembull nga mesnata e 28 gushtit, diku në Europë: pritja në Merdare për të dalë nga Kosova në Serbi është deri në 3 orë e 40 minuta. Kështu njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit të Kosovës. Me fjalë të tjera: gati 4 orë pret kush dëshiron të udhëtojë nëpër Serbi për të shkuar tutje drejt Europës. Përse? Sepse policët serb, shteti serb, qeveria serbe duan të terrorizojnë qytetarët e Kosovës dhe çdokënd që udhëton. Çka duhet të bëjë Kosova? Të protestojë. Por kjo nuk mjafton. Të mbyllë kufijtë për disa orë si paralajmërim. Kur t’u ndalohet serbëve për të hyrë e dalë në Kosovë, ndoshta qeveria e Beogradit e kupton mesazhin. Sepse Beogradi gjuhë tjetër nuk kupton përveç reciprocitetit. A ju kujtohen përrallat e BE-së për normalizimin e raporteve mes Serbisë e Kosovës? Mua po më kujtohet një ambasador i një shteti të rëndësishëm të BE-së, me të cilin shpesh jam grindur privatisht, kur marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës «për normalizimin e raporteve» gati e krahasonte me rënien e Murit të Berlinit. Kaq gjatë njerëzit nuk kanë pritur as në pikat kufitare të Berlinit të ndarë!