E shtunë, 27 Korrik, 2024

Si duken reformat radikale për të cilat kemi nevojë?

Prandaj, reforma më radikale ka qenë, është dhe do të ngelet reformimi i mendësisë dhe praktikës së partive politike, pra integriteti personal dhe profesional i atyre që kanë kapur pushtetin e tranzicionit. E si mund të duket ajo reformë?

 

Autor: Sefer Selimi Jr.

 

Pas publikimi të raportit të progresit nga ana e Komisionit Evropian, u përflakën shpresat se Maqedonia e Veriut po lëviz në drejtimin e duhur dhe fillimi i negociatave dukej vetëm çështje teknike e cila do të zgjidhet në Tetor të këtij viti. Me shumë të drejtë, qytetarët dhe aktorët e tjerë të jetës shoqërore-politike e presin këtë datë, sepse në praktikë kjo nënkupton fillimin e fundit të tranzicionit politiko-ekonomik, që shteti ynë tash e 30 vite nuk arrin ta përfundoj. Gjatë gjithë kësaj kohe, kryefjala e retorikës politike ka qenë fjala REFORMA. Kemi pritur e përcjellë garnitura të ndryshme qeverisëse, ministra, deputet, parti e liderë që janë ngritur e kanë rënë me fjalën reformë, e sot e kësaj dite ajo ushton plot forcë në skenën politike. Por, ç‘nënkuptojmë me reformë? 

Reforma në aspektin politik nënkupton të përmirësosh apo të ndryshosh diçka që nuk funksionon siç duhet brenda sistemit politik qeverisës. Dhe në pamje të parë kjo duket mjaftë e thjeshtë, madje shumë e lehtë nëse do bazohemi në përkushtimin deklarativ të politikanëve, posaçërisht gjatë kampanjave parazgjedhore. Por në esencë, reformat janë sipërmarrje mjaftë serioze, që kërkojnë shumë analizë, konsistencë dhe strategji afatgjate për të siguruar qëndrueshmërinë e tyre. Mbi të gjitha, reformat e vërteta kërkojnë vullnet të sinqertë politik, guxim dhe gatishmëri për sakrificë afatshkurtër të karrierave individuale politike. 

Qeveri pas qeverie, Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë reforma në sfera të ndryshme në sistemin politik qeverisës. Por, rezultatet e tyre nuk kanë kënaqur pritshmëritë e qytetarëve sepse ato kanë qenë sipërfaqësore në rastet më të mira dhe populiste në të shumtën e tyre. Përkundër qasjes së deritanishme, ne kemi nevojë për reforma radikale, që hynë thellë në sistemin qeverisës dhe këpusin përjetësisht rrënjët e problemeve sistemore që e kalbin këtë sistemin. 

Si do të dukeshin reformat radikale për të cilat kemi aq shumë nevojë? Ja disa shembuj pa shumë detaje specifike.

  1. Administrata Publike – Pothuajse unanimisht të gjithë pajtohemi që administrata jonë publike është joefikase dhe joefektive. Sipas shumë analizave të kryera, 30% e administratës publike është e tepërt dhe një pjesë e madhe pa kualifikim të duhur. Kjo e bën atë joefikase dhe jo efektive. Si mund të dukeshin reformat radikale në suaza të administratës publike?

Për të ulur numrin e tepërt të administratorëve duhet pensionim i parakohshëm i çdo nëpunësi publik  i cili është më i vjetër se 55 vjet, duke i ofruar 50% të rrogës bashkë me mundësinë që të punësohet edhe sektorin privat, pa e humbur të drejtën për ta marrë atë kompensim. Kjo të ndiqet me ri-zgjedhjen e administratorëve përmes testimeve profesionale për vendet e tyre të punës dhe gjithkush që nuk e kalon testin, t’i ndërpritet kontrata. 

Rivlerësim i punës së agjencive, komisioneve, ndërmarrjeve dhe gjithë organeve publike duke i asgjësuar ata për të cilat nuk kemi nevojë dhe duke i bashkuar ata që janë me shërbime, funksione apo kompetenca të ngjashme. Maqedonia është mikro-shtet dhe nuk ka nevojë për qeveri kaq të madhe, por ka dëshpërimisht nevojë për qeverisje të mirë. 

  1. Decentralizimi i plotë fiskal dhe administrativ – Që nga fillimi i kësaj reforme në vitin 2005 e deri më sot janë bërë dy hapa para e tre mbrapsht. Sidomos me tendencën e viteve të fundit të qeverisë së kaluar për të centralizuar sa më shumë pushtetin, posaçërisht atë fiskal. Njësitë e vetëqeverisjes lokale janë organet të cilat janë më afër qytetarëve dhe i dinë më mirë problemet e tyre reale të përditshme me të cilët përballen ata. Mungesa e mjeteve financiare shpesh herë i bën ata impotentë dhe i lë në pamundësi për t’i adresuar, në të shumtën e rasteve, problemet jetike me të cilët përballen taksapaguesit. Si mund të dukeshin reformat radikale në decentralizimin e pushtetit? 

Qeverisja qendrore përmes një formule proporcionale sipas numrit të banorëve dhe madhësisë së territorit, ndanë 4,5% të TVSH-së së mbledhur nga viti paraprak për çdo komunë në baza mujore. Këto mjete janë jetike për funksionimin e komunave, posaçërisht për atyre rurale. Kjo përqindje, jo vetëm që duhet të arrijë në 7,5% siç ishte paraparë fillimisht, por ajo duhet të dyfishohet. Në një analizë që i kam bërë investimeve kapitale në komunën e Gostivarit, që nga fillimi i decentralizimit në vitin 2005, investimet kapitale dhe të përgjithshme janë  rritur më shumë se 10 fish, pra po aq herë është përmirësuar edhe standardi i jetesës për qytetarët e kësaj komune. Qeveria qendrore duhet maksimalisht të decentralizohet në aspektin fiskal dhe në proporcion të drejtë të delegoj edhe kompetencat administrative, duke monitoruar punën e pushtetit lokal dhe të kujdeset që mjetet të shpenzohen siç duhet, pra të mos keqpërdoren. Roli i pushtetit qendror duhet të fokusohet në politikat zhvillimore ekonomike, infrastrukturën kombëtare dhe regjionale, energjetikë, sigurinë e brendshme dhe të jashtme dhe të siguroj perspektivë në institucionet mbi-nacionale. 

Ja po hedh pa i elaboruar edhe disa reforma tjera radikale: 

  • Dyfishimi i pagave të mjekëve, duke i përjashtuar dhe duke ua marrë licencën për punë atyre që janë të korruptuar. 
  • Dyfishimi i pagave të punonjësve në arsim dhe rizgjedhja e tyre nga fillimi përmes një testi gjithëpërfshirës për përgatitjen e tyre profesionale. 
  • Zgjedhja e shefit të policisë me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe rritja e kompetencave dhe përgjegjësive të tij. 
  • Vetting i plotë dhe i pavarur nga partitë politike i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas modelit të Shqipërisë. 
  • Luftë pa kompromis kundër evazionit fiskal dhe larjes së parave, duke përjashtuar fillimisht inspektorët e korruptuar. 

Maqedonia e Veriut është sa një bllok banimi në metropolin e New York-ut dhe është idiotike që një shtet kaq i vogël, plot pasuri natyrore, me pozicion gjeo-politik të favorshëm dhe me mbështetjen e demokracive më të fuqishme të botës nuk arrin të kaloj veten e saj më të keqe dhe të sjell ndryshimin e shumëpritur për qytetarët e saj. Në teori dhe në premtimet parazgjedhore kjo është shumë e lehtë, ndërsa reformat sado radikale dhe të dhimbshme qofshin, bëhen por si ta prishim komoditetin e privilegjeve që sjell pushteti dhe pasurimi i shpejtë, i lehtë dhe i pandëshkueshëm përmes politikës?! Prandaj, reforma më radikale ka qenë, është dhe do të ngelet reformimi i mendësisë dhe praktikës së partive politike, pra integriteti personal dhe profesional i atyre që kanë kapur pushtetin e tranzicionit. E si mund të duket ajo reformë?! /KDP

Të fundit